Mentor Hoxha: 67 laureatët francezë të Nobelit nga viti 1901-2022
Çmimi “Nobel” është çmimi më prestigjioz në arenën ndërkombëtare. Ky çmim ndahet që nga viti 1901 nga Akademia Mbretërore Suedeze. Jepet në fizikë, kimi, mjekësi, letërsi, ekonomi dhe paqe. U ndahet personaliteteve me kontributin më të madh në këto fusha. Me Çmimin Nobël për Paqe është nderuar edhe shenjtorja dhe humanistja e madhe shqiptare me famë botërore, Nënë Tereza, emri i vërtetë i së cilës është Gonxhe Bojaxhiu. Ajo u nderua më 17 tetor 1979. Kandidat për këtë çmim ka qenë vitet e fundit edhe shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, i cili ndan jetën mes Tiranës dhe Parisit, ku jetoi nga tetori i vitit 1990 e deri më 2022 me statusin e Refugjatit politik. Ai është nominuar disa herë por nuk ka mundur të marr gjer më sot këtë çmim. Franca ka numrin më të madh të nobelistëve në rang botëror. Janë 67 francezë të shpërblyer me këtë çmim në një nga 6 fushat e nderuara (paqe, mjekësi, fizikë, kimi, letërsi, ekonomi). Franca nuk ka vetëm numrin më të madh të nobelistëve në botë, por ka thyer edhe shumë risi përsa i përket këtij çmimi. Francezët janë të parët që fituan dy çmime Nobël më 1901 dhe po të fundit që nderohen sërish me dy çmime më 2022. Dy francezët e parë që morën Nobelin në 1901 janë poeti Sully Prudhomme, i njohur si Armand Prudhomme (Nobël në Letërsi) dhe Frédéric Passy (Nobël në Paqe), kurse dy nobelistët e fundit, nw 2022 janë shkencëtari Alain Aspekt në fizikë dhe prozatorja Ana Arnaux në letërsi, e cila u bë fituesja e 114-të e Çmimit Nobel për Letërsinë. Ajo është francezja e 16-të dhe gruaja e 17-të në botë që e merr këtë çmim. Risi tjetër e këtij Çmimi është shkencëtarja e shquar franceze, Marie Curie, e cila e ka fituar dy herë Nobel-in: në Kimi në 1911 dhe në Fizikë në 1903, duke u bërë gruaja e parë në botë që merr dy çmime në shkencat ekzakte. Nobelin në fizikë e mori i bashkë me bashkëshortin e saj, Pierre Curie dhe fizikanin e shquar francez, prof. Henri Becquerel. Francezët kanë thyer edhe një tjetër rekord historik, pasi tre anëtarë nga e njëjta famije janë nderuar me Çmimin Nobel. Ata janë çifti Marie dhe Pierre Curie dhe vajza e tyre, Irène Joliot-Curie (Nobel në Kimi 1935). Irene u nderua bashkë me bashkëshortin e saj Frédéric Joliot (Nobel në Kimi, 1935). Risi tjetër është ajo e vitit 1965 kur tre shkencëtarë të famshëm francezë që punonin në Institutin Pasteur, François Jacob, André Lwoff dhe Jacques Monod u shpërblyen me Nobel në mjekësi, duke bërë që tre francezë të shpërblehen njëherësh në të njëjtën fushë. Në 2014, francezët fitojnë dy çmime Nobel: Patrick Modiano në letërsi dhe Jean Tirole në ekonomi. Në 1912, dy francezë: Victor Grignard dhe Paul Sabatier morën çmimin Nobel në Kimi. Në 2008, dy profesorët francezë Françoise Barré-Sinoussi dhe Luc Montagnie, morën Nobel në mjekësi. Në 2019, franko-amerikania, Esther Duflo u bë fituesja më e re e Çmimit Nobel në Ekonomi, në moshën 46-vjeçare dhe gruaja e parë franceze që fitoi këtë çmim. Në 1957, shkrimtari i famshëm Albert Camus u shpall fitues i Nobelit në Letërsi në moshën 44 vjeçare duke u bërë fituesi më i ri francez i çmimit Nobel për Letërsinë, pas britanikut Rudyard Kipling (42 vjeç). Francezët janë po ashtu të parët që refuzojnë Çmimin Nobel. Shkrimtari dhe filozofi i famshëm, Jean-Paul Sartre (Letërsi, 1964) hyn në histori si i pari që refuzoi çmimin Nobel në Letërsi që iu dha më 1964, duke deklaruar se kundërshtonte dallimet zyrtare dhe kishte frikë se mos transformohej në “institucion”. Në vitin 1945, ai kishte refuzuar edhe Legjionin e Nderit. Nobelin e parë në mjekësi e ka marrë Alphonse Laveran në 1907, kurse në kimi e ka marrë Henri Moissan në 1906. Gérard Debreu (Nobel në Ekonomi, 1983) është francezi i parë që merr çmimin në ekonomi pas 50 vitesh që nga themelimi i këtij çmimi. Çmimi Nobel iu mohua francezëve për gati 50 vjetë me radhë, deri në shenjtërimin e Gérard Debreu në 1983. Francezët kanë marrë dy herë rresht çmimin e Paqes: Léon Jouhaux (1951) dhe Albert Schëeitzer (1952).
67 laureatët francezë nga viti 1901-2023
Alain Aspekt (Fizikë, 2022). U laureua me amerikanin John Clauser dhe austriakun Anton Zeilinger për kërkimet dhe zbulimet e tyre mbi “ngatërresën kuantike”.
Emmanuelle Charpentier (Kimi, 2020). Gjenetiste në Institutin Max Planck në Berlin. U shpërblye për pjesëmarrjen në zhvillimin e “gërshërëve molekularë”, të afta për të modifikuar gjenet njerëzore.
Esther Duflo (Ekonomi, 2019). Profesoreshë franko-amerikane në Institutin e Teknologjisë në Massachusetts (MIT). Fituesja më e re e çmimit Nobel në ekonomi dhe gruaja e parë franceze që merr këtë çmim. U nderua në moshën 46-vjeçare për punën e saj në luftën kundër varfërisë.
Gérard Mourou (Fizikë, 2018). Profesor emeritus në Ecole Politeknique. U nderua për punën e tij në lazer, për metodën e tij të zhvilluar me Donna Strickland në gjenerimin e impulseve optike ultra të shkurtra me intensitet të lartë.
Jean-Pierre Sauvage (Kimi, 2016). Profesor emeritus në Universitetin e Strasburgut. U nderua për projektimin dhe sintezën e makinave molekulare.
Jean Tirole (Ekonomi, 2014). Themeluesi dhe presidenti i Shkollës Ekonomike të Toulouse (TSE), të cilit Emmanuel Macron i bëri thirrje për të bashkëdrejtuar një komision prej 26 ekonomistësh përgjegjës për të reflektuar mbi krizën e Covid -19. U shpërblye për analizën e tij të fuqisë së tregut dhe rregullore.
Patrick Modiano (letërsi, 2014). U nderua për artin e kujtesës me të cilin evokoi fatet njerëzore dhe ekspozoi botën e pushtimit, kryesisht në veprat e tij letrare.
Serge Haroche (Fizikë, 2012). Studiues në Collège de France dhe në Ecole Normale Supérieure (ENS). U laureua për punën e tij në fizikën kuantike, një fushë kërkimi që lejon studimin e sjelljes së objekteve fizike në shkallë mikroskopike.
Jules Hoffmann (Mjekësi, 2011). Biolog francez me origjinë nga Luksemburgu, drejtor emeritus i kërkimit në CNRS dhe profesor në Universitetin e Strasburgut. U nderua për punën e tij për të kuptuar funksionimin e sistemit imunitar.
Jean-Marie Gustave Le Clézio (Letërsi, 2008). I njohur me inicialet e tij J.M.G. Le Clézio. Akademia Suedeze e quajti shkrimtar të fillimeve të reja, aventurave poetike dhe ekstazës sensuale, eksplorues i një njerëzimi përtej dhe nën qytetërimin mbretëror.
Françoise Barré-Sinoussi (Mjekësi, 2008). U nderua me prof. Luc Montagnier për zbulimin në 1983 në Institutin Pasteur të virusit përgjegjës për SIDA-n. Gjatë pandemisë u emërua kreu i Komitetit të Kërkimit dhe Analizës së Ekspertizës (Kujdes) dhe përgjegjës për këshillimin e qeverisë për menaxhimin e pandemisë së koronavirusit.
Luc Montagnier (Mjekësi, 2008). U nderua me prof. Françoise Barré-Sinoussi për zbulimin në 1983 në Institutin Pasteur të virusit përgjegjës për SIDA-n.
Albert Fert (Fizikë, 2007). Drejtor shkencor në njësinë e përbashkët të fizikës CNRS-Thales.
U nderua për zbulimin e tij, me Peter Grünberg, të magnetorezistencës gjigante.
Yves Chauvin (Kimi, 2005). Ish studiues në Institutin Francez të Naftës (IFP). U nderua për punën që daton 40 vjet më parë. Në 1970, arriti të sqarojë mekanizmin e metatezës, i përdorur gjerësisht në industrinë kimike, veçanërisht në prodhimin e ilaçeve dhe plastikës.
Gao Xingjian (Letërsi, 2000). Shkrimtar me origjinë kineze. U bë francez në fund të viteve ‘80, pasi u censurua në vendin e tij dhe aplikoi për statusin e refugjatit politik në Francë. U shpërblye për veprën e tij me rëndësi universale, e karakterizuar nga një vetëdije e hidhur dhe zgjuarsi gjuhësore, që hapi shtigje të reja drejt artit të romanit dhe teatrit kinez.
Mjekët pa kufij (Paqe, 1999). Ky është çmimi i fundit Nobel i Paqes me tre ngjyra. E krijuar në 1971, OJQ-ja ndërkombëtare me origjinë franceze Médecins Sans Frontières (MSF) u shpëblye për punën e saj humanitare në disa kontinente.
Claude Cohen-Tannoudji (Fizikë, 1997). Profesor në Ecole Normale Supérieure (ENS) dhe në Collège de France. U nderua për zhvillimin e metodave për ftohjen dhe kufizimin e atomeve duke përdorur dritën lazer.
Georges Charpak (Fizikë, 1992). Fizikan francez me origjinë polake. Studiues në CERN (Organizata Evropiane për Kërkime Bërthamore). U nderua për shpikjen dhe zhvillimin e detektorëve të grimcave, në veçanti “dhomës proporcionale me shumë tela” në 1968.
Pierre-Gilles de Gennes (Fizikë, 1991). Profesor në Collège de France. I kualifikuar nga Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave si “Isaac Njutoni i kohës sonë”. U nderua për punën e tij në “materie të buta” (xhel, kristale të lëngëta, polimere), të cilat më vonë mundësuan prodhimin e ekraneve të sheshta për televizorë apo kompjuterë.
Maurice Allais (Ekonomi, 1988). Profesor në Ecole des mines në Paris. U nderua për punën e tij pioniere mbi “teorinë e tregjeve dhe përdorimin efikas të burimeve”.
Jean-Marie Lehn (Kimi, 1987). Profesor në Universitetin Louis-Pasteur në Strasburg dhe në Kolegjin e Francës. U nderua për punën e tij mbi molekulat “të zbrazëta”.
Claude Simon (Letërsi, 1985). U vlerësua si një shkrimtar që në romanet e tij ndërthur krijimtarinë e poetit dhe piktorit me një ndërgjegjësim të thellë të kohës në paraqitjen e gjendjes njerëzore”.
Maurice Allais (Ekonomi, 1988). Fizikan dhe ekonomist. U nderua për punën e tij në teorinë ekonomike të ekuilibrit të përgjithshëm.
Gérard Debreu (Ekonomi, 1983). Francezi i parë që merr Nobel në ekonomi pas 50 vitesh.
Jean Dausset (Mjekësi, 1980). Mjek Imunolog. U nderua për identifikimin e sistemit HLA (për “Antigjenin e Leukociteve Njerëzore”) duke bërë të mundur kontrollin e përputhshmërisë së dhuruesit dhe të marrësit gjatë një transplanti organi ose një transplanti të palcës kockore.
Roger Guillemin (Mjekësi, 1977). Francez i natyralizuar amerikan në 1965. U nderua për kontributin e tij në zbulimin e hormoneve të sekretuara nga truri.
Louis Néel (Fizikë, 1970). Krijuesi dhe drejtori i Qendrës për Studime Bërthamore në Grenoble. U nderua për punën e tij mbi vetitë magnetike të trupave të ngurtë.
René Cassin (Paqe, 1968). Jurist i shquar. Artizanas i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut të miratuar nga OKB-ja në 1948. Mori pjesë edhe në krijimin e UNESCO-s dhe qe presidenti i parë i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ). Në 1987, 11 vjet pas vdekjes, hyri në Panteon. U nderua për të gjithë karrierën e tij kushtuar mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Alfred Kastler (Fizikë, 1966). Profesor në Ecole Normale Supérieure (ENS). U nderua për shpikjen e tij në 1951 të “pompimit optik”. Kjo metodë ka bërë të mundur që të mësohet më shumë për vetitë e atomeve dhe ka krijuar aplikime të shumta në fizikën atomike.
François Jacob (Mjekësi, 1965). U nderua për kontributin e tij të rëndësishëm në konstituimin e biologjisë molekulare. Punoi në Institut Pasteur në Paris.
André Lëoff (Mjekësi, 1965). U nderua për kontributin e tij të rëndësishëm në konstituimin e biologjisë molekulare. Punoi në Institut Pasteur në Paris.
Jacques Monod (Mjekësi, 1965). U nderua për kontributin e tij të rëndësishëm në konstituimin e biologjisë molekulare. Punoi në Institut Pasteur në Paris.
Jean-Paul Sartre (Letërsi, 1964). Shkrimtar dhe filozof i madh. E refuzoi këtë çmim duke hyrë në histori si i pari që refuzoi Nobelin. Në 1945, ai kishte refuzuar edhe Legjionin e Nderit. Ai deklaroi se kundërshtonte dallimet zyrtare nga frika se mos transformohej në “institucion”. Pavarësisht kësaj, autori i i famshëm është ende në listën e çmimit Nobel.
Saint-John Perse (Letërsi, 1960). Poet dhe diplomat. U nderua “për lartësinë e shpirtit dhe pasurinë imagjinative të krijimit të tij poetik që jep një pasqyrim vizionar të së tashmes”. Emri i vërtetë i tij ishte Alexis Léger. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, shkoi në mërgim në SHBA, pasi u shkarkua nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme.
Albert Camus (Letërsi, 1957). Fituesi më i ri i Nobel për Letërsi, pas britanikut Rudyard Kipling (42 vjeç). Ishte 44 vjeç. Autori i “L’Etranger” (“I huaji”) dhe “La Peste” (“Murtaja”) u shpërblye “për prodhimin e tij të rëndësishëm letrar, i cili, me një kthjelltësi serioze hedh dritë mbi problemet e ndërgjegjes njerëzore në kohën tonë.
André Frédéric Cournand (Mjekësi, 1956). I natyralizuar francez në Amerikë në 1941 duke punuar në Universitetin Columbia në Nju Jork. U nderua për zbulimet e tij në kateterizimin kardiak, një teknikë e futjes së një sondë përmes venës së bërrylit në zemër.
François Mauriac (Letërsi, 1952). U nderua “për impregnimin e thellë shpirtëror dhe intensitetin artistik me të cilin ai eksploron dramën e jetës njerëzore në romanet e tij”.
Albert Schweitzer (Paqe, 1952). Doktor, muzikant (ishte organist i njohur ndërkombëtarisht), teolog, pastor dhe filozof. U nderua për themelimin e drejtimin e një spitali në Gabon, në Lambaréné, ku trajtonte pa pagesë të sëmurët dhe lebrozët.
Léon Jouhaux (Paqe, 1951). U nderua për angazhimet e tij pacifiste. Ishte figurë e madhe në sindikalizmin francez. Sekretar i përgjithshëm i CGT (1909-1947) dhe një nga negociatorët e Konferencës së Paqes në Paris (1919), nënkryetar i Federatës së Sindikatave (WSF), delegat pranë OKB-së dhe Zv/president i Zyrës Ndërkombëtare të Punës (ILO).
André Gide (Letërsi, 1947). U nderua për angazhimet e tij pacifiste dhe për shkrimet e tij gjithëpërfshirëse dhe me rëndësi artistike ku problemet dhe kushtet njerëzore paraqiten me një dashuri të patrembur për të vërtetën dhe me një depërtim të thellë psikologjik.
Roger Martin du Gard (Letërsi, 1937). U nderua për ciklin e tij të romaneve të titulluar “Les Thibault”, edhe pse ai ishte ende i papërfunduar. Një sagë në 8 vëllime që autori e nisi pas Luftës së Parë Botërore dhe e mbaroi në 1940.
Frédéric Joliot (Kimi, 1935). U shpërblye bashkë me gruan e tij, Irène Joliot-Curie për zbulimin e tyre të një lloji të ri radioaktiviteti, i cili më vonë do të quhej “radioaktivitet artificial”. Hulumtimi i tyre më vonë çoi në zbulimin e ndarjes bërthamore.
Louis de Broglie (Fizikë, 1929). Pedagog në Fakultetin e Shkencave të Universitetit të Parisit. U nderua në moshën 37 vjeçare për zbulimin e tij të natyrës valore të elektronit. Një përparim revolucionar që çoi në krijimin e një dege të re të fizikës, mekanikës valore. 4 vjet më vonë u bë anëtari më i ri i Akademisë së Shkencave të Francës.
Charles Nicolle (Mjekësi, 1928). Drejtor i Institut Pasteur në Tunis. U shpërblye për punën e tij mbi tifon. Në 1909, zbuloi rolin e morrit në transmetimin e infeksionit te njerëzit.
Henri Bergson (Letërsi, 1927). Filozof. U nderua për idetë e tij të pasura dhe stimuluese dhe aftësinë brilante me të cilën u prezantua.
Ferdinand Buisson (Paqe, 1927). Profesor, politikan dhe bashkëthemelues i Lidhjes së të Drejtave të Njeriut. U shpërblye, veçanërisht për punën e tij në afrimin midis Francës dhe Gjermanisë pas Luftës së Parë Botërore.
Jean Perrin (Fizikë, 1926). Profesor në Fakultetin e Shkencave në Paris. U nderua për punën e tij mbi ekzistencën e atomeve. Pas Nobelit mori pjesë në krijimin e CNRS (Qendra Kombëtare për Kërkime Shkencore) në 1939.
Aristide Briand (Paqe, 1926). Njëmbëdhjetë herë President i Këshillit të Ministrave dhe 25 herë ministër në Republikën e Tretë. Arkitekti i marrëveshjeve të Lokarnos në 1925 të nënshkruara nga Parisi, Berlini dhe nga disa vende evropiane. U nderua kur ishte Ministër i Jashtëm. U nderua me homologun e tij gjerman Gustav Stresemann për rolin e rëndësishëm në pajtimin franko-gjerman.
Anatole France (Letërsi, 1921). Pseudonimi i Jacques-Anatole Thibault. Shkrimtar i Republikës së Tretë. U shpëblye për arritjet e tij të shkëlqyera letrare të karakterizuara nga fisnikëria e stilit dhe humaniteti i thellë.
Léon Bourgeois (Paqe, 1920). Burrështetas. U nderua për faktin se bashkë me presidentin e SHBA-së Thomas Woodroë Wilson ishte një nga ndërtuesit e Lidhjes së Kombeve (SDN), paraardhësi i OKB-së, i krijuar në 1919 dhe i së cilës ai u bë presidenti i parë në 1920.
Romain Rolland (Letërsi, 1915). Shkrimtar, pamfletist, pacifist dhe humanist ideal. U kryesisht për romanin e tij në 10 vëllime,”Jean-Christophe”, i botuar midis viteve 1904- 1912.
Charles Richet (Mjekësi, 1913). Profesor në Fakultetin e Mjekësisë në Paris. U nderua sepse zbuloi për herë të parë në 1902 fenomenin e anafilaksisë, një formë ekstreme e reaksionit alergjik.
Victor Grignard (Kimi, 1912). U nderua me francezin Paul Sabatier për dy zbulime që çuan në përparime në fushën e kimisë organike. Grignard i dha emrin e tij një reagjenti, të quajtur “Grignard”, i përdorur gjerësisht në laborator.
Paul Sabatier (Kimi, 1912). U nderua me francezin Victor Grignard për dy zbulime që çuan në përparime në fushën e kimisë organike. Hulumtimi i tij mbi katalizën pati aplikime në petrokimi në përgatitjen e plehrave dhe lejoi krijimin e tubave katalitikë të shkarkimit.
Alexis Carrel (Mjekësi, 1912). Kirurg francez që emigroi në ShBA. U nderua për punën e tij pioniere në transplantimin e organeve.
Marie Curie (Kimi, 1911). Gruaja e parë në histori që fitoi dy çmime Nobel për shkencën. Profesorja e parë grua në Sorbonë mori çmimin Nobël në kimi, pas Çmimit Nobël në fizikë në 1903. U shpërblye me bashkëshortin e saj Pierre Curie dhe me Henri Becquerel. E lindur në Poloni me emrin Marie Sklodoëska dhe e natyralizuar në Francë pas martesës me Pierre Curie, shkencëtarja e famshme u shpërblye për kontributin e saj në avancimin e kimisë përmes zbulimit të elementeve të rinj: radiumit dhe poloniumit”.
Paul d’Estournelles de Constant (Paqe, 1909). Një nga arkitektët e krijimit të Gjykatës së Përhershme të Arbitrazhit, e njohur edhe si Tribunali i Hagës. U nderua si mbrojtës i parimit të arbitrazhit për zgjidhjen e konflikteve ndërmjet kombeve.
Gabriel Lippmann (Fizikë, 1908). Profesor në Fakultetin e Shkencave në Paris. U nderua për shpikjen e një teknike për të bërë fotografi me ngjyra.
Alphonse Laveran (Mjekësi, 1907). Çmimi i parë francez Nobel në mjekësi. U shpërblye për punën e tij në fushën e parazitologjisë, të cilën e kreu në Institut Pasteur, veçanërisht për zbulimin e parazitit përgjegjës për malarien.
Louis Renault (Paqe, 1907). U shpërblye për angazhimin e tij në forcimin e së drejtës ndërkombëtare. Ishte profesor i së drejtës ndërkombëtare në Fakultetin Juridik të Parisit dhe juriskonsulent i Ministrisë së Jashtme. Mori pjesë në Konferencat kryesore të Paqes në Hagë (1899 dhe 1907) dhe ishte anëtar i Gjykatës së Përhershme të Arbitrazhit në Hagë.
Henri Moissan (Kimi, 1906). Laureati i parë francez i Nobelit në kimi, pasi ishte i pari që izoloi me sukses fluorin. Ky farmacist dhe kimist ishte gjithashtu shpikësi i një ngrohësi elektrik që mban emrin e tij, temperatura e të cilit mund të arrinte 3000 deri në 3500°C.
Frédéric Mistral (Letërsi, 1904). Poet dhe leksigraf. Vepra e tij është shkruar në gjuhën provansale (në “langue d’oc”, siç thuhej në atë kohë). U nderua për origjinalitetin e tij të madh dhe frymëzimin autentik të prodhimit poetik ku përshkruan me besnikëri peizazhet natyrore dhe shpirtin e popullit të tij, si dhe punën e tij si filolog provansal”.
Marie Curie (Fizikë, 1903). Gruaja e parë që fitoi një çmimin Nobel në fizikë. E fitoi me burrin e saj Pierre Curie dhe me Henri Becquerel. Marie dhe bashkëshori i saj u shpërblyen “për kërkimin e tyre mbi fenomenet e rrezatimit të zbuluara nga profesori Henri Becquerel. Çifti zbuloi veçanërisht dy substanca të reja radioaktive, polonium dhe radium.
Pierre Curie (Fizikë, 1903). Bashkëshorti i Marie Curie. U shpërblye me bashkëshorten e tij për kërkimin e tyre mbi fenomenet e rrezatimit të zbuluara nga profesori Henri Becquerel. Çifti zbuloi veçanërisht dy substanca të reja radioaktive, polonium dhe radium.
Henri Becquerel (Fizikë, 1903). U nderua për zbulimin e tij të “radioaktivitetit spontan”. Njësia fizike e radioaktivitetit, bekereli (Bq), u emërua në nder të tij.
Sully Prudhomme (Letërsi, 1901). Fituesi i parë i çmimit Nobel për Letërsi. Pjesën më të madhe finaciare të këtij çmimi e dha për krijimin e një çmimi letrar për poetët e rinj. I përkiste lëvizjes poetike Parnasiane. I zgjedhur në Akademinë Franceze në 1881. I njohur si Sully Prudhomme.
Frédéric Passy (Paqe, 1901). Fitues i Nobelit të parë për Paqe. Ekonomist dhe politikan. Themeloi Lidhjen Ndërkombëtare dhe të Përhershme të Paqes dhe Shoqërinë Franceze të Miqve të Paqes, e cila më vonë u bë Shoqëria Franceze për Arbitrazhin midis Kombeve. Ishte një nga themeluesit e Unionit Ndërparlamentar, një organizatë për bashkëpunim ndërmjet përfaqësuesve të zgjedhur nga vende të ndryshme.