Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Jaho Margjeka

 

ME LOTË BURRI

Zemrën ma bren trishtimi,
Me lotë burri qaj pa zë.
Shpirtin ma ftoh mendimi,
Asgjë nuk zgjat përgjithnjë.

Ah, nuk vlejnë lodhja e mundimi,
Me lotë burri qaj pa zë.
Shpirtin acar ma ngrin thëllimi,
Asgjë nuk zgjat, nuk zgjat përgjithnjë.

CA DITË TË BUKURA

Për të i humba ca ditë të bukura,
Prej mëngjesi në mbrëmje ish i pakët ëndërrimi,
Prej mbrëmjes tjetër mëngjesi ish tepër larg…
Të nesërmen ajo prapë do t’më buzëqeshte,
E kjo mjaftonte deri ditën tjetër.
Asgjë nuk bëra për t’i hyrë në zemër,
Njëlloj i veshur, po njësoj i krehur.
Pak i rrëmbyer në ecje, më shpesh i menduar,
Asnjëherë s’i thashë të dua, megjithëse e desha.
Pastaj… Miq, thashë, të mbetemi.
Po dhe kjo qe e pamundur,
Edhe pse për të ca ditë të bukura i humba.

SI BRYMË, SI ERË, SI SHI

Ti s’ma pe shpirtin, trëndafil të butë,
Ti s’ma pe zemrën, bozhure të çelur,
Ti s’ma pe lotin, strukur nën qepallë,
Ti s’ma pe dashurinë që dot s’e mbaja fshehur.

Ti s’ma ndjeve dhimbjen, dhimbjen që më dehte,
Ti s’ma ndjeve gjakun, gjakun valë të nxehtë,
Ti s’ma ndjeve fjalën, fjalën prush të kallur.

Ti asgjë nuk pe, ti asgjë nuk ndjeve,
Ike rrugës së madhe, si brymë, si erë, si shi,
E tani veç në ëndrra, prapë të jam mirënjohës,
Tungjatjeta, tungjatjeta. Paç fat, paç dashuri…

Please follow and like us: