Albspirit

Media/News/Publishing

Poetja shqiptare Irma Kurti botohet në Kili dhe në Serbi

 

  • Librat e autores shqiptare janë botuar në 12 vende të botës

 

 

 

 

Poetja dhe shkrimtarja Irma Kurti boton në Kili përmbledhjen e saj me poezi në gjuhën spanjolle dhe angleze titulluar: “Tu imagen entre mis dedos” (Imazhi yt në gishtat e mi). Libri mban logon e “Independetly poetry” dhe përmbledh poezi të shkëputuara nga vëllimet e saj të mëparshme. Përkthyes i poezive nga anglishtja në spanjisht është Javier Prieto.

Në dy revista të rëndësishme në gjuhën spanjolle shkruhet për botimin e këtij libri: “Crear En Salamanca” (Mbi misteret e krijimit letrar) dhe Cine Y Literatura” (Kinemaja dhe letërsia). Në këtë të fundit që merret me shkrime kritike për letërsinë në Amerikën e Jugut është botuar një recension prej të cilit shkëpusim një fragment: “Shpirti poetik i Irma Kurtit është plot me dritë, si kur qan ashtu dhe kur buzëqesh, një shpirt poetik i madh dhe i bukur si një det që buzëqesh me dallgët e tij, duke ngjyrosur me mijëra nuanca panoramën e emocioneve dhe reflektimeve të saj, për të na mahnitur pastaj me bukurinë e vet. Bëhet fjalë për përmbledhjen e saj të re poetike, me titull: ‘Tu imagen entre mis dedos’, poezi të shkruara fillimisht në gjuhën italiane, por këtë herë të përkthyera në spanjisht dhe anglisht. Në mënyrë spontane lind pyetja: A është e mundur të shkruash dhe të poetizosh në një gjuhë tjetër nga ajo më e afërta, më e natyrshmja, më e sigurta, pra gjuha amtare? Irma Kurti, poete dhe shkrimtare italo-shqiptare, e vërteton këtë më së miri me vëllimin e saj të ri poetik. Dhe pastaj shkon një hap më tej, sepse me poezitë e saj të bukura dhe të sinqerta që shkojnë drejtpërdrejt në zemër të lexuesit, ajo i përgjigjet edhe pyetjes nëse është e mundur të krijosh e të shkruash poezi në një gjuhë të ndryshme nga gjuha amtare. Një argument delikat siç është edhe vetë përpjekja poetike, por e suksesshme në rastin e Kurtit. Poezia e saj është e pastër, e thjeshtë dhe e bukur në sinqeritetin e saj, aq bindëse, sa që prek menjëherë telat e zemrës me një lloj ‘naiviteti’, pikërisht atë që zotërojnë vetëm fëmijët dhe poetët”.

 

 

 

 

 

 

 

“Imazhi yt në gishtat e mi” përkthehet dhe botohet në gjuhën serbe

 

 “Imazhi yt në gishtat e mi” pas përkthimit dhe botimit në gjuhën spanjolle në Kili botohet edhe në Serbi. Poezitë janë përkthyer nga poetja dhe përkthyesja Vesna Andrejevic. Imazhi i kopertinës nga fotografi italian Biagio Fortini.

Botimi i librit në gjuhën serbe bëhet nën kujdesin e Shoqatës Kombëtare të Shkrimtarëve “Branko Miljković ” të qytetit të Nishit në Serbi, e cila për më shumë se 35 vjet  promovon poezinë kombëtare dhe ndërkombëtare, organizon aktivitete të ndryshme kulturore apo konkurse dedikuar poezisë dhe boton libra të autorëve vendas dhe internacionalë.

Shoqata mban emrin e  Branko Miljković , njërit prej poetëve më të shquar serbë dhe në homazh të kësaj figure organizon çdo vit Manifestimin poetik “Midis dy botëve”. Në datën 12 shkurt, në njëzet vjetorin e veprimtarisë “Takimet ndërkombëtare të poetëve”, u organizua një manifestim poetik në entin zyrtar të shkrimtarëve serbë. Krahas promovimit të Antologjisë “Midis dy botëve” në praninë e përkthyeses Vesna Andrejevic u prezantua gjithashtu botimi i ri i poetes Irma Kurti në gjuhën serbe “Imazhi yt në gishtat e mi”.

Librat e Irma Kurtit, përveçse në Shqipëri, janë botuar gjithashtu edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Francë, Itali, Rumani, Turqi, Kosovë, Filipine, Kamerun, Indi dhe Kili.

Irma Kurti ka botuar 26 libra në gjuhën shqipe, 20 në italisht, 11 në anglisht dhe 2 në frëngjisht. Ka përkthyer 13 libra të autorëve të ndryshëm, si dhe të gjitha veprat e saj në italisht dhe anglisht.

 

 

 

Please follow and like us: