Albspirit

Media/News/Publishing

Shuhet Terezina Marubi, këputet fija e fundit që na mbante lidhur me dinastinë e fotografisë shqiptare

Shuhet Terezina Marubi, këputet fija e fundit që na mbante lidhur me dinastinë e fotografisë shqiptare
Ka reshtur së frymuari në tokësoren e çdoditshmërisë shkodrane, Terezina Marubi, e bija e Gegë Marubit, e fundit e një dinastie shkëlqimtare, asaj të fotografisë. Kah amshimi hedh hapin ajo që me emrin dhe kontributin e saj mbajti një premtim, përmbushi një amanet dhe mëtoi përulësisht një gjeneratë të zëshme.
Fatlum ishim ne që ishim brezi i saj, por Fototeka Kombetare “Marubi” ka humbur një logo, ndahet me një zë, gatitet kah një lamtumirë që do ti dhëmbi gjatë. Sepse Terezina e shenjtëroi misionin e vijimsisë së një manifestimi vlerash dhe atributi cilësishë, që shndëruan kohërat, dhe gjeneratave i mëkuan një hir të lartësuar në mison.
Terezina Marubi nuk është më, si prezencë, si kontribut. Këputur është filli përbashkues i një kohje që u rrek të bashkëlidhte shpirtin krijues të së bukurës dhe të dëshmonte buçimshëm me zë e figurë, se kah vijmë dhe kujt i përkasim, cilat vlera përfaqësojmë, dhe sa i çmueshëm është ky testament.
Sepse “Marubi” nuk është vetëm fotografia, është vetë hapi i rëndë e i gjëmimshëm i historisë, është atyshmëria e prezantimit dhe promovimit të atyre vlerave, të cilat përmes fotografisë guxojnë të shfaqen triumfalisht si shprehi e shpirtit të kohës, si trashëgimi dhe vlerë përfaqësimi, si të gjallët e atyre që përjetësie i ka rrëmbyer, për të mos mundur t’i gllabërojë tërësisht. Ata lanë te Marubi, te Gega, te Terezina, atë tharm amshimi që e pavdekëson çfarë e tyre mbeti plazmuar.
Iku Terezina, ndoshta këputja e këtij filli vetëm sa e ngre në qiell çfarë ajo përfaqësoi, çfarë ajo mëtoi me kontribut dhe vlerë, me angazhim dhe dëshmim, si ADN dhe lëvrim.
Pas saj, ka të tjerë, por një zbrazëti është më prezente, një lamtumirë është edhe pse e pakohëshme, mbetet reale, e këtushme, dhëmbshurisht e pritshme, sepse vdekja, prej të gjithë përgjimeve, ajo është më mizorja.
Terezina Marubi kah mashimi ka hapur krahët, e shpirti i saj lutet me Parajsë të shpërblehet, me dritën e pasisur të mëkohet ajo e hyjshme tokësoreje!
Hiri i asaj zonje është fikur, por ka mbetur ndezur buzëqeshja e saj që feks ende në sa e sa takime, e promovime, kumtime e mëtime si një zëshmëri e një shpirti që lartësoi Shkodrën në veprat e pashembullta të krenimit, fotografisë dhe më të lartësuarave shprehje të devocionit.
Tereza u mbrujt me fotografinë që në moshë të vogël, në studion e familjes, e në vitet 2004-2010 punoi si specialiste kimiste për mbrotjen e negativëve pranë Fototekës Marubi, njofton Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”.
Ikja e Terezës është ndalim i një fryme që i dha shpirt atyre xhamave, negativëve, regjistrave, e gjithçfarë Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” ish dhe mbeti një nga instituicionet kulturore, me vlera kombëtare në Shqipëri. Tempulli ku ruhen mijëra fotografi, të realizuara nga fotografët më të njohur shqiptarë. Mes tyre, gjendet edhe negativi i fotografisë së parë shqiptare, realizuar nga fotografi Pjetër Marubi.
Në këtë institucion ku Trerezina dha një kontribut të pashembullt ruhet dhe mirëmbahet, trajtohet dhe promovohet puna dhjetra vjeçare e fotografëve të tjerë shkodranë te familjeve Pici, Jakova, Raboshta e Nenshati. “Gjithësej, në total në Fototekën “Marubi” bëhen rreth 500 mijë negativë, duke u futë edhe fondi i ri i Angjelin Nenshatit.
Fototeka ku Terezina ishte shpirtja e fundit e kohërendies, është një minierë, atë mund ta krahasojmë, dhe dallohet jo vetëm për sasinë e madhe por edhe shumëllojshmërinë, tematikat e ndryshme. Aty në xhamat e grumbulluar janë fiksuar veprimtari ekonomike, shoqërore, politike, administrative, ushtarake, etj., të cilat përbëjnë një material të pazëvendësueshëm për studiuesin. Fototeka pret të bëjë edhe një klasifikim të brendshëm të materialieve, që t’i shërbejë më mirë studiuesve. Këtu hyn edhe skedari ose aparati informativ, që do të jetë kronologjik, tematik dhe krahinor.
Terezina nuk është më por “Marubi” do të vijojë të jetë një yllë i shumëdritshëm në kontelacionin e yjësisë së krenarisë dhe kulturës shkodrane, asaj tradite që ka mbijetuar rrebesheve dhe privimeve asgjesuese, për të qenë dhe për t’u trashëguar gjenerateve embelatike për Shkodrën dhe fotografinë shqiptare.
Please follow and like us: