Albspirit

Media/News/Publishing

Izet Shehu: MOS MË QORTONI!

Mos më qortoni, bijat e mia,
Mos më qortoni,
Kur eci rrugëve si ka i hutuar!
Kudo ku shkel,
Prek buzët e një honi,
Prek dhimbje njerëzore,
I shqetësuar.
Prek mëngën e çjerrë të kohës,
I ruhem krisjes së akullt të saj.
Rrahur nga breshëri,
Nga tërsëllima e llohës,
Ndjeni si më rreh zemra?
Si qesh? Si qaj?
Hapini sytë,
Ku shkelni mbi vijat e bardha,
Priteni syrin jeshil kur të dalë,
Të kuqit qiklopik ruhuni,
Trembuni nga thirrja e tij: “Ndal!”
Mos më qortoni, bijat e mia,
Mos më qortoni,
Ku eci rrugëve si ka i hutuar!
Kështu kam ecur…
Në buzën e një honi,
Flokët e rrufeve duke kapur me duar.
Please follow and like us: