Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Sazan Goliku

DUKE PARË NJË FOTO PAS TËRMETIT NË TURQI
Një piramidë gërmadhash
e ngritur nga korrupsioni pa ngjyrë.
Aty pranë i paprekur –
një pallat i ndërtuar nga ndershmëria.
Pas tyre – një minare e gjatë e gjatë
(sa prekte qiellin) e ruajtur nga Zoti.
Pse Zoti i mori me vete shpirtrat e mijra njerëzve?
7. 2. 2023.
INVERS
Po vërejmë të ngazëllyer se si
ritmi i ndryshimeve po përshpejtohet
nga dita në ditë çmëndurisht.
Po njeriu, është po ai?
Veshjet i ka ndryshuar sipas modës
deri sa të mbetet lakuriq.
MARR FRYMË
Sa shpejt vrapon koha në pleqëri!
Sa mbyll e hap sytë, me fshi djersën e verës,
të qesh në fytyrë dimri.
Sa shumë më hahet edhe pse nuk bëjë asgjë.
Më duket sikur dje i preva thonjtë e duarve
(se të këmbëve m’i pret gruaja).
Jam varur në një degë të tharë ahu
dhe mbahem fort e ankthshëm
dhe pse e di që herëdokur kjo degë do të thyhet
dhe për habi, jam i kënaqur që marr frymë.
21. 12. 2202.
PARA APOKALIPSIT
O ti njeri që nuk je Njeri
po një gisht i zi mbi butonin e bërthamores,
mos je vetë djalli apo shërbëtori pa tru i djallit?
Mos je gota e helmit
që të shndërrojë në përbindësh pa formë?
Mos je vrima e zezë që lë pas vetëm një pasqyrë?
O diell i shpresës, vetëm ti je dritë e njerëzimit!
3. 11. 2022.
Please follow and like us: