Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Autorizim për një televizor ‘Lura’

 

 

Zotërinj demokratë, mjaft u hallakatët lartë e poshtë duke dhënë shpjegime për një individ që vetëm ka përfituar. Skeda elektorale e këtij individi është beterr. Kurrë nuk fitoi drejtpërdrejt një mandat. Është fatkeqësi kombëtare që me sistemet e ofruara të deritanishme më të votuarit nuk janë aktorë, nuk janë lojëbërës, por të mënjanuar. Mjaft është mjaft… nuk merret dhe jepet partia me autorizim televizorësh. Partia Demokratike nuk është televizor ‘Lura’ i kohës së xhaxhit. Atëhere veprohej kështu. Mblidheshin në ato ndërmarrjet socialiste dhe vendosnin e ndanin autorizime për televizor e frigoriferë. Jeni në një debat absurd dhe po i jepni vëmendje të panevojshme bash absuurdit. Merruni me votuesit. Kanë halle koke shqiptarët. Nuk ju voton Alibeu. Ai për vete është në rregull, ka marrë sa ka marrë dhe po bën luftën individuale. Ju po i jepni shumë vlera duke e mbajtur në gojë. Vetëm idiotët nuk e kuptojnë se sa thika pas shpinë i janë ngulur demokratëve këto pesë vitet e fundit. I keni kundër totalisht, ndërkohë kur shqiptarët presin. Aleanca duhet bërë me shqiptarët, jo me Alibeajn. A e dini përse? Se ata, shqiptarët akoma nuk po e kuptojnë se cilët janë në raport me shoqëritë e tjera përreth. Dje u përvëlua Athina edhe pse ishte aksident tragjik përplasja e dy trenave, sheshet e Athinës u dogjën. Sot po vlon Parisi, punë pensionesh, rritje moshe. Shqiptarët i kanë humbur këto ndjesi, pasi janë të mbytur nga thuajse të njëjtët surretër studiosh që 10 vjet janë me Berishën dhe kundër Ramës, por edhe anasjelltas. Turqia e dërrmuar shpalosi zgjedhjet presidenciale me një kurs opozitar gjithëpërfshirës. Më bashkëpunues, pasi dhuna e kultit të individit ka vrarë demokracinë. Në Shqipëri nuk ka fare demokraci. Gjithpërfshirja është vrarë me kohë. Edhe sot e kësaj ditë ia quajnë meritë Edi Ramës që bëri votime, jo zgjedhje lokale në 2019. Ja quajnë meritë që dominon në 60 bashki nga 61 që ka vendi. Ju merreni me mjekrrën e Alibeut. Po presin njerëzit nëpër Shqipëri se Shqipëria nuk është vetëm Tirana. Madje historia jonë tregon se proçeset e mëdha kanë nisur nga qytete, jo nga Tirana. Dilni dhe shkoni e flisni me njerëzit atje në rrethinat e tyre që ta prekni me dorë problemin apo shqetësimin qytetar. Jo nga podet e konferencave me çështje absurde si autorizimesh. Vetëm idiotët e besojnë këtë teorinë e autorizimit. Vetëm drejtësia anadollake shqiptare merr të mirëqënë një autorizim televizori. Si u dhënkan kompetncat kushtetuale me autorizim televizori. Është çmenduri të mendosh që një copë letër me firmë e vulë të shmangë problemet sociale të shqiptarëve. I bie që nesër kryeministri të autorizojë Beogradin të mbrojë Shqipërinë.

Dilni e flisni me njerëzit se koha rrjedh si uji. Vulistët meritojnë vetëm arkat me domatatet e pashitura të fermerëve. Kavanoza salce, vezë të prishura. Kaq.

Please follow and like us: