Një letër e panjohur e Mit’hat Frashërit
Një dokument i rrallë që publikohet nga studiuesi Uran Butka
Mid’hat Frashëri
Letër
Të dashur Zotërinj Luan, Adem dhe Ibrahim,
Përpara syvet kam letrën e z. juaj datë 24 dhjetorit. Ato ditë kish ardhur edhe Fatoni këtu në kampin tonë; ndenji një javë mysafir dhe letrën e kënduam së bashku.
Letra juaj më gëzoi fort shumë, se kam një kohë të gjatë që s’kam marrë gjë prej jush.
Por, nga ana tjatër, u mërzita që edhe ju, si ata që ndodhen në Sitia (Kretë) po vuani. Për situatën tuaj kemi bërë fjalë këtu tek të dy Aleatët, kemi shkruar në Londër dhe Londra është në Korespondencë me ambasadën në Athinë; unë po i mbanj në korent ato zyra dhe ia njoftonj Abaz Ermenjit në Athinë. Ju lutem edhe juve, për çdo lajm bëni dy kopje, për mua dhe për Abaz Ermenjin; kështu evitohet vonesa dhe koordinohet aktivitetit ynë.
Nga Iraklion, Rrethimno etj. na shkruajnë se situata e tyre, për ushqim, banesë dhe sjellja e popullatës është përmirësuar shumë.
Ato që më thoni për restriksjonet në Shqipëri, i kemi botuar dy muaj e gjysmë më parë në “Lettre d’Albanie”. Por gjithnjë kemi nevojë të madhe për habere. Prandaj ju falem nderit, dhe ju lutem të vazhdoni informatat.
Do ta kini marrë buletinin tonë nr. 13. Për 4-5 ditë do të mirrni dhe numrin 14; në të dy këta numra flasim për ekzekutimet që janë bërë në njerëzit e punimeve të Maliqit.
Për lajmet që më jipni mbi transferimin tuaj në Lavros, pres konfirmimin; por mua edhe s’ma pret mendja që të jetë vërtetë.
Për refugjatët e Italisë nuk dijmë dhe nuk ka akoma gjë pozitive. Ne po ndjekim një dëshirë: të mblidhemi gjithë tok, ju të Greqisë dhe na t’Italisë; dhe gjithë së bashku të çohemi jashtë Italisë, si në ishullin Kipro, ose në Egjipt, ose në Tunis; aty të organizohemi dhe të presim. Këtë ta kuvendoni edhe ju, në qoftë se ju pyet ndokush.
Tani vijmë në çështjen e një programi politik, e një ideologjije:
Kini meritë të madhe që keni prekur këtë pikë dhe do t’ju këshillonj, juve të treve si miqtë e mi që jini, të bisedoni midis jush dhe të përpiqi të hartoni një skicë, një kanevas, një plan. Por, e tepërt t’ju lutem, ky punim duhet të bëhet si një ushtrim, si një projekt preliminar dhe jo me pretendime reformatoreje ose legjislatori.
Tani duhet të kthjellojmë do pika.
A. Thoni që Balli si parti demokratike ekziston që një mot.
Përgj. Jo, ekziston që shtatë vjet; Balli mbetet kurdoherë një parti nacionaliste dhe fanatike nacionaliste, për të mirën e Atdheut, për nderimin, lumturimin, naltësimin, përparimin e Shqipërisë. Padyshim jemi demokratë, kemi detyrë të jemi patriotë. Mos pandehni se jemi demokratë si Azerbajxhani, si Rusija, si Titoja, as edhe si Koçi Xoxeja.
Por, për Shqipërinë, për karakterin, për idetë, për edukatën, duhet të jemi aristokratë edhe aristokratë nga më fanatikët.
B. Ideologji?
Përgj. Kemi adhurimin e Shqipërisë. Ne jemi shërbëtorë të Shqipërisë; me këtë titull duhet të nderohemi, në qoftë se munt të jemi të zotë të meritojmë këtë titull.
C. Program Politiko-Shoqnuer?
Përgj. Kemi dekalogun e Ballit.
D. Kriter për veprimet tona?
Përgj. Kemi dashurinë e Atdheut, dashuri pa kufi, dashuri si ajo e mëmës për fëmijën e saj. Një dashuri instiktive.
E. Pse, qysh?
Përgj. Se na jemi bijt’ e Shqipërisë; Shqipëria është mëma jonë. Kundrejt Atdheut kemi vetëm detyrë, asnjë të drejtë, përveç të drejtës që ta adhurojmë dhe t’i shërbejmë.
Mos harroni se një program i gjerë dhe i imtë mund të bëhet vetëm me anë të një kongresi të vërtetë, si të kthehemi në Shqipëri….
(mungon një faqe- red)
Nga Crispi mora një letër. Është në shërbim të shtetit fqinjë dhe nuk do të jetë në korespondencë me ne.
Më kini bërë fjalë prej një zonjë Qanie Zavalani. Kjo është një shtrigë kriminale. Ka përgatitur dhe shkakëtuar vrasjen prej italianëve të Baba Qazimit, në Teqen Durballi, në Larisa (Thesali) dhe me t’u vrarë Babaj, ajo vodhi gjithë sendet e vlefshme dhe u çduk! Kur ta rishihni ndonjë herë ia kërkoni hesapin e krimit të saj dhe e dëboni si spiune që është.
Shumë të fala të gjithëve, pres letrën tuaj.
Lumo Skëndo.
P. S.: Ju të tre, me shokët tuaj, kini kujdes që sjellja juaj t’u japë të huajvet një ide të mirë për kombin dhe partinë. Mos jipni asnjë shkak për ankime.
P. S.: Shumë të fala me shëndet. Të më falni se nuk ju kam shkruar ndonjë letër (sidomos ti, Luan, që më ke shkruar kaq shumë); por letrat tuaja i kam këndue, edhe nuk kam pasë se ç’t’ju them të tjera, veç ato që ju kam shkrue kryetari edhe Fatoni.
Me shumë mall
Vasil.
Luan Gashi, Adem Gllavica dhe Ibrahim Kelmendi ishin drejtues të Rezistencës Kosovare deri në vjeshtë 1945. Ata qëndruan disa vjet ne kampet e emigracionit politik në Greqi dhe qëndruan të palëkundur në vijen e nacionalizmit shqiptar të pa korruptueshëm. Me vonë Luani kalon në ShBA ku mbrojti çështjen kosovare, ndërsa Ademi dhe Ibrahimi shkuan në Australi ku u morën me punë shkencore dhe veprimtari atdhetare.
Please follow and like us: