Mbresa nga libri i Koço Moskos “Udhëtim në shpirtin lunxhiot”
Zija Basha
Një analizë shumë të bukur për këtë libër të Koço Moskos e bëri gazetari, shkrimtari e publicisti, pandelisotirasi i pedagogjikes së Gjirokastrës, Avdulla Kënaçi, por unë për miqtë e mi do të shkruaj për pjesën e parë të këtij libri “Historia dhe veprimtaria patriotike e vëllezërve rilindas Sotiri”. Do të shkruaj se më emocionoi shumë jeta e vepra e tyre dhe më ka dhembur tërë jetën thellë në shpirt se vepra e jeta e tyre në shërbim të arsimit shqip u mbyll me kurorën me gjemba prej tiranisë osmane e shteti shqiptar nuk i vuri siç e meritojnë në piedestal.
Ky liber i Koço Moskos në çdo fjalë e rresht më emocionoi, më ledhatoi shpirtin e më forcoi bindjen se shpirti shqiptar, human e atdhetar rron edhe në këto kohë të errëta që po kalon shoqëria shqiptare e kombi ynë.
Autori thotë se librin ua dedikon bijave të tij të dashura Oltianës e Arditës, por libri u bën nder edhe Lunxhërisë e lunxhiotëve edhe Shqipërisë e tërë shqiptarëve kudo ku janë. Që nga kreu e gjer në fund të librit rreh zemra e një shqiptari e atdhetari të përmalluar për mëmëdhenë, historiani e shkencëtari që të rrëmben e të fut nëpër rrjedhat e historisë, gjuhësisë shqiptare, traditave më të mira kombëtare etnokulturore, florën e faunën e një prej krahinave më të mira shqiptare, Lunxhërisë plot lezete. Ne që e kundrojmë çdo mëngjez malin e Lunxhërisë e krahinën që shtrihet nën këmbët e tij e quajmë malin më të bukur të botës. Po njerëzit që e banojnë atë krahinë, lunxhiotët? Ne i quajmë shqiptarë të kulluar me të gjitha virtytet njerëzore shqiptare që shquhen. Në studimet antropologjike që u bënë më 1972 që mori shkas nga shkatërrimi fatal i varrezës mbi 2000 vjeçare në kishën e vjetër të Shën Todhrit në Gjat të Lunxhërisë rezultoi se lunxhioti e lunxhiotja janë popull në vazhdim iliro-mollos që ruajnë karakteristikat e tyre deri në ditët tona. Prandaj lunxhioti e do vendlindjen, krahinën, atdheun, gjuhën e traditën si shpirtin e tij të lirë lunxhiot.Të tillë atdhetarë e trima qenë edhe bijtë e kësaj krahine Koto e Pandeli Sotiri. Ishin dy vëllezër nga Selcka ku u lindën, por që u bënë dy yje vezullues për arsimin shqip duke sjellë dritën e diturisë në mëmëdhe trimërisht në mes të rreziqeve. Në këtë pjesë të librit më shumë dashuri jep të dhëna interesante për jetën e veprën e tyre, fqinji i tyre pranë shtëpisë ku lindën e u rritën në atë Selckën e bukur rrëzë malit Koço Mosko. Ai tregon të vërteta që të emocionojnë si dy djem jetimë të një familjeje fisnike, jetën e tyre të ndritur në shërbim të kombit deri në vdekjen e shkaktuar nga shteti tiranik osman. Historia është shkencë se lë gjurmë materiale në memorjen e njerëzve, në dokumenta të shkruara apo të vjela në kohë nga dëshmitarë të vërtetë, larg falsifikimeve siç këshillon babai i historisë, Herodoti. Autori Koço Mosko ka punuar me përkushtim human e atdhetar për shumë kohë e dokumenton deri në shterim të të dhënave të sakta me shkresa e memorje të besueshme autorësh për veprën e mrekullueshme të vëllezërve Sotiri me të gjithë rilindasit në Stamboll si vëllezërit Frashëri e të tjerë në organizimin e shoqatave atdhetare. Të prekin këto rreshta “Pandeli e Koto Sotiri u rritën e u edukuan në një mjedis patriotik të zjarrtë, gjithmonë në luftë e përpjekje për shkollën e arsimin shqip. Mërguan në moshë të njomë në Stamboll me kokën mbrapa, duke mbartur me vete hallet e vendlindjes, hallet e dertet e Shqipërisë”. Në Stamboll, duke u rritur më tej në një mjedis patriotik e familjar shqiptar ata ecën përpara në rrugën e shqiptarizmës, duke mbaruar në atë qytet të zhurmshëm shkollën e vetme më të mirë për kohën “Gallatasaraj High scooll”. Një fat i mrekullueshëm për të dy vëllezërit .Por xhaxhai i tyre i mirë Thimjo Sotiri nuk u ndal me kaq për shkollimin e nipërve. I shkolloi më lart në Universitetin e Vjenës nga ku Kotua doli jurist e Pandeliu mjek. Veçse të dy vëllezërit ishin po ata, por më diturakë e atdhetare zemërzjarrtë.
Arsimimi i tyre në Vjenë e vënia e tyre në shërbim të mëmëdheut në atë kohë të errët obskurantiste ku ndodhej Shqipëria të vë në mendime të thella që ta përjetosh e të vlerësosh këta të dy vëllezër titanë që i vunë supin njeri-tjetrit për t’u bërë pishtarë të arsimit kombëtar duke shpërfillur interesin e tyre material, shembull i shkelqyer i atdhetarizmit. Ata u betuan përpara altarit të Atdheut e këtë e vërtetoi jeta e tyre për përhapjen e shkronjave shqipe se për ta nuk kishte tjetër kuptim jeta e tyre e re se sa: “Mjafton të rrojë Shqipëria se si ajo s’ka tjetër, se për ata s’ka mëmë tjetër që të pjellë një të dytë si ajo”. Ata mendonin se përpjekjet e tyre me penë ishte vazhdimi i lavdishëm i përpjekjes së ndritur të të parëve të tyre, prandaj Pandeliu i thotë me ledhatim e përkëdheli nxënëses së tij filloriste Polikseni Luarasit, mësuese e ardhshme që ndriti në arsim: “Jemi të dy nga një vend, nga Gjirokastra me vulë”, ku duket jehona e këngës së Shemo Kaso gjirokastritit. Këta bij të ndritur të kombit ndiejnë thellë jehonën e jetës së lavdishme të të parëve sepse të vdekurit e mëdhenj të altarit të mëmëdheut janë udhëheqësit e përhershëm të brezave që vijnë e ata ua ndriçojnë rrugën. Në këtë libër, që jam fatlum që e kam në dorë ndjen lexuesi se këta atdhetarë të mëdhenj mendjendritur e shpirtbardhë duken të shenjtë se kryen një vepër shpirti në rrethana të vështira e nuk shkuan kundër shpirtit që i thërriste çdo çast, por ishin qëndrestarë të patrembur. Koçua i vendos natyrshëm në vendin e vet të qëmtuara me kujdes dokumentat e shkruara të kohës, memorjet e vjela nga autorë shkrimesh, dëshmitarë që i kanë përjetuar përpjekjet e vëllezërve Sotiri për arsimin e shkronjat shqipe, hapjen e shkollave të para në Korçë e Pogradec, duke sqaruar në mënyrë të saktë se e Korçës u hap në 9 shkurt 1886 me drejtor Pandeli Sotirin dhe e Pogradecit më 14 mars 1887 me drejtor Koto Sotirin, pra një vit më vonë. Dokumentimi i punës intensive atdhetare të Pandeli Sotirit në Stamboll për alfabetin shqip, botimin shqip të librave e gazetave, artikujve të tij në nivele të larta diturie e shkence e bëjnë librin e autorit Koço Mosko Selcka që ta përpish në çdo fjalë e rresht me kërshëri të madhe sepse shikon jetën në lëvizje të një njeriu, bir të shqipes, që përpiqej t’i bënte punët një për një me radhën e vet për të parë shqiptarët sa më shpejt e pa humbur kohë dritën e diturisë. Për shqiptarët aso kohe Pandeli Sotiri qe një diamant i rrallë vezullues midis vëllezërve rilindas që e donin dhe e adhuronin për dituritë, punët e mira në shërbim të atdheut ku shfaqte dashurinë e pakufishme për të në çdo fjalë që thoshte në ato kohë me vështirësitë e jashtëzakonshme që i krijonte tirania osmane e ballabanët shqiptarë në oborrin perandorak e kudo ku vepronin. Po Pandeliu e Kotua nuk jetonin vetëm mes gjarpërinjsh në atë mision të shenjtë. Këta misionarë të paepur jetonin edhe midis miqsh e shokësh shqiptarë rilindas që i donin me shpirt e vëllezërisht. Në një vjershë kushtuar Koto Sotirit, miku i tij Stefan Thodhoraqi nga Leskoviku i shkruan:
“Ndë botë, rrojnë vetëm cmira, vrasjet e presja,
Dhe këmishën e së vërtetës na e ka veshur gënjeshtra,
Mirësia dhe e vërteta të mos duken asgjëkund,
Gjithmonë na gjykon djalli dhe botën e tund”.
Shpirtërisht ne pandelisotirasit e pedagogjikes së Gjirokastrës kurrë nuk e kemi besuar se Pandeli Sotirin e vrau gruaja me ndihmën e grekomanëve të Fanarit, por autori Koço Mosko me argumenta hedh poshtë intrigën e stisur për vdekjen e tij. Gruaja e Pandeliut nuk qe greke, por ortodokse kosovare nga Prizreni. Ajo nuk mund ta ngrinte peshë burrin e saj e ta hidhte nga dritarja se ai qe diturak e i rëndë si lis Lunxhërie e s’e ngrinte dot. Atje qenë edhe familjarët e tij, por ai rrëshqiti nga dritarja për t’u shpëtuar xhandarëve që i mësynë shtëpinë në befasi. Ka shumë tregime që gratë gjatë historisë që nga lashtësia kanë helmuar e vrarë princër, mbretër a perandorë, por kjo për Pandelinë tonë nuk qëndron dhe argumentohet qartë. Vetë rilindasi Ismail Qemali, këshilltari kryesor i sulltan Hamidit të dytë vizitoi shtëpinë e tij, hetoi çështjen me urdhër të sulltanit që i kishte dhënë me dorën e tij dy lejet për të dy shkollat Pandeliut e Pandeliu i kish dhuruar atij një abetare shqip përgatitur enkas për të. Pavarësisht intrigave e thashethemeve që u thurret për ngjarjen nga tirania turke e gjakprishurit e cmirëzinjtë shqiptarë, rilindasit e shqiptarët atdhetarë e nderuan me veneracion atë fatos të kombit në funeralin e tij.
Koço Mosko Selcka nuk tregon për këta martirë të arsimit shqip, vëllezër e luftëtarë të pandarë, por u këndon me një melodi që herë ngjan me këngët e zogjëve në degët e lisave të Lunxhërisë në pranverë, herë me fëshfërimën e pemëve lunxhiotë nga era e rrebeshi dimëror, herë-herë me melodinë e vajeve të nënave lunxhiote se ashtu qe jeta e tyre, jetë guximtarësh atdhetare që i nxori Selcka e Lunxhërisë. Po i mbyll këto rradhë me fjalët vlerësuese të tre dishepujve të tyre të thëna në fillim të viteve 60-të të shekullit që lamë pas:
- Thoma Papapano,”Mësues i Popullit: “O djem e vashëza, mësues të rinj! O pandelisotiras! Kujtoni përherë Pandeli e Koto Sotirin! Kujtoni Koto Hoxhin që kur e vizitoi në burgun e Jedi Kulës në të 4 budrumet “Mësuesja e Popullit” Sevasti Qiriazi kishte humbur të parët! Përse? “Për arsimin shqip, “Korrik 1964.
- Drejtori historik i shkollës pedagogjike “Pandeli Sotiri”, Tomor Tushe: “Mësuesi rilindas Pandeli Sotiri nga Selcka e Gjirokastrës, drejtori i shkollës së parë shqipe që u hap 73 vjet më parë në Korçë u martirizua nga turqit për alfabetin shqip. Që nga sot shkolla jonë e re do të quhet “Shkolla e mesme pedagogjike “Pandeli Sotiri”, Gjirokastër. Ta ngremë lartë emrin e atij mësuesi të paharruar! Tetor 1959.
- Vasil Kamani, drejtor i shkollës Normale të Elbasanit “Mësues i Popullit” para mësuesve e nxënësve të shkollës pedagogjike “Pandeli Sotiri” tha: “Dielli që flakëron në jugun e Shqipërisë për ndriçimin e arsimit e kulturës kombëtare është shkolla juaj “Pandeli Sotiri”. Ju lumtë. Nuk jam Çezari, por do them fjalët e tij: “Erdha, pashë, fitova”! Maj 1963.