Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Xhoi Jakaj: Shënime pas një videoje tronditëse mes adoleshentëve

Pas një video që më zuri syri në një rrjet social, nga dhuna mes disa adoleshentëve 13-14 vjeç u nxita të bëj këtë shkrim. Edhe si autore e dy librave të mi në treg: “Adoleshenca në filtrin e dashurisë” dhe “Paraadoleshenca, sfidat e prindërimit”.

Dhunë apo Bullizëm!

Bullizmi edhe dhuna ngjajnë shumë e janë të përhapura tej normave të lejuara shoqërore vitet e fundit, kryesisht edhe më tepër me zhvillimin e vrullshëm të rrjeteve sociale, Istagram dhe Tik-tok.

Lind pyetja: Si shamanget kjo dukuri…a ka zgjidhje? Apo vetëm receta… të cilat gati thuajse janë jashtë mode në kohërat që jetojmë.

Kujdesi numër 1 fillon në familje, aty është baza ku ti bëhesh një ditë njeri i qetë apo agresiv.

Kujdesi numër 2 fillon në kopësht, shtrihet në shkollat fillore, ato 9-vjeçare dhe të mesme me një program të detajuar ose projekt nga shoqatat dhe shteti me një grup profesionistësh, sepse parandalimi është më i lehtë se shërimi.

Çfarë është dhuna?

Dhuna është është një formë ekstreme agresioni dhe përdorimi i forcës fizike për të lënduar, abuzuar, dëmtuar ose shkatërruar, një person ose disa njëherësh nëpërmjet njē sulmi, vrasje, rrahje, etj, ndodh kudo në familje, mes të rriturish, mes burrit e gruas,  tek fëmijët, të rinjtë, të moshuarit, si dhe forma më e re e përhapur pafund, është dhuna e me ndihmën e teknologjisë!

Çfarë është Bullzmi dhe ku ndryshon ajo nga dhuna?

Bullizmi është një dëshirë për të dëmtuar tjetrin, dëshirë që dëmton, veprim që lëndon, një disbalancë në forcë, përdorim i padrejtë i egos dhe një kënaqësi e dukshme e agresorit si një ndjenjë e përgjithshme e të qënit mbizotërues ndaj viktimës…

“Bullying” i shqipëruar do të thotë “kërcënim” dhe tregon dukurinë e sjelljeve të përsëritura, agresive, të dhunshme me karakter psikologjik, fizik që iu bëhet personave të pambrojtur, qoftë fëmijëve, adoleshentëve, por nuk përjashtohen as të rriturit që bullohen ose i bullojnë të tjerët, si për shembull një individ ose grup individësh më të mëdhenj të cilët kërkojnë të diskriminojnë, keqtrajtojnë, abuzojnë, me nofka të ndryshme: kokëtul, hundëderr, veshëllapush, majmun, lopë, jevg, i shëndoshë, i mefshtë, pa tru, i pa zhvilluar, gay, daun, etj, etj, etj, Nofka që të shoqërojnë gjithë jetën tënde ndonjëherë!

Këta individë agresivë kryejnë bullizëm ndaj “viktimave” të tyre duke shfrytëzuar moshën më të vogël, pamjen e jashtme, statusin social, përkatësitë racore ose kombësinë fetare.

Bullizmi shfaqet në forma të ndryshme:

  1. Bullizmi fizik prek paraqitjen e jashtme.
  2. Bullizmi psikologjik verbal me anë të fyerjes, nofkave, thashethemeve dashakeqe, shpifjeve…
  3. Bullizmi, mënjanim nga grupi shoqëror në shkollë ose në festa që organizon klasa.
  4. Bullizmi seksual, që është verbal me anë të fjalëve fyese, provokuese, por edhe fizik në ngacmime seksuale…
  5. Bullizmi virtual me anë të rrjeteve sociale, dmth keqpërdorimi i tyre për të dëmtuar ‘viktimën’ me postimin e fakteve apo thjesht shpifjeve publikisht…
  6. Bullizmi racial nëpërmjet fyerjes dhe dhunës…
  7. Bullizmi fetar duke diskriminuar dhe fyer fenë ku nxënësi ose prindërit e tij besojnë.

Si e dallojmë fëmijën ose adoleshentin që është nën presionin e dhunës bullizuese?

  1. Adoleshenti ose fëmija nuk pëlqen më shkollën ose kurset në të cilat ishte më parë.
  2. Nëse adoleshenti i fiksuar pas Instagramit apo Facebook ka llogari dhe papritur tenton t’i mbyllë ato nga frika.
  3. Fëmija ose adoleshenti nis të ketë shumë dhimbje koke, barku apo stomaku; këto janë janë shenja ankthi që kthehet në makth.
  4. Fëmija ose adoleshenti grindet dhe nuk flet me miqtë e atij/asaj.
  5. Djali ose vajza në adoleshencë nuk do të shkojë më në sport ose në stërvitje.
  6. Atij ose asaj nuk i pëlqen më vetja.
  7. Fëmija ose adoleshenti fillon të ushtrojë vetë bullizëm ndaj një më të dobëti.
  8. Ka rënie në mësim dhe shtim në peshë nga ankthi.
  9. Pagjumësi dhe mungese interesi per jetën si edhe çdo aktivitet i realizuar më parë.
  10. Ka raste kur tentojne edhe vetëvrasje!

Bullizmi dëmton shëndetin mendor dhe fizik, ai edhe vret fëmijë apo të rritur që gjenden mes nje stuhie apo dhune të pafajshme nëse nuk i mbrojmë!

Këshilla ime fare modeste është, edhe nëse ke 1001 punë e vështirësi leri menjanë, kalo kohë më tepër me fëmijët tuaj në moshën e adoleshencës, jepi mundësi të flasë, ta nxjerrë brengën që e mundon, ndryshe dhimbja kthehet në problem dhe e kanë të gati të pamundur mbijetesën në mjedisin ku ata mësojnë apo jetojnë!

Please follow and like us: