Albspirit

Media/News/Publishing

Andreas Dushi fiton çmimin letrar “Atë Zef Pllumi” me romanin “Në besë të tatuazhit tënd”

Më 24 shkurt 2023 u zhvillua në Lezhë ndarja e çmimeve “Atë Zef Pllumi”. Tradita e filluar vite më parë në bashkinë Shëngjin, ndërprerë për disa vjet që të rikthehej sërish më 2019, këtë vit njohu risitë e çmimeve honorifike, si ai i karrierës dhe ai i nderit. Këtë e vuri në dukje kryetarja e jurisë, Fturua Açka e cila, bashkë me dy profesorët e letërsisë, Arbën Prendi dhe Tonin Çobani lexoi verdiktet e jurisë. Për Çmimin e parë – prozë, konkurentët ishin të shumtë, mes të cilëve Tom Kuka (Enkel Demi), Odise Kote, Darien Levani, Ilirian Dahri, Ervin Nezha etj., me romanet e botuara vitin e kaluar. Juria kishte përzgjedhur “Në besë të tatuazhit tënd” të autorit Andreas Dushin si fitues të këtij çmimi. Motivacioni: Për zhdërvjelltësinë dhe natyrshmërinë e rrëfimit; ligjërimin e pasur artistik; ndërtimin kompozocional si dhe kurajon e një shkrimtari të ri për të reflektuar e shprehur artistikisht problematikat e qenies njerëzore në tërësi dhe të asaj shqiptare në veçanti. Gjatë fjalës së mbajtur pasi pranoi çmimin, Dushi tha se ndihej i vlerësuar, pasi kishte frikë mos gazetaria dhe puna e përditshme në Bibliotekën Kombëtare do ja vensinin sado pak profilin e shkrimtarit dhe do ta largonin nga letërsia, por ky çmim vërtetoi se kjo s’kishte ndodhur. Çmimi letrar në publicistikë iu dha Eleni Laperit për librin “Kolë Idromeno, themeluesi i artit shqiptar”. Në fjalën përshëndetëse, ajo shprehu emocionet për vlerësimin dhe rëndësinë që ky çmim kishte për të. Çmimi letrar në memuaristikë iu dha Xhahid Bushatit për librin “Fredi…” Bushati u tha të pranishëmve që ky libër i kushtohej poetit Frederik Rreshpja dhe kujtoi atë çka e nxiti për ta shkurar. Në mbyllje, të pranishmit patën mundësi të merrnin autografe dhe t’i uronin fituesit, duke mbyllur siparin e këtij viti për të pritur aktivitete të ngjashme në vitet e ardhshme…

Please follow and like us: