Albspirit

Media/News/Publishing

Shefqet Meko: “LËNGIMET” E FJALËS SHQIP

Dikur ishin çensura dhe frika, “frenat” e gjuhës së kontrolluar… Sot ndiej “lëngimet” pa fund të Shqipes, së vetmes “pronë të përbashkët” që ende kemi
Më kujtohet e shkuara kur befas në komunikatat “nga lart” shpalleshin armiqtë e radhës. “…Armik i partisë dhe popullit…”. Unë dridhesha dhe frikesha së brendshmi dhe sillja në mendje “armiqtë që dënoheshin”… Largoheshin miqtë, shokët, kolegët, bashkëpunëtorët, fisi… ata mbeteshin “ishuj” të frikshëm. Shoqëria tmerrohej, por bëhej kujdes me fjalën. Në publik, në marrëdhëniet e përditshme, çdokush bënte kujdes me “fjalën që thoshim…”. Më tepër përzgjidhej heshtja nga një shumicë e respektuar, se sa “fjala e shthurur”. Funksionarët ideologjike “mbanin shënime” në mbledhje të mbyllura dhe pastaj vërsuleshin… Ne dëgjonim “Pa pyetje, pa diskutime”… Thënë shkurt, si njerëz që jetonim një shoqëri të mbyllur, thjesht dhe rreptë vetëm me “direktivë nga lart” ne përherë bënim kujdes me fjalën. Ne bënim “aleancë” me veten e kujdeseshim të mos lëndonim kënd. Fjalën “armik” e përdornim rrallë, ose përpiqeshim ta shmangnim në bisedat tona duke synuar një normalitet njerëzor. E djeshmja jonë kishte krijuar “Piramidën e fjalës”, por më ka mbetur në mendje një lloj meraku gati vetgjykim i heshtur, që të mos lëndonim të pafajshmin, ose ata që kishin në fis “cene biografike”, së paku në një masë të konsiderueshme të shoqërisë civile të asaj kohe. Shpesh “armiqtë jetonin mes nesh” dhe ne ishim njerëz që mirësilleshim me shumicën e tyre, sepse e dinim një çast, si rrufe, fati mund të na flakte “në kampin tjetër”. Fjala shqip ishte mes nesh, gati si një “mblese” e dashurisë njerëzore: ajo përshëndetje e dhimbëshme tek “radha e qumështit”, tek “stacioni urban”, shëtitjet në bulevardin e madh, ajo ecje monotone në rrugët me baltë, kishte “lubrifikues” fjalën shqip, që si mehlem, zbuste dhimbjen e kohës, e flutruronte mes një shoqërie “në unifromë”… Nuk kishim gati asgjë, por kishim përgjegjësinë ndaj “fjalës që thoshim”. Ishim njerëz që e dinim përgjakjen që sillte “shpata-fjalë”…
Dje, fjala kishte “peshën e pushteti” që të shtypte. Ne që punonim në shtyp ja thoshim haptazi njëri tjetrit “Shtypi të shtyp” që mund ta merrje si të doje…
Tani, pas dekadash “me lirinë e fjalës” ne kemi kapërcyer çdo cep të mundshëm. Vetëm më thoni një fjalë që nuk ka “pushtuar” publikun, duke ngjallur dhimbje dhe neveri… Nga “hambari” i gjuhës shqipe, nuk ka ngelur fjalë pa dalë “lakuriq” para shqiptarëve. E gjitha kjo më ngjan me një lëngim të dhimbshëm të gjuhës që duam. Gjuhën shqipe, të vetmen “pronë të përbashkët” që na identifikon si komb dhe kompaktësi etnike shqiptare, e kemi bastarduar dhe barbarzuar si kurrë në gjithë ekzistencën e vet…
Tani gjuha nuk ka më magjinë e “valsit të fjalës”. Shumica çirren dhe shkumbojnë urretje, me fjalë “çiban”, me gulçe të pashpjegueshme, me imitime të nevertishme ndaj “Njëshave” politikë, ligjërimi shqiptar është bërë një “Amebë” që gllabëron, që mbështillet si guackë djalli rreth fjalës shqip, e sajon, shpif, akuzon, “lexon pretenca”, “jep dënime”, bërtet, fjalë kuturu… Fjala e mençur shqip, sikur është “arratisur” nga realiteti… Askush nuk di të frymëzojë me ligjërime të men*ura. Në rrjetet sociale Shqipja Jonë është çarfalitur keqas, aq sa një ditë askush nuk do ta kuptojë dot… Ndërkohë, ekranistët dhe politikanët thjesht e përdorin si një “gjyle” që fundos çdo ndjesi, emocion, përjetim dhe shpirt njeriu. Vetë Gjuha Shqipe, më duket se eshtë në një “lengatë” pa fund: me dhimbje, me klithma të heshtura, me përpëlitje në shtratin e mosqënies së vet. A ka një rrugë ta shpëtojmë gjuhën shqipe? Cila “recetë” do mundej së paku të lehtësonte dhimbjet e gjuhës që po shqyhet dhe coptohet si “mall pa zot”?…
Më lëndon kjo gjëndje, por nuk kam një “ilaç magjik”. Lëngimet e gjuhës sonë, janë edhe mallkimi ynë i përbashkët, një mallkim që do të na ndjekë për shumë kohë duke “xhindosur” shoqërinë shqiptare, e cila shumë shpejt mund të jetë një “anije pa busull”, në shtrëngatat që pritet të vijnë…
Si ta qetësojmë shqipen nga këto “lëngime virale” shqiptare?…
4 Mars 2023.
Please follow and like us: