Albspirit

Media/News/Publishing

Lazër Radi: SHTIGJEVE TË KASHTËS SË KUMTRIT

Duarbosh në xhepa të zbraztë,
në xhepa të grisun,
flokëshpupurisun
n’duart e erës,
vështrimin turbull,
vagabond pa emër,
larg shkoj… larg,
thellësive të kotësisë,
ndoshta shtigjeve
të Kashtës së Kumtrit
apo yjsive të shueme
…pa gjetë ngushëllim askund.
I lodhun ndër tehe shkambijsh,
me bërryla i çaja
kalimtarët e heshtun
që rropateshin të iknin
kambadoras para meje!
Sa dëshira të humbuna
këtyne rrugve spërkatë me gjak!
Sa andërra të tretuna
pa prekë agimin e ditës së pritun!
Me purteka thane
e ngacmoja shpresën,
e joshja, e thirrja
me m’falë pak,
oh fare pak dashni…
E ajo, tinzare si dhelpën
shtirej se zbriste prej Kashtës së Kumtrit
e m’futej pa u ndje në gji.
1988.
Please follow and like us: