Behar Metohu: THYERJA…
Tregim
Ajo hyri në jetën e atij lokali vetëm me buzëqeshjen e bukur. Pranë qendrës së qytetit të vogël bregdetar bar-restorant me pronar Dritanin, njerëzit ishin të pranishëm gjatë gjithë ditëve dhe sidomos në periudhën e vjeshtës dhe dimrit, kur nga Michigani, Bostoni, Nju Yorku e gjetkë, të moshuarit gjenin ngrohtësinë e munguar. Ishte pikërisht një nga këto ditë kur ajo u shfaq tek lokali dhe kërkonte pronarin. Ai nuk ndodhej aty, por e telefonuan. Kur erdhi pas një ore vajza me ata sytë plotë shkëlqim dhe mollzat e bardha që rrezatonin moshën 18 vjeçare të saj marramendi Dritanin. Ai uli sytë për të qenë më i sigurt dhe i tha në anglisht:
– Kërkoni punë?
– Po zotëri! – tha ajo dhe fytyra e bardhë morri një pamje sa të shqetësuar po aq edhe të vemëndëshme.
-Çfarë di të bësh?! – vazhdoi shqiptari nga Korça në një anglishte perfekte.
Ajo ngriti supet duke buzëqeshur lehtë, por kuptoi se diçka do t’i afronte ai zotëria i veshur bukur dhe pastër.
-Sillni dokumentat e duhura dhe flasim nesër. Ai iku duke lenë disa porosi kamerierëve dhe përgjegjëses së turnit…..
* * *
Sapo kishte hyrë në Amerikë. Me statusin e refugjatit të luftës në Ukrainë vajza kishte mbrritur në Nju York me ndihmën e Simonit, kushuririt nga babai. Ndjehej e liruar nga ankthi i luftës, tmerret që po sillte ajo.
Një plak, i cili i foli në gjuhën ukrainase, erdhi aty pranë saj. Ata biseduan edhe me dikë nga turni dhe u larguan. Dielli digjte dhe ajri i ngrohtë i mesditës sillte një përgjumje. Plaku në timon vështroi nga rruga dhe pastaj vajzën që sapo shtrëngoi rripin e sigurisë. Makina u nis! Nga larg dikush vuri re se ajo vajza e përqafoi plakun fort. Fytyra e saj rrezatonte nga gëzimi dhe dielli i ngrohtë. Ishte mes i shtatorit….
Kaluan ditët e para jo pa vështirësi. Anglishtja e përsosur dhe komunikimi i ngrohtë me klientët, të cilët ishin të preferuarit në atë lokal krijuan një besim dhe siguri tek ajo. Por forca që e mbante entuziaste ishte hijeshia e fizikut, që jepte një ndikim mjaft lartësues dhe buzëqeshja e veçantë, gjë për të cilin çdo lokal, dyqan apo restorant, hotel dhe pika të tjera biznesi do t’ia kishin nevojën pasi ato binin në sy menjëherë si dy hijeshi superiore të forta, që çdo femër do ta kishte zili. Dhe këtë gjë ajo e shfrytëzonte për të bërë të mundur të realizonte jetën e saj në Amerikë tashmë të thyer nga lufta.
…Ajo vinte nga një vend në luftë dhe e ndjente veten me fat që kishte mundur me ndihmën e kushuriri nga babai të mbrrinte aty. Simoni, i cili jetonte në Amerikë që kur ishte fëmijë, tashmë 75 vjeç mësoi se si Katja kishte humbur familjen, nënën, babanë, motrën dhe kthimi në atdhe tashmë ishte e pamundur më për vajzën e mbetur vetëm. Një telefonatë nga Nju Yorku të atij shkurti të mallkuar e lidhi përfundimisht me të. Ai hipi aeroplanit dhe e takoi në kolegjin ku ajo po ndiqte studimet.
Lidhja me njeriun e familjes u bë domosdoshmëri për Katjan, e cila ishte në vitin e praktikës dhe në kursin e kualifikimit disa mujor për biznes. Asaj nuk i interesonte më për të praktika disa mujore, gjë të cilën mund ta rifillonte në një kohë tjetër. Humbja e familjes në Ukrainën e largët tashmë kishte çorientuar shpirtin e saj. Babai, një inxhinier elektronik dhe e ëma, një mjeke e talentuar bashkë me motrën më të vogël ishin zhdukur një herë e përgjithmonë. Raketat ruse kishin goditur ndërtesën dhe çdo gjë kishte marrë fund në gërmadhat e asaj nate tmerri të shkurti të 2021…
* * *
…Ditët e javët kalonin të qeta në shtëpinë e bukur të rrethuar nga palmat në qytetin bregdetar të Floridës, por Katja nuk donte të jetonte më në kurriz të kushurirt të plakur. Simoni nuk e kërkonte këtë gjë. Ndërsa Katja donte të integrohej me jetën amerikane. Vitet i kishte para…
Pas një muaj në bar- restorantin e Dritanit nga Shqipëria, Katja mundi të siguronte të ardhura më shumë dhe pasi morri patentën e drejtimit, një mëngjes të bukur tetori ajo erdhi me një makinë – veturë të bardhë. Kur u shfaqën pas xhamit të makinës flokët e zeza dhe fytyra e saj e bardhë, ato tërhoqën vëmendjen e klientëve të pranishëm pranë lokalit. Ajo ndjeu shikimin e tyre dhe guxoi të nxitonte, kur befas tingëlloi telefoni. Ishte Simoni, që atë ditë për herë të parë nuk e solli Katjan në punë me makinën e tij.
Ajo bëri hapa të shpejtë drejt restorantit dhe ndjeu për herë të parë se sapo kishte prekur jetën e pavarur amerikane, kur pas ditëve të lodhshme kishte arritur të blinte makinë dhe kjo do t’i jepte krah, të fillonte jetën që të ecte me këmbët e veta.
-Mirëmëngjesi- i tha një nga koleget.
Ajo e përshendeti dhe i buzëqeshi plot lumturi.
Kështu ikën ditë e javë dhe ajo ndjeu lirinë që të jep puna, makina, shoqëria e krijuar në lokalin ku, në një kënd dukej një flamur i kuq me një shqiponjë të zezë. Dhe në çast një ditë ndërsa shikonte atë flamur pranë një flamuri amerikan, shqiponja në atë fushë të kuqe i jepte ndjesinë se ajo tani duhet të fluturonte, të gëzonte në qiellin e lumturisë, Të bëhej si ajo shqiponja që fluturon lart.
-Si të duket ai flamur Katja? – pyeti Dritani që u ndodh papritur.
Ajo u hutua dhe i tha:
– Shqiponja, shumë e bukur… – dhe u largua për të vazhduar punën duke i lënë pas buzëqeshjen e saj.
Restorantin, të cilin Dritani kishte njëzet vjet në disponim ndodhej në një pozicion të favorshëm me trafikun dhe lejonte që aty të akomodoheshin lehtë edhe njerëz që shkonin në Miami apo Tampa, qytete të mëdha të Floridës.
Në një nga ditët pak para krishtlindjeve një grumbull makinash parkuan njëra pas tjetrës plot shkujdesur. Hapeshin dhe mbylleshin dyert e tyre dhe grupe të rinjsh vajza e djem dilnin nga veturat e bukura, dy prej të cilave ishin të hapura, ku qëndronin disa bjonde me pantallona të shkurtëra e veshje transparente, ku shumë pjesë të trupit dalloheshin qartë. Qeshnin dhe ngacmonin njëri-tjetrin deri ku mbrritën në verandën e jashtme, nga ku përtej deti i kaltërt dallohej tutje larg si një margaritar mes palmash. Ata kur u ulën në tavolinat me njerëz të tjerë ranë si me komandë të gjithë në heshtje me buzëqeshjet e tyre tashmë të ndërprera.
-Energi drink, ju lutem – thërritën dy më të rriturit.
Vajzat shikonin njera-tjetrën dhe filluan të hapnin telefonët. Dikush për të parë e dikush për të bere foto. Ata qëndruan rreth tridhjet minuta. Katja shkoi të merrte pagesat e tyre. Nga tavolinat kryesore u ngrit një djalë i gjatë me kemishë bojë qielli, gjysëm të hapur në kraharor, të nxirë nga dielli dhe nxorri një kuletë elegante me një kartë krediti dhe tha:
-Më lejoni të paguaj unë për të gjith. –Ai ishte bjond me flokët pak të gjatë dhe me balluke.
Katja preu faturën dhe e futi në bllokun e pagesës. Ndërkohë djaloshi vuri syzet e errta, se dielli po i vriste sytë. Ai morri bllokun e hapi dhe lexoi shumën e pagesës. Ai me nje shpejtësi tigri kaloi kartën mbi pajisjen elektronike dhe në bllokun prej meshine të faturës la edhe një kartvizitë.
Katja u kthye për tek banaku. Ajo hapi bllokun për të parë bakshishin, por kartvizita ishte ajo që i ngriu në sy. Lexoi gjithçka aty dhe me gishtrinjtë, që i kishte si të ngrirë e futi në xhepin e përparëses me kujdes duke u ruajtur nga syri kureshtar i ndonjë kolegeje apo kameras së sigurisë. Ajo ishte skuqur në fytyrë dhe e hutuar. Zemra po i rrihte fort. U përmend vetëm nga të qeshurat e vajzave dhe djemve që ndezën makinat, ku në njerën prej tyre pa djaloshin bjond që ngiste veturën jeshile të hapur me vajzat bjonde prapa.
Rrugës për në shtepinë e Simonit ajo e lexoi edhe njëherë kartvizitën si për të bindur veten nëse ishte e vërtetë: TI MERITON MË SHUME DOLLARE, Henry… – MIAMI BEACHE, numri i telefonit dhe adresa e-mail. Befas frenoi fort. Semafori ishte kthyer në të kuq. ……
* * *
Pas dy ditësh Katja nuk u paraqit në punë. Kaloi ora e fillimit të turnit dhe në vendin e parkimit nuk ishte vetura e bardhë e saj. Dritani i kishte dhënë leje për pushimet e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Në datën 2 janar ajo duhet të paraqitej në restorant. Vendi i parkimit ishte akoma bosh.
…Dritani shikonte nga dritarja rrugën. Ai preku telefonin dhe u bë gati ta hapte, kur befas në lokal hyri Simoni me kapele të madhe dielli. Ishte i djersitur dhe sytë e skuqur. Simoni vështroi me vemëndje gjithë sallën e madhe të restorantit, banakun ku qëndronte Katja dhe me ngadalë iu drejtua pronarit që vështronte nga dritarja. Hapat e rënduara të Simonit dhe përplasja e një karrigeje solli kryqëzimin e vështrimeve të tyre.
-Mirëmengjesi xhaxha Simon?! Mirë jeni? – foli lehtë Dritani.
=Jam i shqetesuar nuk eshte kthyer Katja! Telefonata e fundit ishte nga Miami natën e Krishtlindjeve. Ju lutem dini gjë… ka folur me ju?!
-Jo!
Ra një heshtje midis tyre. Vështrimet vazhdonin të ishin të kryqëzuara. Plaku uli kokën dhe i demoralizuar tha:
– Duhet të njoftoj policinë.
Ai u ul në karrigen e tavolinës pranë. Nga larg në sallën e madhe vinte jehona e një kënge të qetëtë njohur kantri. Në sytë e plakut rrëshqitën lot, i cili u përpoq që të mos ja shihte njeri. Ai nxorri telefonin e tij dhe i tregoi Dritanit një foto të krishtlindjeve, ku Katja ishte e veshur me rroba të kuqe dhe në kokë mbante kapuçin e kuq me bishtin që përfundonte me një topth. Ishte e qeshur dhe e lumtur në shoqërinë e një grupi njerzish, ku shumica dallohej se ishin vajza bionde dhe djem të bardhë.
-Kjo është foto që ma dërgoj natën e Krishtlindjeve, – tha me zë të mekur gati për të qarë plaku.
* * *
Kaluan disa ditë. Në bar- restorant u paraqit dy herë policia, ku u bënë mjaft pyetje, fotografi dhe inspektime të hollësishme në detaje të imta. Në shtepinë e Simonit policia bëri të njëjtën gjë. Vetura e saj e bardhë nuk dukej ende gjëkundi dhe telefoni i padisponueshëm. Një ambulancë u shfaq në oborrin e shtëpisë së Simonit dy ditë pasi policia ishte larguar. Plaku u shtrua me urgjencë në spital….
* * *
Bar-restoranti pranë kryqëzimit të autostradës që shkonte për në Miami ishte në heshtje të plotë. Po bëhej pastrimi i fundit për të qenë i gatshëm për ditën e nesërme. Ora 12:00 u mbyll. Gjithçka ishte e qetë. Pas disa orësh heshtjen e natës e theu një zhurmë motorri kamioçine, e cila u fut me rrëmbim pranë parkimit të restorantit. Nga aty u shfaq një siluetë njeriu veshur me mushama e kapuç të zi, që ngadalë dhe hap të çrregulltiu afrua lokalit dhe tek pragu i derës u përkul duke rënë pa ndjenja. Kamionçina u largua me nxitim.
Hëna e asaj nate ndriçonte fort dhe pas kapuçit të mushamasë u dallua qartë fytyra e bardhë dhe e bukur e Katjas me flokët e zinj që kishin prekur pragun e hyrjes së bar-restorantit…….
Naples, Florida, 21 shkurt 2023.