Albspirit

Media/News/Publishing

Frank Shkreli: Mbishkrimi “Dardanus” në Shkupin shqiptar

Ditët e fundit disa media dhe portale shqiptare kanë njoftuar për një zbulim të ri arkeologjik të një pllake me mbishkrimin “Dardanus” në Shkupin shqiptar. Ky zbulim i një pllake varri u bë gjatë punimeve në Karposh tek varrezat e vjetra, e që sipas njoftimeve mediatike, daton nga shekulli i VI. Ky nuk është zbulimi i parë i gjurmëve dardane në ato troje shqiptare dhe zbulime të tilla nuk do të jenë të fundit, pasi të gjithë e dijmë se historikisht, Kosova e sotme dhe trojet për rreth, kanë qenë dhe janë Dardani. Këto zbulime vetëm po provojnë historikisht dhe shkencërisht, se ajo tokë është dardane, se atje jetonin fiset ilire, njëri prej tyre Dardanët. Duan a s’duan sllavët e jugut, e vërteta historike është se, këtu i thonë Dardani, o bir! Frank Shkreli/ Ndërroi jetë Apostulli i Dardanisë | Gazeta Telegraf. Ky zbulim i kohëve të fundit në Shkup më kujtoi Profesorin e nderuar, Zef Mirditën; studiuesin e Dardanisë dhe të historisë së dardanëve, si fis ilir, paraardhës të shqiptarëve të sotëm.
I ndjeri Profesor Zef Mirdita ka provuar në veprat dhe shkrimet e tij, me argumente shkencorë, se Dardania ishte Iliri dhe se dardanët ishin me prejardhje ilire, njëkohësisht, duke hedhur poshtë njëherë e mirë edhe tezat e shtrembëruesve të historisë së shqiptarëve – pasardhësve të ilirëve – se dardanët nuk na paskan qenë me prejardhje ilire. Sidoqoftë, shpresojmë që falsifikuesit sllavë të historisë së Dardanisë dhe të shqiptarëve, si pasardhës të dardanëve, ta kenë humbur davanë e tyre nga pikëpamja shkencore, por u mbetet shqiptarëve sot që të ruajnë dhe të kultivojnë provat historike dhe zbulimet arkeologjike, që provojnë historinë e vërtetë të Dardanisë dhe të shqiptarëve.
Ndonëse këto zbulime të ditëve të fundit në Shkup na bëjnë të gëzohemi për provat historike, që ekzistojnë, por duhet të na shqetësojë fakti se në dorë të kujt janë këto prova se çka po ndodh me këto zbulime dhe prova të historisë, të së kaluarës së vjetër të shqiptarëve të sotëm në trojet e veta dardane, arbëroro-shqiptare. Si dhe kush po kujdeset për këto vlera, që duhet të konsiderohen, jo vetëm të historisë së shqiptarëve në trojet e veta shekullore, por edhe të historisë antike të njerëzimit, në ato anë.
Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, me të drejtë është i shqetësuar për këtë! Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup – duke marrë parasysh se si është trajtuar nga sllavët e jugut, historia e ilirëve dhe shqiptarëve, si pasardhës të tyre në territorin e ish-Jugosllavisë komuniste dhe më herët.

ITSHKSH reagoi ditët e fundit në lidhje me gërmimet e reja arkeologjike dhe shfaqi shqetësimin për përkujdesjen e “stelave të zbuluara”,  përfshirë një që mbante mbishkrimin, “Dardanus”, ndërsa Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, përkatësisht Departamenti i Kulturës Materiale të ITShKSh-së, rithekson faktin që Scupi ishte qendra e mbretërisë Dardane dhe për këtë dëshmojnë edhe gjetjet e shumta arkeologjike në këtë lokalitet.
ITSHKSH, në një njoftim për median, shprehet se është “Shqetësues fakti se si ka mundësi që “pronari” që i bën punimet, nuk lejon mediat që të marrin pamje të stelave në fjalë, me arsyetimin se kjo është “pronë private”, duke ditur fare mirë se kemi të bëjmë për nekropolin e qytetit të Scupi-t”, -thuhet në deklaratën e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.

Një ndër problemet kryesore që paraqet ky rast i fundit, sipas ITSHKSH, është se, “si ka mundësi që në zonën e mbrojtur me ligj bëhen ndërtime moderne, duke mos respektuar Ligjin për Mbrojtjen e Trashëgimisë së Paluajtshme Arkeologjike”?! Instituti në fjalë u bën thirrje dhe kërkon që të “dalin, publikisht, të gjithë institucionet që kanë dhënë leje për një ndërtim të tillë, si dhe të ndërpriten të gjithë punimet të cilës do natyrë, në zonën e qytetit antik Scupi.”

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, bën gjithashtu thirrje, “që sa më shpejt këto stela të dërgohen në Muzeun Arkeologjik të Maqedonisë së Veriut, sepse çdo vonesë do të ndikojë për krijimin e dyshimeve për abuzime të mundshme”, të këtyre zbulimeve historike të rëndësishme arkeologjike për historinë antike të Dardanisë dhe jo vetëm, nëqoftëse bien në duar të gabuara, ose në dorë të mohuesve dhe shtrembëruesve të historisë së shqiptarëve ndër shekuj. Këto zbulime sot dhe më të hershme, janë pjesë e rëndësishme e identitetit kombëtar të shqiptarëve edhe sot dhe si të tilla, keqpërdorimi dhe abuzimi i tyre duhet të jetë një shqetësim për të gjithë shqiptarët kudo që janë. Prandaj Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, meriton mirënjohjen dhe mbështetjen e të gjithë shqiptarëve, në përpjekjet e tija për ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kombëtare, shpirtërore dhe kulturore të fisit të shqiptarit në ato anë përfshirë zbulimet e fundit të gjurmëve dardane në trojet shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Sepse, për të gjithë ne, atij trolli i thonë Dardani, o bir!
Please follow and like us: