Vasil Muka: Rrugëtimi im në mësimdhënie për 48 vjet!
E nisa rrugëtimin para 48 vjetësh në fshatin e malësisë së Pukës, Mëzi e po vazhdoj të ndjehem i respektuar duke dhënë mësim në Universitetin “Marin Barleti”, e njëherazi duke punuar si specialist për arsimin, pranë Fondacionit “Frymë Dashurie”.
Sa i gëzuar e plotësuar, sa i vlerësuar e i nderuar jam, e lavdëroj Zotin që më jep shëndet.
Sot urimin e parë e mora pas familjes së nipave nga Teodori e më pas nga qindra telefonata e mesazhe. Unë të parën sëbashku me studentët e mi nga auditori urova mësuese Toninën e përmes saj gjithë mësuesit që më mëkuan dashuri e respekt për profesionin, gjithë kolegët e bashkëpunëtorët e mi kur isha kryeinspektor i arsimit 92 – 97, që na u desh të mbanim barën e ndryshimit te planeve, programe, teksteve e mendësive.
Apo te AEDP 1998 -2000 kur arsimi duhej ringritur, e krijuam rrjetin prej mbi 250 bashkëpunëtorë mesuesish.
Apo si pedagog ku qindra student u bënë pjesë e ndarjes së ideve të reja në mësimdhënie.
Apo kolegëve të DAR që respektuam personalitetin e mësuesit, sollëm risi e arritje, filluam Javën e Arsimit, festën e qytetit me flamurtarët etj.
Dhe ja sot besoj jam një model i njeriut që vlerësohet e kënaqem me studentët e mi e ata më duan e më shtojnë jetën e energjitë. Sytë ju shkëlqenin sot nga gëzimi kur në leksion iu recitova poezinë ‘Korça’ të Naimit e unë u përfshiva nga emocionet e kujtimet kur u recitoja nxënësve të dashur në gjimnaz.
Sot do festojmë edhe me kolegët e shkollës ‘Protagonisti’ e do urojmë të gjithë kolegët, nxënësit e prindërit: Gëzuar na mot festën e bukur të mësuesit!