Gjelok Marko: Klani i oligarkëve perëndimorë
Nuk është sekret fakti se që në kohën kur në SHBA u zgjodh president George Herbert Walker Bush, George Bush senior (* 12. Juni 1924 in Milton, Massachusetts; † 30. November 2018 in Houston, Texas) pushteti ekonomik jo vetëm në Amerikë, por edhe në Europë kish kaluar në një masë të konsiderueshme, në duart e personave të cilët kishin ideale krejt të tjera nga paraardhësit e tyre.
Ky klan i ri oligarkësh filloi t’i shpreh pjesërisht hapur këto ideale në libra, traktate e artikuj të ndryshëm, por më shumë filloi t’i imponojë fshehurazi duke përdorur pushtetin e parasë, filloi të influncojë politikanët, universitetet e ndryshme në SHBA, Evropë e kudo që mundej etj, për të influencuar në çdo mënyrë të mundur që këto ideale të jo vetëm të pranoheshin, por edhe të bëheshin mënyra dhe rruga e vetme drejt të ardhmes. Si instrumenta për realizimin e synimeve të tyre ata filluan të përdorin këdo që kishin mundësi ta përdorin: Përveç dirigjimit, mbështetjes e shfrytëzimit për interesave të tyre politike të organizatave e grupimeve si LGBT movements dhe inisiativave të ngjashme, profesorë universitetesh, projekte sociale e ekonomike etj.
Ky grup oligarkësh që desh të kish influencë sa më të madhe të bazuar në pushtetin e parasë vendosi të luftojë koncepte themelore si konceptin e kombit dhe atdhedashurisë, konceptin e familjes dhe filloi të mbështesë me të gjitha mënyrat madje dhe ata që luftonin që edhe vetë fjalët babë e nënë të hiqen nga fjalori. Edhe për mënyrën se si do të duhet të ish te shoqëria në të ardhmen ideologët e këtij grupi oligarkësh kishin parime “krejt të reja”.
Nuk do t’i analizojmë me hollësi pasi faktet janë të njohura. Si shembull ilustrues po sjellim vetëm parimet që anëtarët e këtij lobimi shprehnin hapur, të zezë mbi të bardhë në libra si “Own nothing and be happy”, etj ku autorët mundohen të na mbushin mendjen se duhet zhdukur pronësia në popull, sidomos klasa e mesme duhet të eliminohet dhe të gjithë të mos kenë asnjë pronë.
Sipas autorëve, “personat e familjet duhet të jenë krejtësisht të lirë nga pronat e tepërta. Në qoftë se do t’u duhet të organizojnë një festë familjare mund të shkojnë në institucionet e caktuara dhe të marrin me qira pjatat shtesë që ju duhen”. Sipas autorëve një liri e tillë nga prona, një vartësi e tillë totale nga shteti, ishte rruga më e mirë drejt lumturisë. Sa më shumë kalonin vitet aq më shumë rritej influenca e këtij grupi oligarkësh në politikën e SHBA dhe të vendeve të tjera perëndimore.
Në Gjermani ky grup oligarkësh doli me parullën “Wandel durch Handel“ (Të sjellim ndryshime nëpërmjet marrëdhënieve). Gjermania u bë terreni i eksperimentit të këtij parimi. Sipas teoricienëve të këtyre ideve diktatorët e regjimet diktatoriale do të ndryshohen po qe se ne krijojmë marrëdhënie me ta. Në qoftë se ne tregojmë vullnetin tonë të mrë me fakte konkrete edhe pala tjetër do të pendohet dhe do të ndryshojë. Ky parim u ndoq në marrëdhënien e Gjermanisë me Rusinë. U planifikua të krijoheshin struktura ekonomike të tilla që e vendosnin ekonominë gjermane në varësi gjithmonë e më të madhe nga gazi që importohej nga Rusia.
Nga ana tjetër Gjermania anulloi ligjin e detyrimit ushtarak dhe shkurtoi në minimum fondet për ushtrinë gjermane, pavarësisht nga fakti se Rusia bënte të kundërtën. Politologët e analistët propagandonin se masat e njëanshme të Gjermanisë ishin rruga drejt paqes dhe do të vinte me siguri dita që edhe Rusia do të bënte të njëjtën gjë. Sulmi i Rusisë në Ukrainë i zgjoi politikanët në Gjermani dhe i dha fund eksperimentit. Humbjet janë shumë të mëdha jo vetëm për Gjermaninë po për të gjithë Perëndimin. (Të njëjtën gjë mundohet ta bëjë Edi Rama me Vuçiçin e Serbinë, pavarësisht nga zhgënjimi i Gjermanisë). Pas përmbysjes së komunizmit në Shqipëri ne i hapëm dyert, zemrat… gjithçka ndaj influencës nga SHBA e Perëndimi.
Shumë e drejtë! Po nëse ishim naivë në vitet e para nuk na falet naiviteti sot pas kaq vitesh. Fakt është se jo gjithçka që na vjen nga Perëndimi me etiketën parimeve të lirisë e drejtësisë është e tillë. Është fakt se klanet e oligarkëve kanë ndikimin e tyre në politikanë e institucione të caktuara perëndimore. Kjo influencë vjen tek ne. Nuk është e tepërt të mendojmë se këto grupime oligarkësh do të mundohen ta përdorin Shqipërinë e shqiptarët si terren për të eksperimentuar me idetë e teoritë e tyre.
Lind pyetja: A ka prova se ka grupe perëndimore që kanë synime të tilla? Le të shohim faktet. Sapo fitoi demokracia, askush nuk i pengoi qeveritë perëndimore të ushtronin influencën e tyre në Shqipëri. Dhe na erdhën organizata qeveritare e jo qeveritare, na erdhën me projekte ekonomike madhështore të cilat na dështuan “për faj të shqiptarëve”. Kurse perëndimorët në asnjë rast nuk ishin fajtorë. Na erdhën baronë e investitorë të pasur, na ardhi George Soros, na premtuan shumë e na realizuan shumë pak, për “faj të korrupsionit të shqiptarëve”.
Nga ana tjetër po këta persona, shumë të pasuksesshëm në realizimin e premtimeve të tyre ekonomike u treguan shumë të aftë e tepër të suksesshëm në politikë. Këta investitorë e humanistë të ndershëm për çudi ditën të zgjedhin si partnerët e tyre më të besuar, më të korruptuarit ndër gjithë politikanët shqiptarë. Pas gjithë këtyre viteve premtimesh e zhgënjimesh nuk është ilegjitime pyetja: A përfaqësonin vërtet këta politikanë e humanistë të shquar idealet të cilat trumbetonin? Ne shqiptarët kemi gjithmonë tendencën të pranojmë lehtë akuzat dhe t’i hedhim fajin vetvetes, edhe atje ku nuk jemi fajtorë. Vitet e gjata nën diktaturë dhe nën pushtetin e padrejtësisë shtetërore kanë krijuar tek ne si komb një mentalitet të tillë. Edhe sot po të intervistojmë, shumica e shqiptarëve do të na thotë se fajin për gjendjen e mjeruar në të cilën ndodhemi e kanë shqiptarët, vetëm shqiptarët dhe askush tjetër. Vetëm shqiptarët janë fajtorë për drogën, korrupsioni dhe gjithçka tjetër të keqe që është në Shqipëri.
Po a është me të vërtetë kështu? A ka të paktën bashkëfajtorë? A ka persona të huaj, politikanë perëndimorë që kanë pjesën e tyre në situatën në të cilën ndodhet Shqipëria sot? Ambasadorja Yuri Kim, në prag të zgjedhjeve lokale takoi gjithë drejtuesit e partive politike. Sali Berishën nuk e takoi. Njëri nga komentatorët ndërmjet të tjerave tha: “Ambasadorja u dha dorën dhe legjitimoi atyre që kanë dorën më të gjatë në korrupsion, atyre (që në mënyrë figurative) u duhet prerë dora”. Si do të mund të besojmë se ajo do të na e zgjidhë problemin e korrupsionit? Nuk kemi ndërmend të dalim në mbrojtje të Sali Berishës, apo të akuzojmë e të përmendim emra konkretë. Populli shqiptar tani i njeh politikanët.
Korrupsioni është futur thellë në të gjitha anët. Prandaj ndofta zgjidhja më e mirë do të ish një qeveri e shpëtimit kombëtar ku të qeverisin persona të ndershëm, mundësisht të paangazhuar në asnjë parti politike deri sa të zgjidhet problemi i korrupsionit. Sido që të jetë na duket shumë me rëndësi të vemë në dukje faktin se duhet analizuar me imtësi gjithçka që na vjen, edhe nga burimet perendimore. Është fakt i dhimshëm, por i vërtetë se klanet e korrruptuara oligarkike kanë influencën e tyre edhe në politikën e SHBA dhe të vendeve të tjera perëndimore. Nuk duhet lejuar që këto klane, të maskuara pas idealeve të lirisë ta përdorin Shqipërinë e shqiptarët si terren eksperimentimi për idetë e teoritë e tyre politike. Jo nuk e humbasim besimin te idealet e lirisë të drejtësisë. Jo nuk themi në asnjë mënyrë se nuk duhet të kemi më besim tek SHBA apo te Perëndimi. Po nga ana tjetër nuk duhet të mbyllim sytë ndaj faktit se ka edhe zyrtarë perëndimorë, ka rryma politike në perëndim që nuk përfaqësojnë idealet e vërteta të Perëndimit. Nuk duhet të lejojmë në asnjë mënyrë të na mashtrojnë në emirin e idealeve të Perëndimit ata që në fakt përfaqësojnë të kundërtën e tyre.