Blerina Shalari: Diktatura e re, hegjemonizmi i artit shqiptar
Trandja e vlerave të arritura me mund në artin shqiptar, tronditja e thellë që i shkakton pseudo-artisti artistit të vërtetë, me daljen e tij, me kthimin e artit në mall si të gjithë mallrat, e ka bërë këtë artin tonë si të vjetëruar, si të dalë boje, si të lodhur nga një tranzicion i tejskajshëm që na ka kapur për fyti e nuk na shqitet. Mungon një politikë e mirëfilltë për artin, mungon nderimi i merituar sipas hierarkisë për artistin, mungon gradimi i tij sipas meritës, mungon në thelb meritokracia. Nëpër institucionet artistike gëlon miqësia në bazë interesi, gëlon tutela e frikshme e artistëve të traditës, të cilët nuk lëshojnë as pe as rrugë për të rinjtë, ose ca më pak, për ata pas tyre, dhe kështu skena noton në ujëra emrash të dikurshëm, që kanë të gjithë të drejtën të shkëlqejnë, por që nuk kanë pse të verbohen nga shkëlqimet e reja. Se edhe yjet në galaktikë, vdesin që t’iu lënë vend të tjerëve, mbase më të shndritshëm se ata. është i frikshëm karshillëku i artistit ndaj artistit, i kolegut ndaj kolegut, dhe kështu, dëmi shproporcionohet duke e parcelizuar artin shqiptar në tanët, dhe të atyre. O zot, ç’ngjet në prapakuinta… Aty në fakt është skena e vërtetë e smirës, xhelozisë, intrigës së hapur dhe të fshehur. Dikush nuk duron dot suksesin e tjetrit, madje bën ç’mos që nënrrogozi t’i bëhet mur atij të shkretit, faji i të cilit është se ka talent. Jo, as që duhet të kesh talent, sepse ndryshe jo se duhet të ecësh, se ka të tjerë para teje, që kanë bërë me dekada punën e si ata s’ka të tjerë. Jo se artisti s’duhet të ketë ego, por egoja e tij duhet të qëndrojë më parë në vehten e tij, të kërkojë prej saj dhe prej veprës që krijon, ta shtrydhë emocionin, punën, të gjakoset nga puna, dhe pastaj të mendojë për të dalë në skenë. Asesi nuk mund të përligjet çmenduria fatkeqe se: Pse ç’ka ai më shumë se unë? Artistë me goxha emër janë futur në ca programe televizive bosh, sepse si duket ju ka humbur ylli, ju ka rënë në pus dhe s’e nxjerrin dot me duart e punës. Kanë një si delir të shplarë që: O të përmenden ata, o s’ka. Pranojnë lloj lloj skenaresh nga njerëz që s’jua kanë idenë, pranojnë të këndojnë këngë kot, boll që të përmenden, të fitojnë diçka dhe kaq, u harrua çdo gjë. Ku është aureola jote i dashur artist? Ti që ke talent: Pse se ruan koracën tënde, se ti nuk mund të përzihesh me lloj lloj gjellësh që të shtrojnë përpara, se ndryshe helmohesh, dhe rrezikon të vdesësh. Artisti i vërtetë duhet të sjellë modelin e tij në shoqëri, të jetë solidar, të mos jetë indiferent ndaj së keqes, t’ë dojë kolegun si vehten, pse jo të gëzohet për suksesin e tij, të marrë me vehte studentin, apo edhe fëmijën që priret të ketë të ardhme, dhe të lejojë dhe ta pranojë konkurencën e ndershme. Këtu artistët kanë frikë nga audicioni. Bisedat i bëjnë nën zë, projektet i miratojnë nën zë, dhe boshllëku sa vjen e zgjerohet si një vrimë e zezë në kozmosin artistik shqiptar. Duhet të gjesh çelësin, më tha një kompozitor, pastaj të mund të bëhesh pjesë e festivalit. As kam për ta gjetur, i thashë, se shpresoj t’iu trokasë vetë muzika ime në derë. Ai u rrudh në fytyrë dhe iku. Sindromi i Dorian Greit, që e deshi vehten një bukurosh thjeshtë kozmetik më erdhi ndërmend, por e kam ruajtur vehten qysh se mëtoj modestisht në art. Shplarja e trurit ka kohë që vazhdon tek ne, por po ndodh diçka edhe më tragjike, shplarja e figurës së artistit. Ai po e humb shkëlqimin që i takon pasi shtyhet në vorbullën e përgjithshme. Artisti shqiptar mbetet peng i jurive të mbushura me profesionistë por që gjykojnë në bazë tarafi. S’e kanë problem të lënë edhe emrin për t’i bërë qejfin dikujt që se ku ju ka bërë një nder diku, dhe tani erdhi koha t’jua shpërblejnë. Të qenurit artist, është një nder dhe privilegj që ta fal zoti, dhe ti duhet të bësh ç’mos që ta çmosh, më së paku, dhe pastaj të punosh për ta mbajtur. Njoh plot artistë, që punojnë nën petkun e artë të thjeshtësisë, të përulur pas punës, të qetë, të duruar, që askush s’i vlerëson, askush s’shkruan për ta, askush s’flet për ta, megjithatë ata e nderojnë kombin e tyre. Ata s’kërkojnë as dekorata, as para, as gjë, vetëm kërkojnë të jenë artistë, të cilët duan vetëm respekt për artin që bëjnë, dhe ka shumë në Shqipëri që e bëjnë kështu. Së fundi, në koshiencën time artistike, kam kultivuar ndjenjën e përgjegjësisë së thellë për artin dhe artistin shqiptar. Dua të flas për të, të ndjell dashurinë për të, të bëhem, pse jo, rojtare e veprës së artistit të vërtetë dhe të nëpërkëmbur shqiptar. E kam një shembull por për këtë do të flas së shpejti, vetëm desha të them se për artistin e vërtetë duhet folur, duhet shkruar, duhet bërtitur, se prej tij ke vetëm art dhe mirësi arti. Harresa ndaj artistit të vërtetë është goditje për të, është një vdekje e ngadaltë, të cilën nuk duhet ta lejojmë në asnjë mënyrë. Artisti i vërtetë shqiptar duhet mbrojtur me çdo kusht, sepse ai ka në zemër vetëm artin, ai nuk kursehet për ta dhënë atë art, ai nuk kursen as lotin, as gjumin, as vuajtjen shpirtërore, asgjë, ndaj indiferenca ndaj tij duhet të largohet patjetër. Të ecurit e artit shqiptar sipas diktatit hegjemoniak nuk bën gjë tjetër vetëm se e le në vend këtë hapësirë më tepër shpirtërore. Të qarkulluarit e elitave, të ideve, të opinioneve, të debateve, të mendimit kritik e shëron artin nga këto sëmundje malinje që po e shkatërrojnë dita ditës. Kam shpresë se demokracia do të vijë edhe për artin shqiptar, por kjo do të ndodhë pak vonë. Do të ndodhë kur artisti mediokër të bindet më në fund se s’ka ç’i bën talentit. është një zgjidhje e pamëshirë që arti e ka vënë në shekuj. Kush kujtohet më tepër: Një muzikant oborri si Salieri, që u përmend për shkak të Moxartit? Apo vetë Moxarti që u bë kompozitor i përbotshëm? Kështu, Salierët duhet t’jua lenë vendin Moxartëve të rinj, por kjo është siç e thotë Lasgushi: Të skalisësh lulen e vullnetit. Ndërsa përfundoj këto rreshta, mu kujtua një shprehje e Antonio Gramshit:
…”Jam pesimist, se jam inteligjent,
jam optimist se jam i vullnetshëm”. Shpresoj, me pak ajër mirësie t’i kem dhënë kurajo artistëve tanë të vërtetë e të mrekullueshëm. Më në fund kam kuptuar se: Vetëm artisti, mund ta mbrojë artistin nga furtunat e jashtme. Pikërisht këtë, e kam si një nga motot e jetës sime, që me sa duket më është frymëzuar prej krijuesit!
Please follow and like us: