Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Avdush Canaj

 

Shiun e thirrën lisat

 

Në xhepin e xhinseve

të reve

shiut i cingëroi celulari.

 

E thirrën lisat në pyll

t`i lajnë flokët blertore

për koncertin e zogjve

nëpër ballkonet e degëve.

 

Balluket duhet krehur mirë

edhe dirigjent gugushi

me shkopin e melodies.

 

Dhe fluturoi lagëtari

me trotinetin e erës

të lumturohet pylli.

 

Në violinën e zemrës

 

Jam zog i këngës

çerdhen e kam

në violinën e zemrës.

 

S’e lë atdheun

as kur vjen vjeshta.

 

Lagëtari

 

Shiu në dritare

Shiu

Melodi e pikave

Shiu

I rritës si bari

Lagëtari

Blerimtari.

 

KUR DOLA NGA FERRI

 

Kur dola nga ferri

s’më lanë t’i marr vjershat

të shkruara njëqind vjet

nepër copa gazetash.

S`ke të drejt!- krrokati një korb.

Unë qesha si liria.

Te dera më priste pëllumbi,

që e ndaja bukën me të përditë,

nën flatra kishte fshehur vargjet, poezitë.

(Burgu i Foçës, verë 1987).

 

BILBILISHT

 

U rritën poezitë e vogla

Zogjtë e çerdheve të verës

Do ta marrin fluturimin

Nga degët e shkronjave.

 

Qielli është pa fund

E bota duket e vogël

Sa një top loje.

 

Kur të lodhën

I thërrasin qepallat e dritareve

Qerpikët e shtëpive ua bëjnë me dorë

Shelgut i qeshin kaçurrelat

Tek unë

Tek unë.

 

Dhe s`thonë jo, natyrisht

Zbresin

Pushojnë e këndojnë

Si unë, bilbilisht…

 

Please follow and like us: