Albspirit

Media/News/Publishing

Vlora Obertinca: Dijenitë e mëdha burojnë nga thesaret e vogla

 

 

“Dijenitë e mëdha burojnë nga thesaret e vogla. Ky thesar i vogël është mendja jonë dhe fuqia e saj e pafund”, Dr. Vlora Obertinca.

 

“Ne jetojmë në një shoqëri europiane, ku fare pak predikohet mënyra pozitive e të menduarit si çelës për jetë të suksesshme. Madje mbizotëron frenimi, ku një shoqëri e tërë predikon se si njeriu duhet të punojë shumë për të arritur pak, që realisht flet për një rrugë fizike dhe psikike të mundimshme. Në vend që të predikohet të menduarit pozitiv si gur themel për të filluar çdo punë me lehtësi, në fakt është predikuar mendimi negativ për të arritur diçka pozitive në jetë dhe kështu, mbi bazën negative, çdo ditë e më shumë është trashur negativiteti i të jetuarit dhe si pasojë e kësaj, në shumicën e rasteve, njerëzit nuk arrijnë t’i realizojnë ëndrrat e tyre.

Ka raste, kur njerëzit rezonojnë pozitivisht dhe arrijnë të realizojnë ëndrrat e tyre, qoftë realizimin e studimeve në universitetin më të mirë apo edhe të bëjnë punë që paguhen shumë mirë, por nuk dinë ta shpjegojnë se si pas arritjes së të gjitha qëllimeve të jetës, ndihen të zbrazët dhe shpeshherë kalojnë në depresion dhe nuk dinë ta shpjegojnë pse ndodh kjo.

Kjo ndodh, sepse e tërë energjia jonë ndër vite harxhohet me dominimin e negativitetit, duke u munduar të realizojmë dëshirat dhe qëllimet tona. Çuditërisht, ditë pas dite zgjohemi të lodhur, të rraskapitur, pa vullnet për jetë dhe punë, që dikur aq shumë dëshiruam ta arrijmë. Tani jemi këtu dhe nuk dimë t’i gëzojmë këto të mira dhe pyesim veten: Vallë, a jemi ne të vetmit që po na ndodh kjo, ngaqë askush tjetër pos nesh nuk është duke u ankuar? Askush nuk ankohet, ngaqë secili prej nesh ka frikë, që të mos e dinë të tjerët se si ndihemi brenda vetes, sepse mund të paragjykohemi nga shoqëria dhe nga rrethi i ngushtë dhe mund të përfundojmë të diskriminuar apo të përjashtuar nga ky rreth. Kjo ndodh ngaqë nuk jemi të hapur me njëri-tjetrin, nuk jemi të sinqertë, sepse frika na e drejton jetën dhe jo motivi pozitiv për jetën”.

Fragment nga libri “Vera e shpirtit” të autores Vlora Obertinca.

 

Please follow and like us: