ZBULIMI I MADH I DOKTOR JAMAÇKËS…
( Proza e zgjedhur “Erosmetri“ i shkrimtarit Hysen Kobellarit dhe mesazhet e tij)
Nga Istref Haxhillari
Shkrimtar, studiues.
Dashuria në kuptimin më të gjerë e të thellë të fjalës, ndjenja misterioze që ka thithur në shekuj vëmendjen e njerëzimit, sidomos pjesës së tij inteligjente, filozofë, mjekë, psikologë, shkrimtarë e poetë, më në fund ka rënë në duar të sigurta e kompetente, doktor Jamaçkës, dijetarit të paepur, autor i studimeve serioze në fushën e erotikës. Vizita në Japoni i dha mundësinë të njihet me teknika të reja, të panjohura në pjesën tjetër të botës, sidomos shtysën për zbulimin e madh. Dhe më e habitshmja të gjithë ingredientët, përbërësit e barit çudibërës i gatuan në një jamake të vogël, apo jamaçkë, siç emërtohet nga anët e tij.
Doktor Jamaçka i “Erosmetri”-t të H.Kobellarit të kujton personazhin e famshëm sa mitik aq edhe real, Doktor Faustin. Me qindra krijime janë realizuar nga poetë, shkrimtarë dhe artistë nga mbarë bota me figurën e Doktor Faustit; kujtojmë “Faustin” e Gëtes, “Doktor Fausti, magjistar” të Viktor Eftimiut, ku figura e Doktorit paraqitet në disa dimensione, brenda tij kemi tre njerëz : “ Njëri Fausti Magjistar, alkimist, filozof, mbrekullibërës, tjetri fitues i zemrave dhe i treti Fausti mashtrues, aventurier, kuturisës.” (V.Eftimiu). Doktor Jamaçka ka nur prej këtij Fausti të famshëm …
Pyetja që e ka shastisur doktorin e Hysen Koballarit është e thjeshtë:
“Si ta matim dashurinë?“ – këtë ndjenjë sa hyjnore, aq edhe tokësore, njerëzore.
Të dua i thotë djali babait, vajza nënës, të dua i thotë i dashuri së fejuarës apo gruas së vet, të duam i thotë populli udhëheqësit legjendar, të dua i thoshte skllavi pronarit. Njerëzit s’e kanë për gjë ta lëshojnë dashurinë kudo e kurdo ua do puna, po në shumicën e rasteve ajo del kallp, si monedhat e vjetra të falsifikuara.
Tani s’ka më dëngla, fjalë të hedhura në erë, tallje me ndjenjën më të bukur të njeriut, tani or tungjatjeta duhet të mendohesh mirë para se ta lëshosh fjalën të dua. Erosmetri i doktor Jamaçkës t’i zbulon sakaq të palarat, të nxjerr çfarë ke përbrenda barkut, pa thuaj sa të pëlcasësh ti të dua e dëngri-mëngri.
Për të zbuluar instrumentin epokal doktori ynë e mori shtysën në Japoninë e Orientit ku dashuria është institucion, jo llafe në erë. Jamaçka studioi me hollësi mënyrën japoneze të të dashuruarit, po jo vetëm. Studimi u përqendrua mbi zemrën organin që prodhon dashuri. E ç’nuk studioi doktori derisa arriti të zbulojë erosmetrin apo dashurimatsin e vet.
Nën titullin e këtij instrumenti të çuditshëm, Hysen Kobellari rendit njëzet e katër rrëfime plot humor për kohën dhe njerëzit, për popullin e thjeshtë të shumëvuajtur dhe politikanët dredharakë, për djemtë e vajzat e dashuruara dhe pleqtë që ngrohin në diell ditët e tyre të prapme.
Dikush i shkruan letër gjithë dhembshuri e përmallim miut të shkretë që s’gjen derman nga macet, nuselalat, çarqet, një tjetër u qan hallin këpucëve që mbajnë ditë për ditë masa njerëzish të bezdisur, i këshillon të mos e vrasin mendjen se një ditë të gjitha do të përfundojnë pa këpucë atje ku përfundojnë gjithsaherë të gjallët e dheut. Në mbledhjen e radhës së Partisë hyjnë gjynahqarët të qajnë hallet e popullit dhe të piqen në hell nga autokritikat.
Ka e s’ka halle kjo botë, po si gjeli në shtëpinë e profesorit të rrallë janë. “Gjeli dhe Bosi” është një mrekulli rrëfimi, që ngjan me “Fairy tales”, të Anxhela Karterit, por që sjell në kujtesë realitetin shqiptar, që përtërihet e përtërihet ndër shekuj, si pjesë përbërëse e jetës njerëzore që gëllon mes andrrës e zgjandrrës …
E kështu parakalojnë me radhë tregime, monologë, ese, meditime, të cilat faqe pas faqeje të bëhen të dashura me mesazhet dhe filozofinë që përcjellin te lexuesi. Çdo pjesë e librit është e ndryshme nga tjetra, gjetjet të befasojnë me origjinalitetin dhe thjeshtësinë. Vëllimin me proza të goditura “Erosmetri“ e përshkon një ndjesi e hollë humori karakteristike për shkrimtarin Hysen Kobellari, humor që të nxit t’u shkosh deri në fund rrëfenjave plot kripë e piper.
Hysen Kobellari, tashmë autoritet letrar në fushën e botimeve për fëmijë, sjell një botim dinjitoz, shkruar me gjuhë të thjeshtë popullore, të kuptueshme e të asimilueshme për të gjitha moshat. Jam i sigurt se cilido që do të lexojë këto rrëfenja, jo vetëm do të argëtohet, por edhe do të vrasë mendjen t’u japë përgjigje pyetjeve të autorit për një mori shqetësimesh të mëdha e të vogla, të përditshme, të cilat shumëkujt nuk i vrasin syrin, por ia pikin zemrën.
Vërini vath në vesh përsjatjet e doktor Jamaçkës, pëpjekjet e tij titanike për të gjetur rrugën drejt të fshehtave të zemrave njerëzore! Bëhuni edhe ju pjesë e punëve të tij të bukura; duke qënë pjesë e kërkimit të diturisë dhe progresit, ju në mënyrën tuaj do t’i jepni kuptim jetës suaj dhe do ta ndryshoni botën.