Shaban Murati: Tinguj malli dhe dashurie për Dashurinë…
Në ceremoninë e çmimeve Nobel, Stokholm 2003.
Ditën e përvjetorit të plotë të ditëlindjes së saj, Dashuria (Dashka), dashuria ime për 45 vjet me rradhë, nuk e arriti që ta festojë me ne, por iku në qiell. Zemra me këtë rast ka dëshirën t’i dërgojë Dashurisë ca tinguj malli dhe dashurie nëpërmjet vargjeve të një vjershe dhe kënge, që ia kushtova asaj dikur. Ishte viti i largët 1978 dhe pas një përjetimi personal shkruajta një vjershë, të cilën ia tregova shokut tim të ngushtë dhe kompozitor i mirënjohur, Kastriot Gjini, i cili e pëlqeu dhe menjëherë e kompozoi dhe kështu u krijua “Këngë çapkëne”.
Këngë çapkëne
Telat e kitares sime
i këputi këngë e zjarrtë,
Veç një tel i mbeti zemrës
për të thënë mijra fjalë.
Mbi tastierën moj e dashur
erdh u shtrua floku yt,
Se s’mjaftonin gjashtë tela.
S’mjaftonin.
Ndonëse s’jam unë Paganini,
me një tel kënga s’pushon.
Mrekullira bëka zemra,
kur kaq fort dashuron,
Lehtë-lehtë gishtat e mia
shpupurisin flokun tënd.
Është për ty kjo këngë çapkëne,
Çapkëne!
Dhe me flokun tënd mbi kitarë
unë bëj kaçurela..
Dhe mbi këngë,
drejt zemrës tënde erdha.