Albspirit

Media/News/Publishing

Behar Metohu: INKUBACION

Tregim

 

…Ai po e shikonte drejtëpërdrejtë pas xhamit të akullt të dushit siluetën e saj. Lëvizjet e shkathta truprore si një gjarpër që vërvitet pas një trungu peme i krijoj një mornicë të papritur.  Ai nuk do të dëshironte të kalonte rrënqethje nervore pa shkak të natyrshëm… Gjarpëri lëvizi shpejt dhe e kafshoi fort mbi gjoks… Ah bërtiti. Pa pritur u zgjua nga një ankth dhe në errësirën kapitëse të natës kuptoi se kishte parë një ëndërr…

Gruaja me shenjë 

…Ajo kaloi pranë tij në dyqanin e mbushur plot e përplot me njerëz. Atij i bëri përshtypje trupi i saj i imët dhe delikat prandaj vuri vështrimin mbi flokët gjysëm të verdha e gjysëm të bardha, të kapur me një karfice të larë në flori. Por, kur ajo ndaloi dhe ktheu kokën, ai vështroi një shenjë në krahun e majtë të hundës po aq delikate, por që tregonte se kur ishte e re, ajo ndoshta do të kishte qenë një hundë mjaft e bukur. Tashmë mosha e saj vështirë se kuptohej se çfarë shifrash mbante…

Inkubacion…

…Kur ishin njohur ata veçse 22 e 23 vjeç, ai ishte rrëmbyer pas flokëve të verdhë, të gjatë e të hollë si dhe delikatesës të shfaqur në çdo lëvizjeje të trupit dhe të shpirtit të ndjeshëm e plot gëzim. Në ditët e nxehta të verës i bleu asaj një karficë të larë në flori që i kushtoi shumë si shenjë e lidhjes së tyre që po forcohej nga dita në dite. Por, ajo kohë kishte ikur dhe një ditë papritur fati i ndau. Ai e kërkoi për shumë kohë, por nuk e takoi kurrë. Kaluan mjaft vite dhe ai kishte pësuar transformimin shpirtëror duke jetuar thjesht me imazhin e  asaj kohe të rinisë dhe ndoshta me kaq jeta e tij do të mbyllej për të mos njohur dashurinë e virgjër që mbetet e pacënuar nga asnjë rrethanë familjare apo shoqërore. Si në një inkubator jashtë çdo ndikimi ai ruante të freskët në kujtesën e tij atë marrëdhënie, e cila u zhduk befasisht dhe mjaft misterioze. Ai përjetoi këtë ndjenjë, e cila ndoshta e vetme do të mbetej e kulluar dhe e pastër dhe e papërlyer nga asgjë jashtë kësaj ndjenje. Prandaj që nga dita që u shkëput prej saj, pa e mësuar kurrë shkakun, ai jetoi me këtë imazh të fuqishëm të kësaj ndjesie të veçantë rinore, që i transformoi shpirtin e tij dhe zbuloi gjeniun e fjetur brenda vetes. Një ditë kërkoi të shkruante diçka, të zhgaraviste një letër të bardhë, të ngjyroste të artën e flokëve të saj dhe i mbërthyer në kavalecin e tij krijoi portretin e saj kaq delikat.

Gjithçka delikate u derdh me ngjyrat e zbehta dhe konturet e holla të portretit të saj të bukur. Profili magjepës me hundën helenike krijonte me flokët e gjatë të drejtë të kapura bukur me krficën e artë e sytë jeshilë imazhin e njeriut që i rrembeu shpirtin. Por, fati ishte ndryshe, krejt ndryshe… Vitet rrodhën dhe portreti i saj i pikturuar mbeti në vendin e punës së tij. Për vite e vite me radhe ai  e vështronte këtë portret si çastin e vetëm magjik që nuk kishte për ta gjetur kurrë më…

Magjia e karficës së artë…

Nuk besonte tek shpikjet apo improvizimet që të çonin tek magjitë. Por, ai i thoshte vetes vetëm një gjë, se në moshën 23 vjeçare kishte ndodhur një magji. Shpirti i tij ishte trazuar përgjithmonë.

Pas kaq vitesh në atë dyqan të bukur me ikona, piktura,skulptura dhe bizhuteri magjepsese vinin të pasurit, manjatët si dhe njerzit e artit, ata që i krijonin ato. Ai sillte pikturat e tij që kishin patur mjaft sukses. Gjithçka rrezatonte bardhësi shkëlqim dhe delikatesë ku duhej të ecje vërtetë plotë elegance. Ai pa përsëri siluetën e gruas së vjetër, që tashmë kishte vënë një kapele të bardhë dhe po ecte në drejtim të daljes së dyqanit. Në duar mbante një lule të derdhur në një qelq të kristalt. Ajo e mbante me kujdes për të mos i rrëshqitur nga dora. Atë seç e tërhoqi lëvizja e ngjashme e trupit të imët në një moment që e kishte parë vetëm atëherë kur ishte 23 vjeç. Prandaj ngriu në vend dhe pa e kuptuar ndoqi siluetën e gruas së vjetër me kapele të bardhë. Kaçurrelat e tij kishin marrë bardhësinë e moshës dhe vënde vënde ato ishin rralluar në kokën e tij. Hapat u shpeshtuan dhe ai tashmë pothuajse gjëndej pas trupit të saj jo më shumë se dy pëllëmb, pranë një veture të vogël e të bardhë të hapur verore . U bë gati ti fliste me emrin e 22 vjeçares, por nguroi dhe ktheu pak trupin duke parë poshtë në tokë sikur diçka i ra. Kur u kthye përsëri në drejtim të saj, ai pa xhamin e makinës, portretin profil të saj, hundën e hollë elegante, por me një shenjë dalluese që qëndronte si damkë e një dhune të ushtruar mbi të. Ajo e rregulloi lulen e derdhur në qelq në një kuti të sigurtë, të mbuluar me kadifenjtë dhe ngjeshi pak kapelen diellore mbi kokë . Burri kaçurrels me floket e thinjura qëndronte pranë xhamit dhe kur ajo ndezi motorrin, ai  doli para parafangos së makinës së bardhë duke i ngritur krahun. Ajo frenoi dhe mbeti e shtangur.

– Pse zotëri? –  foli me zërin e ngjirur, ku gati sa nuk i tretej në ajër.

Ai vazhdoi të shikonte fytyrën e saj dhe nuk kuptonte çfare fshihej pas asaj shenje në hundën e saj. A ishte 23 vjeçarja qe kishte njohur shume vite më parë apo… dikush tjetër?!

– Zotëri flisni ju lutem… pse e bëre këtë veprim?!

Ai nuk foli, por qëndronte i shtangur dhe ngadalë po i afrohej derës së shoferit tashmë të hapur.   Ajo doli me rrëmbim nga makina, kapelja i rrëshqiti dhe gati sa nuk përplasën duart tek xhami i derës.

– Donit të më dërgonit në burg?! Çfarë ju kam bërë?!

– Jo zonjë, – foli i shqetësuar, – asgjë! Ajo kaloi dorën mbi ballë duke larguar balluket e bardha me të verdhe përzierë. Hoqi një karficë nga flokët dhe rilidhi flokët e artë që përziheshin me bardhësinë e moshës së saj! Ai pa lëvizjet e duarëve që kapën flokët me karficë dhe befas sa nuk rrëshqiti, por u mbajt tek dera e makinës dhe i tha plot rrëmbim:

– Ju jeni vajza e bankierit të njohur të dikurshëm?!

Emrin e saj dhe të atit nuk e përmendi.

– Po, babai im ishte bankier – dhe u ul gati e këputur në kolltukun e shoferit të makinës.

– Kur ishit 22 vjeçe keni patur një shok kaçurrels të dashur? – guxoi burri i thinjur! Ajo nuk foli por vetëm qeshi dhe tha:

– Nuk mbaj mend të kem dashuruar njeri, zotëri.Unë nuk jam dashuruar e martuar kurrë.

Ai nuk foli. Ndjeu veten ngushtë. Do të jem ngatërruar me tjetër njeri, – tha me vete dhe ndjeu turp për çfarë ndodhi!

Kur papritur nga dyqani del një djal i ri që shërbente aty dhe i drejtohet me nxitim makinës së bardhë të gruas së vjetër.

– Zonjë, – tha djaloshi me rrëmbim. -Ju keni harruar kuletën mbi banak. Është e juaja. Merreni ju lutem! – dhe ja la në dorë.

– Faleminderit – tha plaka duke u dridhur dhe e shtrëngoi fort në dorën e saj.

Ai u afrua më shumë dhe po shikonte shenjën në hundën e saj të bukur, por delikate dhe të brishtë. Ai dalloi qartë se ishte shenjë goditjeje e fortë, që kishte lënë gjurmë të dukshme dhe të parriparueshme.

– Çfarë shikoni ashtu zotëri? – pyeti ajo duke vazhduar dridhjen e saj.

– Ju keni një hundë të bukur, – tha burri i plakur,-  por keni një shenjë në të! E keni patur që në lindje? – pyeti ai tashmë më i vendosur.

Ai gati sa nuk i preku balluket e verdhë në të bardhë me dorë por u tërhoq! Ajo vazhdonte të qëndronte e heshtur dhe sytë jeshilë ju hapën fortë dhe bërtiti!

– Jo, Jo, Jo, – tre herë dhe ngashereu në lot. Ajo vuri duart mbi timon dhe tha:  – Mua më bën magji shtriganët. Po, mua më bën magji shtriganët…

Ai ju afrua dhe më pranë duke ndjerë më fort dridhjet e saj.

– Kur dola nga spitali, – vazhdoi ajo,- nuk mbaja mend asgjë çfarë më kishte ndodhur më parë. Unë  u ndodha në një vend të panjohur, shikoja përpara vetëm një lëndinë të madhe golfi dhe një kopësht me lule pranë një shatërvani që nuk i kisha parë kurrë. – Ajo heshti dhe shtrëngoi edhe njëherë timonin e makinës me gishtrinjtë e hollë e të pafuqishëm dhe nervozë, që vazhdonin ti dridheshin.

– Shtriganët më bën magji… magji… magji. – përsëriti e nervozuar dhe vazhdoi,- babai im kishte vdekur unë mbeta me nënën dhe jeta ime ishte një gjë pa kuptim. – Ajo ngashëreu fort në lotë.

Në duart mbi timon ajo ndjeu duart e burrit të vjetër, të cilat e përkëdhelën. Ajo pa sytë e tij që po lotonin dhe më pas njerën dorë që i vuri mbi baluken e verdhë. Ajo u nervozua dhe u shmang dorës së tij. Ajo uli kokën mbi timon dhe nuk lëvizi, por mbylli përgjysëm sytë jeshilë dhe në kujtesën e saj të vrarë filluan të zgjoheshin… si në mugëtirë ndjeu veten të re, të veshur me fustan të bardhë dhe përballë saj afrohej një djalë i gjatë, i veshur me një frak të zi,  në një lëndinë të mbushur me lule. Ai kishte këputur disa prej tyre dhe po i sillte asaj aromën e freskët. Ato ishin shumëgjyrshe. Ishte Shën Valentini dhe ajo prekte lulet, prekte kaçurrelat e zezë të djaloshit, prekte faqet dhe buzët e tij duke u mahnitur nga vështrimi i tij i ngrohtë….Në mjegullnaj u shfaq karfica e artë që i verboi syte. Djaloshi ia kishte lënë dorë që të lidhte flokët e gjatë…

Ndërkohë, që ajo  mendohej ai dalloi qartë se forma e karficës ishte identike si ajo e pikturës së portretit të saj pas zhdukjes së vajzës.

-Kush jua ka dhënë këtë karficë, zonjë?! Qenka vërtetë e bukur!

-I dashuri im që e humba, zotëri, – kështu më ka thënë ime më.- foli si nëpër tym ajo

-Po ju thatë që s’keni patur të dashur?!

-Nuk e them unë, por nëna ime. Ajo ma la porosi që ta mbaja gjithë jetën. Por unë nuk e kujtoj atë djalë. Ah lermeni zotëri.

-Nuk e kujtoni lëndinën kur ju sollën lulet atë ditë dhe bashkë me të edhe kjo karficë?  – tha ai dhe u afrua edhe më pranë. Ai vuri duart mbi timon.

Duart e tyre u kapërthyen. Ajo lëvizi rrëmbimthi dorën e majtë nga timoni dhe me gishtin drejt fytyrës së tij me një zë të mbytur ,por të vendosur i tha:

– Ti je ai kaçurrelsi që më solle lule tek lëndina për Shën Valentin?!

Ai vështroi flokët e saj të zbardhur, mbi timon dhe ndjeu që gishtrinjtë e tij ishin lagur nga lotët e saj.

–   Po,- tha burri i vjetër me zë  të qetë… Ajo ngriti kokën me rrëmbim nga timoni dhe e vështroi në sytë e përlotur të tij…

Shumë kohë më pas makina u nis me të dy pleqtë drejt Miamit ku ndodhej lëndina e luleve.

 

9 mars 2023, Miami Beache – Florida.

 

Please follow and like us: