Abdulla Mehmeti: Disa të vërteta për Universitetin e Tetovës
Një këshillë miqësore, me sqarime…
UNIVERSITETI I TETOVËS, KY PROJEKT I MADH KOMBËTAR, ËSHTË THEMELUAR SI INSTITUCION PUBLIK I SHQIPTARËVE NË MAQEDONI, JO SI BIZNES PRIVAT NGA NJË PERSON, AS NGA REKTORI I PARË DHE AS NGA KRYETARI I PARË I SENATIT TË KËTIJ UNIVERSITETI
(Për studiuesit dhe personalitetet publike, në lidhje me epitetet dhe cilësimet e panevojshme që ua shtojnë në biografitë e tyre udhëheqësve të parë të Universitetit të Tetovës.)
Universiteti i Tetovës është themeluar nga Kuvendi themelues i tij, i mbajtur me protokoll dhe sipas rregullave juridike, më 4 qershor 1994, në sallën solemne të Kuvendit komunat të Tetovës.
Profesor Milaim Fejziu ka qenë kryetari i parë i Senatit të Universitetit të Tetovës, i zgjedhur më 8 janar 1995, ndërsa këtë detyrë e ky kryer për dy mandate me radhë.
Profesor Fadil Sulejmani ka qenë rektori i parë i Universitetit të Tetovës, i zgjedhur më 8 janar 1995, të cilën detyrë e ka kryer për dy mandate me radhë.
Të thuash se profesor Fadil Sulejmani, Rektori i parë, kinse ka qenë themelues i Universitetit të Tetovës, apo profesor Milaim Fejziu, Krytari i parë i Senatit, kinse ka qenë themelues i Universitetit të Tetovës, nuk u bën nder këtyre figurave dhe as Universitetit të Tetovës, përveç tjerash se, ky projekt i madh kombëtar nuk mund të barazohet me themelimin e një dyqani ose ndërmarrje private, me themelues NJË PERSON!
1.
Më 27 shkurt 2023, në moshën 77 vjeçe ka ndërruar jetë Milaim Fejziu, veprimtar i dalluar për të drejta dhe liritë e njeriut, kryetari i parë i Senatit të Universitetit të Tetovës.
Në nderim të tij, për ta përkujtuar jetën dhe veprën e këtij veprimtari të shquar për liritë dhe të drejtat e njeriut, e kryetarit të parë të Senatit të Universitetit të Tetovës, Prof. Milaim Fejziu (mbiemri zyrtar i tij: Fejzi), janë organizuar mbledhje përkujtimore (komemorative) në Komunën e Gostivarit (nga Lidhja Shqiptare në Botë-Kuvendi për Maqedoni) dhe në Komunën e Tetovës, jo edhe në Universitetin e Tetovës.
2.
“Në komunën e Tetovës sot u mbajt mbledhje komemorative për të përkujtuar jetën dhe veprën e veprimtarit, themeluesit dhe kryetarit të parë të Senatit të Universitetit të Tetovës, Milaim Fejziu. Emri i Milaim Fejziut dhe profesorit Fadil Sulejmani e shumë personaliteteve u bënë mur i gjallë për të ngritur një kala e cila u siguron zhvillim dhe prosperitet shqiptarëve. U mundëson që të shkollohen në gjuhën shqipe, në gjuhën e tyre amtare, tha në fjalën e tij kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami.”/nga mediet në gjuhën shqipe/
3.
Fjala e kryetarit të Komunës së Gostivarit, prof. dr. Arben Taravarit, në mbledhjen komemorative për prof. Milaim Fejziun
“Të respektuar të pranishëm, e respektuara familje Fejziu,
ju drejtohem në një moment të zymtë për të gjithë ne, siç në fakt janë të gjitha momentet kur ndahet nga jeta një një njeri i dashur i yni.
Por, në këtë takim jemi mbledhur të nderojmë kujtimin e një personaliteti, drita e të cilit e mund zymtësinë e sotme.
Të gjithëve na ka tubuar këtu ndarja nga jeta e profesor Milaim Fejziut.
Edhe pse nuk ndodhet më në këtë botë, ai ka lënë një vepër frymëzuese që do të jetë leksion, konstultim, burim dijesh për ne të gjithë dhe për brezat që do të vijnë.
Heronjtë, jemi mësuar t’i shohim me pushkë në dorë, por ka dhe disa, të cilët bëjnë heroizma me penë në dorë.
Kështu, profesor Milaim Fejziu është heroi që pati kurajon, guximin dhe trimërinë si pak të tjerë, që në kohë tepër të vështirë të themelonte Universitetin e Tetovës.
Thonë se kush hap një derë shkolle, mbyll një derë burgu. Profesor Milaimi ka mbyllur me dhjetëra dyer burgu dhe ka hapur po aq shumë dyer diturie e vetëbesimi, sepse dituria është vetëbesim, dhe padyshim ka ndezur shpresën në një kohë që errësira kishte rënduar mbi arsimin shqiptar në Maqedoni.
Andaj, atyre që sot punojnë apo studiojnë në Universitetin e Tetovës, u apeloj që të kenë respekt për sakrificat e paimagjinueshme që kanē bërë njerëz si profesor Milaim Fejziu, dhe të punojnë me ndershmëri dhe pērkushtim në atë vend që u ngrit mbi vullnetin e Heronjve të Mendjes!
Ne sot nuk kemi më një nga burrat më frymëzues tanë. Profesori Milaim ishte kryetar i Forumit të të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ishte nënkryetar i Lidhjes Shqiptare në Botë, ishte patriot dhe vizionar. Ishte aq shumë sa mjafton për ta kujtuar me respekt dhe përulje veprën e tij për aq gjatë sa jemi në këtë vend.
Sot jeta vrapon aq shpejt sa duket se jemi të zënë në një qark informativ, është koha e tik-tokut, instagramit, apo Facebookut, dinamika e tyre e reduktuar na shfaq video 15 sekonda se pastaj fillon video tjetër…dhe harrohen gjërat shpejt, dhe duket se jemi të mbytur në këtë oqean virtual.
Por e dini çfarë? Do të kalojë dhe ky shpërthim teknologjik që ende nuk po menaxhohet mirë, do të balancohet, dhe shumë gjēra nuk do të mbijetojnë dot, por kujtimi dhe vepra e profesor Milaim Fejziut, patjetër që do të jetë aty, në çdo epokë, njësoj si një varkë shpëtimi sa herë ta ndjejmë veten të mbytur nga dallgët e kohës.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për këtë burrë i cili me të gjitha meritat duhet të quhet një nga Etërit e Arsimit dhe Kombit Shqiptar!
Ashtu si latinët nderonin senatorët e tyre kur ata ndërronin jetë, ashtu edhe unë njësoj do të them:
Sit tibi Terra Levis
Të qoftë i Lehtë dheu!”
4.
Me këtë rast, me qëllime të mira, ua përkujtoj autorëve të këtyre teksteve se, nderimi i figurës dhe veprës së profesorit Milaim Fejziu e nderon secilin shqiptar, që e ka njohur dhe ka bashkëpunuar me këtë veprimtar të palodhshëm, secilin dashamir të përparimit të shqiptarëve dhe sidomos arsimdashësve, i nderon miqtë dhe shokët e tij që kanë dhënë kontribut për arsimin në gjuhën amtare në nivel universitar, sidomos për themelimin dhe ngritjen e Universitetit të Tetovës.
Sidomos, fjala e prof. dr. Arben Taravarit, e mbajtur me këtë rast, paraqet një shembull të mirë intelektuali, që ka përmbledhur me pak radhë një histori të madhe të jetës dhe veprës së një veprimtari të dalluar shqiptar, siç ishte profesor Milaim Fejziu.
Por, me këtë rast, pa dashur ta lëndoj askënd, jam i detyruar të jap një sqarim në lidhje me cilësimet që bëhen këtij veprimtari të shquar, që nuk përkojnë me të vërtetën dhe nuk e nderojnë as figurën dhe veprën e tij, si të pavërteta, që nuk përkojnë me realitetin dhe faktet, si të tilla ato mund të keqpërdoren nga studiuesit si referenca të pasakta, ndërsa nga persona të tjerë dhe për figura të tjera të përdoren si model i keq, si nuk duhet të zbukurohen biografitë e personaliteteve të shquara me epitetet që nuk u takojnë atyre, as mund të jenë pjesë e biografisë së tyre dhe referenca për historinë e Universitetit të Tetovës.
Përmbajtjet me epitete dhe cilësime të pasakta e të pavërteta:
“Në komunën e Tetovës sot u mbajt mbledhje komemorative për të përkujtuar jetën dhe veprën e veprimtarit, THEMELUESIT dhe kryetarit të parë të Senatit të Universitetit të Tetovës, Milaim Fejziu. Emri i Milaim Fejziut dhe profesorit Fadil Sulejmani e shumë personaliteteve u bënë mur i gjallë për të ngritur një kala e cila u siguron zhvillim dhe prosperitet shqiptarëve. U mundëson që të shkollohen në gjuhën shqipe, në gjuhën e tyre amtare, tha në fjalën e tij kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami.”/Nga mediet në gjuhën shqipe
– Nga fjala e kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasamit, 3 mars 2023
“Kështu, profesor Milaim Fejziu është heroi që pati kurajon, guximin dhe trimërinë si pak të tjerë, që në kohë tepër të vështirë të THEMELONTE Universitetin e Tetovës.”
– Nga fjala e kryetarit të Komunës së Gostivarit, prof. dr. Arben Taravarit, 2 mars 2023
Për më tepër, ndiqeni videon e emisionit në bashkëngjitje, ku profesor Milaim Fejziu nuk e quan veten themelues, por kontribues dhe ndërtues, bashkë me të tjerë, i Universitetit të Tetovës:
Lavdi jetës dhe veprës së profesorit Milaim Fejziu!
(4 mars 2023)
Please follow and like us: