Albspirit

Media/News/Publishing

LORDI GEORGE ROBERTSON VIZITOI PRISHTINËN NË 15-VJETORIN E SHPALLJES SË PAVARËSISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

Frank Shkreli

17 Shkurti, 2023 shënoi 15-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Ishte një festim i mrekullueshëm, historik, mund të thuhet, ku morën pjesë jo vetëm qytetarët e Kosovës, por edhe shqiptarë nga mbarë trojet shqiptare, si dhe nga diaspora, përfshir një delegacion nga Shtetet e Bashskuara të Amerikës. I pranishëm ishte edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Bajram Begaj. Me siguri që 15-vjetori i Pavarësisë së Kosovës u festua si një ngjarje e madhe me rëndësi mbarë kombëtare, në të cilën morën pjesë gjithashtu edhe personalitete të njohura ndërkombëtare, diplomatë të huaj dhe miq e dashamirës të Kosovës.

Javën e kaluar, Kosova priti shumë miq e dashamirë të saj të cilët kishin ardhur për të festuar së bashku me qytetarët e Republikës së Kosovës 15-vjet pavarësi. Dallohej, me këtë rast, ish-Sekretari i Përgjithëshëm i Aleancës së NATO-s, Lordi George Robertson. Ai ka shërbyer në krye të NATO-s – Aleancës më të madhe ushtarake që ka njohur historia — nga viti 1999 deri në vitin 2003, pasi kishte shërbyer më parë si Ministër i Mbrojtjes në qeverinë e ish-Kryeministrit britanik, Tony Blair. Shpesh herë gjatë viteve, kam pasqyruar perosnalitete dhe politikanë amerikanë të cilët, gjatë shekullit të kaluar – dhe në fillim të këtij shekulli – kanë kontribuar për lirinë, demokracinë dhe pavarsinë e shqiptarëve, përfshir Kosovën – por nuk  guxojmë të harrojmë edhe personalitete ushtarake dhe politike jo-amerikane që kanë dhënë edhe ata kontributin e tyre për të drejtat e shqiptarëve, gjatë dekadave.

Gjatë luftës në Kosovë, Lordi George Robertson ishte ministër i mbrojtjës i Britanisë së Madhe. Si i tillë në rolin e tij, ai ka marrë vendime me rëndësi – në bashkrendim me aleatët perëndimorë, kryesisht, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës – në sulmet e forcave ajrore të Aleancës së NATO-s kundër forcave terroriste ushtarake dhe policore të Serbisë së Millosheviçit. Ndërsa, kur ka udhëhequr NATO-n si Sekretar i Përgjithëshëm i Aleancës së Atlantikut Verior, Lordi Roberston ka mbikqyrur, për së afërmi, gjëndjen e pas luftës në Kosovë, nepërmjet misionit KFOR, për ruajtjen e paqës dhe të sigurisë në Kosovë.

Ndër të tjera aktivitete, javën që kaloi, Lordi Robertson mori pjesë në seancën e veçant, solemne që u mbajt në Kuvendin e Republikës së Kosovës me rastin e 15-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Personaliteti i lartë britanik dhe ndërkombëtar dhe mik i madh i Kosovës siç e kanë cilësuar disa udhëheqës të lartë në Kosovë, ishte i pranishëm së bashku me personalitete të tjera vendore dhe ndërkombëtare edhe në paradën e parakalimit të forcave ushtarake të Republikës së Kosovës me këtë rast.

Në një bisedë të shkurtër me të, Lordi Robertson më tha se ishte shumë i kënaqur që gjëndej në Kosovë në 15-vjetorin e Pavarësisë dhe se kjo nuk ishte vizita e parë e tij në atë vend. Ai ka vizituar Kosovën edhe më heret.  Para disa viteve, ish-zyrtari i lartë britanik kishte bërë një vizitë në Prishtinë, i ftuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës në vitin 2016, me qëllim për t’i dorëzuar atij “Medaljen e Lirisë” të shtetit të Kosovës, për kontributet e tija në luftën për çlirimin e Kosovës.

Me atë rast, Lordi Robertson i cili bën pjesë në atë grupin më të dalluar dhe më të respektuar të udhëheqësve ndërkombëtarë që për shqiptarët ka ndihmuar në mbrojtjen e lirisë dhe të drejtave të shqiptarëve të Kosovës dhe më gjërë – sipas mediave të kohës – kishte deklaruar gjatë një fjalimi që ka mbajtur gjatë asaj vizite në kolegjin Universum të Kosovës se në bazë të një testi të ADN-së, rezulton se një përqindje e gjeneve, nga ana e babait të tij, janë shqiptare – një fakt ky i panjohur deri atëherë edhe për atë vet.

Ndërkaq, edhe Republika e Shqipërisë ka njohur meritat dhe kontributet e Lordit Roberston për të drejtat e shqiptarëve. Gjatë vizitës së tij në

Britaninë e Madhe, në Mars 2019, Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta ka vlerësuar gjithashtu Lordin George Robertson me Dekoratën e lartë të shtetit shqiptar, “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, me motivacionin: “Në mirënjohje të thellë për angazhimin e çmuar në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe për kontributin e spikatur në integrimin e Shqipërisë në Aleancën Trans-Atlantike”. Me atë rast, Lordi Robertson, u shpreh se është shumë krenar që kishte patur fatin të kontribuonte në vendosjen e paqës në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe nënvizoi bindjen se për çlirimin e Kosovës, Aleanca e NATO-s kishte bërë, jo vetëm gjënë e duhur, por të vetmen gjë që duhej bërë në atë periudhë, ka theksuar ai.

Ndoshta deklarata e tij, për një prejardhje të pjesëshme shqiptare (kam gjak shqiptari), bën që vizita e Lordit Roberston në Prishtinë — me rastin e 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës — të shikohet gjithashtu si një vazhdimësi e interesimit të tij serioz në zhvillimin e demokracisë dhe të konsolidimit të mëtejshëm të pavarësisë së shtetit më të ri në Evropë dhe të integrimit të shqiptarëve në organizmat euro-atlantike.

Në vizitën e tij në Kolegjin Universum të Kosovës, 5-6 vite më parë, mos u gabofsha, Lordi George Robertson, u ka folur studentëve shqiptarë për një temë që është edhe sot, më shumë se aktuale, është kjo një temë që është kthyer në një tragjedi kombëtare për shqiptarët anël e mbanë trojeve të veta, e që kërkon me urgjencë marrjen e masave serioze nga autoritetet shqiptare kudo, për ndalimin e zbrazjes së trojeve shqiptare: e që është largimi i të rinjve shqiptarë nga trojet e veta stërgjyshore! Duke iu drejtuar studentëve të kolegjit Universum, vite më parë, u ka thenë se edhe ata janë përgjegjës dhe të lirë të vendosin fatin e vet dhe të vendit të tyre: “Ju mund të ikni dhe të varfëroni vendin tuaj. A po mund të qëndroni këtu dhe të ndërtoni shtetin tuaj të ri, citohet t’u ketë thenë studentëve të kolegjit Universum, ish-udhëheqësi i NATO-s. Lordi Robertson, në atë kohë, këmbënguli me deklaratën e tij, duke u kërkuar studentëve që të ardhmen ta ndërtojnë në vendin e vet, në Kosovë. Me atë rast, ai u bëri thirrje, njëkohësisht, edhe politikanëve të Kosovës që të luftojnë korrupsionin, ashtuqë Kosova të zhvillohet dhe të integrohet sa më shpejt në organizatat euro-atlantike dhe të dekurajohet largimi i të rinjve shqiptarë për në perëndim, duke hapur përspektiva të reja pune dhe mundësish për rininë shqiptare të pa përspektivë për të ardhmen.

Një mesazh vëllazëror e dashamirës nga Lordi Robertson për klasën politike shqiptare në veçanti, por edhe për shqiptarët dhe për rininë shqiptare në përgjithsi, thenë më heret gjatë vizitave të tija, por që tingëllon  aktuale edhe sot në 15-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, është duke parafrazuar me fjalët e mia, se: Nëqoftëse vërtetë dëshironi integrimin evropian dhe euro-atlantik, atëherë këshilla e ish-Sekretarit të Përgjithëshm të NATO-s Lordit George Roberstson ishte dhe është se duhet të,  kini parasysh se bota e jashtme është ajo që do të vendos nëse Kosova është e gatshme t’i bashkohet Bashkimit Evropian ose Natos. Prandaj, do të këshillonte shqiptarët, Lordi Robertson, duhet t’i shikoni zhvillimet e proceseve të mbrendshme politike dhe ekonomike me sytë e botës së jashtme, nëse vërtetë dëshironi t’i bashkoheni proceseve integruese euroatlantike, është shprehur ish-Sekretari i Përgjithëshm i NATO-s, Lordi Robertson disa vite më parë, duke folur para studentëve.

Një mesazh ky i disa viteve më parë gjatë një vizite të më hershme të Lordit Robertson në Kosovë, por një porosi mjaft aktuale edhe për ditët e sotme — në 15-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës – 15-vjet Shtet – Për Jetë!

Please follow and like us: