Albspirit

Media/News/Publishing

Shqipëri: Edhe një libër për vuajtjet e grave në komunizëm

Tiranë, 26 shkurt 2023 – 83 vjeçarja Fatbardha Saraçi-Mulleti u nderua dy ditë më parë në konkursin kombëtar “At Zef Pllumbi” me çmimin e nderit në memoristikë për librin e saj të fundit “Përndjekja e Hajrie Mulletit”.

Ky është libri i saj i gjashtë që u kushtohet grave dhe vajzave shqiptare, të cilat në vitet e regjimit komunist përjetuan vuajtje në burgjet dhe kampet e internimit.

“Kam mbi 30 vjet që shkruaj libra për përndjekjen e gruas shqiptare, por është hera e parë që bëhet vlerësimi i kujtesës historike sipas motos së At Zef Pllumbit “Rrno për me tregue”. Ky çmim për mua ka të bëjë me simbolikën që, për herë të parë vlerësohet kujtesa historike. Është hera e parë që vlerësohen libra të botuar nga Instituti për Studimin e Krimeve të Komunizmit”, thotë ajo.

Libri “Përndjekja e Hajrie Mulletit” ka në qendër gruan e ish prefektit Qazim Mulleti, një personazh i pazakontë në historinë e qytetit të Tiranës, të cilin letërsia e realizmit socialist u rrek t’a denigronte përmes satirës. Përmes dokumenteve të kohës, autorja tregon se si gjatë regjimit komunist përndiqej dhe persekutohej e gjithë familja si reaksionare, deri tek fëmijët e vegjël të pafajshëm.

“Në kohën e COVID-it, vëllai im Tanush Mulleti më dërgoi një dosje. Dosja ishte e marrun nga Autoriteti i Dosjeve, dosja 2/b Hajrie Mulleti. Kjo më bëri përshtypje të madhe. Unë në librat e mi kam shkruar për Hajrie Mulletin porse kishte pasur dosje ajo zonjë, kjo më tronditi. Dhe unë, pas vdekjes së saj bëra këtë libër homazh për femrën shqiptare, për ato femra që janë persekutu, që janë mbajtë në internim nga viti 1945-1992”, thotë zonja Saraçi-Mulleti.

Menjëherë pas rrëzimit të komunizmit, Fatbardha Saraçi-Mulleti, nisi të kërkojë mbi jetën e grave dhe vajzave që u përndoqën, dënuan dhe kaluan pjesën më të madhe të jetës së tyre në burgjet dhe në kampet e internimit. Janë histori të dhimshme, thotë Fatbardha, histori të cilat meritojnë të dëgjohen dhe të njihen nga të gjithë, pasi janë pjesë e vuajtjeve që shkaktoi regjimi i kaluar.

“Aktivitetin e kam filluar që në vitin 1992 me gra, nana, nuse, me djem të pushkatuar dhe me burra nëpër burgje. Ky ishte libri i parë që kam ba. Hitoria e parë që kam prezantu ka qenë hitoria e nanës Kazazi që, me 5 djem, ju pushkatuan, provuan burgjet, dhe ajo mbeti e vetmuar dhe nuk u hap asnjë derë për të. U hap vetëm dera e sanatoriumit ku edhe vdiq”, thotë zonja Saraçi-Mulleti.

Fatbardha Saraçi-Mulleti është autore e 6 librave memoristikë, mes të cilëve libri “Dhimbje”, në tre volume, që Instituti i Studimit të Krimeve të Komunzimit i ka përmbledhur në librin “Kalvari i grave shqiptare në burgjet e komunizmit”. Vetë Fatbardha është një nga ato mijëra gratë dhe vajzat shqiptare, të cilat përjetuan persekutimin gjatë periudhës së komunizmit për shkak të prejardhjes së tyre familjare.

(Pëllumb Sulo, Zëri i Amerikës)

Please follow and like us: