Albspirit

Media/News/Publishing

Haris Vongli: Sa dhimbje ndiej nga larg…

 
Mungesën time në vendin tim unë e shoh tek mediokriteti që ka plakosur atje. E di që i mungoj asaj pjese në zhdukje, asaj kategorie që s’bën kompromis me diktaturën dhe propagandën, me korrupsionin kancerogjen gjithpërfshirës; me ata që u dhëmb realiteti dhe e luftojnë atë.
Shqipëria po shkatërrohet nga të vetit, zonja dhe zotërinj; po i bëni gropën, ca me vetëdije të plotë e ca pa busull, të tmerruar nga mjerimi dhe nevoja për bukë.
Mungesën time e shoh tek heshtja patologjike e përfaqësuesve të brezit tim (se për brez tollonash s’dua të flas – fajtorë që lindën e rritën të papërgjegjshëm janë); ajo pjesë e brezit tim që ka mbetur në Shqipërinë tonë – politika e së cilës largoi tej më të aftit, më idealistët, ata me shpirtin e drejtësisë.
Rrugët e botës janë të rënda, janë të mundimshme, janë pa diellin e shtëpisë tënde. Ju të kollarisur e ju të lënë në injorancë na dëbuat nga krahët e nënave.
Si nuk ka një këshilltar (gjitholog) që të bëj kritikë, analizë-sintezë, opozitarizëm, të flasë realitetin? Po si mund të pranoni GJITHÇKA e mos ngrini pikëpyetje për DIÇKA – sado të vogël?! Ndërkombëtarë, organizata, fondacione, media, o shqiptarë, çfarë roli e misioni keni në jetë?
Unë nuk bëj dot gjë më shumë se kaq, se ua kam lënë servilave punën, atë punën që po prodhon modelet më amfibe të politikës lokale e qëndrore; modelet më destruktive të politikbërjes, modelet më të shëmtuara e të pashpresë në shoqëri, arsim, ekonomi, media, mjeksi, kulturë, art, KUDO.
Sa dhimbje ndiej nga larg.
Nuk po e njoh më të mirën në vendin tim!
Ju qofshi!
Please follow and like us: