La Tribuna, 1915/Ku ndodhet Isa Boletini? — Intervista ekskluzive me djalin e tij, Ademin
Nga Aurenc Bebja*, Francë – 25 Shkurt 2023
“La Tribuna” ka botuar, të mërkurën e 24 nëntorit 1915, në faqen n°5, intervistën ekskluzive asokohe me djalin e Isa Boletinit, Ademin, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Intervista jonë me djalin e Isa Boletinit
Burimi : La Tribuna, e mërkurë, 24 nëntor 1915, f.5
Para së gjithash, më duhet të protestoj kundër publikimit në gazeta të disa klisheve që paraqesin babanë tim plak të rraskapitur dhe të veshur si një turk nga Azia e Vogël — më thotë i riu Adem Boletini, djali i luftëtarit trim shqiptar, një oficer i pashëm njëzet vjeçar me flokë të zeza në ushtrinë tonë, siç shkruante dje “Tribuna”, dhe tashmë i dërguar që kur la shkollën ushtarake të Modenës, në qytetin simpatik të…
Babai im Isai është vetëm 50 vjeç, ai është shtatlartë, energjik, i drejtë.
— A keni dëgjuar për vdekjen e tij?
— Jo. Megjithatë, edhe pse tani jam mësuar të lexoj komunikimin e zi në gazetat e të gjitha kombeve, të paktën dy herë në vit, duke formuar kështu një lloj armature kundër skepticizmit më të ashpër, tani jam shumë i frikësuar, sepse meqë babai im nuk është në luftë me askënd, nuk mund të shpjegoj pse një komb që nuk është në luftë kundër tij duhet të përhapë lajmin e vdekjeve. Është e vërtetë që tani në Vjenë i gjuajnë me gurë, në të gjitha mënyrat, por…
— A është me të vërtetë në Cetinje, Isa Boletini?
Pas marrjes së Shkodrës, ai pranoi ftesën e qeverisë malazeze për të shkuar të vendoset në kryeqytetin e vogël, së bashku me dy vëllezërit e mi të tjerë. Dy vëllezër të tjerë dhe dy motra janë me nënën time Qamile në Mitrovicë, të konsideruar si pengje nga serbët. Këta, meqë im atë nuk donte t’ua njihte sundimin e disa qyteteve shqiptare dhe i kundërshtoi, jo vetëm që nuk lanë të iknin pjesën tjetër të familjes, por konfiskuan pasuritë e shumta që zotërojmë në Mitovicë, Pejë dhe Boletin. Një vëlla tjetër që donte të bashkohej me mua vitin e kaluar në Institutin Ndërkombëtar të Torinos u arrestua nga autoritetet serbe.
— Cili është programi i babait tuaj në një sërë betejash dhe aventurash të tilla ?
— Dëgjoni: Isa dëshiron, për dashurinë e madhe që ka për atdheun e tij, një Shqipëri të pavarur. Ai nuk ka shumë kulturë (formim arsimor). Ai u formua vetë. Ai ka lexuar historinë e pavarësisë italiane dhe do të donte të barazonte tokën shqiptare me Piemonten tuaj, me të gjitha shqetësimet dhe aspiratat e saj. I përbuzte paratë që iu ofruan nga të gjitha anët, i ktheu nderime të panumërta për çlirimin e atdheut. Dhe shumë shqiptarë e ndjekin në synimin e tij. Një vit ai arriti të kishte nën komandën e tij rreth 30.000 shqiptarë që e adhuronin me butësi. Ai ishte mik i Abdul Hamidit sepse ai u jepte lëshime shqiptarëve. Luftoi xhonturqit sepse shtypën dhe tiranizuan me etiketën e qytetërimit. Unë vetë isha dëshmitar i humbjes së pesë batalioneve të Xhavit Pashës, të dërguar për ta ndëshkuar me një ushtri të fortë, kur babai im shoqërohej vetëm nga njëqind luftëtarë. Isa u lidh me serbët për të dëbuar turqit, por kur ata u vendosën në territorin shqiptar ai i luftoi ashpër. Për të patur një atdhe të lirë ai u end gjatë nëpër Evropë, në Romë, në Vjenë, në Paris, në Londër, pasi jahti mikpritës i princit të Montpensier e mori në Vlorë dhe e zbarkoi në Brindizi. Kohët e fundit ai është treguar mik i Princ Vidit, sepse besonte se nën udhëheqjen e tij, Shqipëria, e mbrojtur nga Italia dhe Austria, do të zgjohej dhe do të ngrihej në dinjitetin e një kombi.
— Po pastaj?
— Pastaj serbët u shfaqën sërish në Durrës dhe malazezët morën Shkodrën. Ai preferoi të ndiqte këta të fundit.
Ademi i ri ka shfajësuar të atin nga akuzat për çdo pjesëmarrje në vrasjen e konsullit rus të Mitrovicës, Techerbine.
— Një ushtar shqiptar mysliman, duke parë vëllezërit e tij të rrethuar nga trupat e armikut, qëlloi në rrugët e Mitrovicës drejt konsullit, për të cilin besonte se ishte autori i shfarosjes së racës së tij.
E pyeta oficerin Adem Boletini për zbatimin e atij projekti të përkrahur ngrohtësisht në gazetën “Tribuna” nga gjermanët tanë. Djali i rebelit këmbëngulës është shumë optimist. Ai beson se nëse austro-gjermanët zëvendësojnë serbët, edhe këta do të kundërshtohen në përparim nga fiset shqiptare.
— Asnjë armëpushim për armiqtë e atdheut, për përdhunuesit e grave tona, për konfiskuesit e pasurisë sonë! Mjafton të dish të organizohesh dhe ushtria vendase, e fortë, krenare, dërrmuese, do të formohej me shpejtësi.
Teksa i thashë lamtumirë Ademit dashamirës, mendova se, nëse Muhamedi nuk e thërret Isa Boletinin në mbretërimin e Urit, do ta shohim sërish atë në krye të fiseve të tij për të luftuar edhe një herë armiqtë e atdheut të tij.
VINCENZO MENGHI