Albspirit

Media/News/Publishing

AZEM HAJDARI, KUSHËRI NË 9 BREZA ME HAXHI ZEKËN E BAJRAM CURRIN

Nga Ramiz LUSHAJ
1.
Azem Hajdari vjen në jetë e në histori nga fisi i Krasniqes, për nga territori e popullsia, ma i madhi fis në Malësinë e Gjakovës (Tropojë).
Në rrjedhat historike, të parët e fisit të Krasniqes, sipas variantit ma afër të vërtetës, kanë ardhë – hap pas hapi e brez pas brezi – nga Fushë-Dardania, nga “Krasniqja e Vendit”, e janë ngulë ma së parit në zotërimet e “Ponarit të Lekës” (Leka Pjetër Spanit), aty, ku Drini takohet fytyrë për fytyrë me Valbonën. Aty e kanë gjetë rranjëngulun fisin e Ponarëve, ma i hershmi fis në Malësinë e Gjakovës, që kanë ecë deri në shek. XXI, pa u shpërngulë e pa u shue në breza e tuj u rrudhë në toka vrrini e bjeshke.
Ky vend hyjnor për nga mitet e bukuritë, historik nga figurat e realitetet, kryeqendër industriale nga periudha iliro-dardane (shkrirje metalesh, etj.) e deri te ngritja e veprës së madhe energjitike të Fierzës, kryeqendër administrative, fetare e tregtare e Pultit (nga Dardania vinin të blinin krypë e në Dubrovnik conin mëndafsh, venë, etj.) në hershmëri historike mbante një emën të bukur të burimit të shqipes Ndërlumna, me shtrirje deri aty te bigohet Valbona me Bushtricën, tuj përfshi edhe fshatin e sotëm Degë, ku brezat ma të fundit të Azem Hajdarit kanë jetnim prej fundit të shek. XVIII e deri më sot.
Në këtë vend, (Ndërlumna), dikur, nga mesjeta, thuhet se a kanë ujnajë e lundrueshme me varka e, dukej si një ”det”, (kurse sot janë liqenet e Fierzës e të Komanit) biles përcillen legjendat sikur (!) këtu e bani dyluftimin Gjergj Elez Alia me “Bajlozin e Zi”… se paska ardhë Kreshniku Mujë e ka ba dasmën e tij me Ajkunën…(!), aty afër, ende e gjen në gjurmë toponimin “Lugu i Zanave”, aq shumë të pranishëm në Ciklin e Kreshnikëve etj.
Udhëtarë të shquar të kulturës europiane, që kanë kaluar në të shkuaren nëpër këto treva, kanë shkruar: Nëqoftëse doni të flisni me perënditë e Eskilit, shkoni e takoni njerëzit ku bashkohet Drini me Valbonën!
E pikërisht në trevën Nderlumna kanë dalë tre princa: vend-origjina e princit Lekë Zaharia dokumentohet në vitin 1330 ku rendohen tre breza të tij, kishte kullën Leka Pjetër Spani në shek. XV; e ma i fundit: “Princi i Lirisë”, Azem Hajdari, në fund shek. XIX…
2.
“Dera e Madhe e Krasniqes”, e përbame nga tre vllaznit: Mekshi, Geci e Nika, e ndame në tre zjarme e me tre barqe, tuj u shtue në numër e ec në breza, e ndjenin veten ngushtë edhe për toka e kullota, prandaj avash e në grupe vllaznish, tuj gjetë, ba, ble e marrë toka, nisën me u shtri përgjatë Luginës së Valbonës deri në Dragobi e me e kapërcye Qafën e Kolçit deri në … Curraj të Epërm, tuj kapë jo vetëm tokat e ultësirës, por edhe kullotat alpine pranverore e verore. Kjo ndikoi që “Krasniqja në Ndërlumna” apo “Krasniqja e Bokës”, etj. të thirrej edhe “Krasniqja e Bjeshkëve”, “Krasniqja e Valbonës”…, gjersa i mbeti emni ma i përdorun: “Krasniqe”, fis i cili u shtri përgjatë Lugut të Malësisë, në të dy anët e rrjedhës së lumit Valbona.
Kolë Mekshi, aty ku nisi degëzimi i vllaznisë së Azem Hajdarit, kishte nandë djemë, që u shtrinë Vata, Vukaj (në Koçanaj e më pas edhe në fshatin Bradozhnicë e në lagjen Klisyrë), Curri (largue tevona në Gjakovë), Marku, Pali, Çela (në Shoshan, një rrem gjaku i tyne edhe në Degë), Vaka, Hasani (në Degë, që ndahet në barqet Hasanaj e Hajdaraj) e Preka (në Dragobi).
Bohema genetike e degëzimit të brezave nga Kolë Mekshi te Azem Hajdari nis në Ndërlumna, përpjetë lumit Valbona, e ngulë rranjë jete në Kocanaj e mbasandej e kapërcyen në anën tjetër të lumit e qëndruen në fshatin e sotëm Shoshan e prej k’nejna nga fundi i shek. XVIII rikthehen nga erdhën, te krahina ma e hershme , Ndërulmna, e ma saktësisht, në fshatin Degë. Pas ngritjes së qytetit alpin të Bajram Currit, i ati i Azemit, Shpend Tahiri, vendoset me banim e punë në këtë qendër administrative të rrethit të Tropojës.
Pikërisht në këtë qytet, më 11 mars 1963, u lind Azem Hajdari, lider i shquar i Lirisë, tribun i flaktë i Nacionalizmit, Hero i Demokracisë.
3.
Azem Hajdari deri në piedestalin e historisë shqiptare nuk erdhi rastësisht e nuk u naltsue papritun, pasi në genet e tij, në pemën gjeanologjike të brezave të vet, ka paraardhës edhe disa figura historike piedestalore, ku i veçojmë dy prej tyne: Haxhi Zekë Biberaj e Bajram Shaqir Curri.
Lidhjet e tij të gjakut me këto dy personalitete emblematike nuk shkojnë ma larg se nandë breza në vertikalitet genetik të baraslarguar, tuj fillue nga Azem Hajdari e deri te pikëtakimi te Kolë Mekshi, i pari i tyne, prej ku degëzohen në breza këto tre figura kombëtare me të përbashktat e të veçantat e tyne, që ende historia, për jetën e veprimtarinë e tyne, nuk e ka thanë fjalën e fundme në thellësinë, gjerësinë e lartësinë e tyne
Nisur nga tradita etno-historike, nga e drejta zakonore dhe nga realitetet kohore, brenda fisit, veçanarisht në një degëzim të tillë genetik, brezat, në malësitë e fiset e Shqipërisë Veriore, sado që largoheshin i afronin lidhjet e gjakut si “kushërinj”, që kishin të drejtë e detyrë me iu gjend njani-tjetrit në krah në çdo rrethanë e situatë, që nuk iu lejoheshin martesat ndërveti, që duhej me i përcjellë bashkarisht gëzime e hidhërime etj.
Pra, nandë breza nuk janë larg, pasi i bie nja tre shekuj kohë dhe, për ma tepër, këta të Kolë Mekshit (Kolmekshajt) ishin një “derë e madhe”, me shumë zjarme e barqe, që formuan fshatrat e veta, aty nga shekujt XVII – XVIII, si në Shoshan (vendlindja e Haxhi Zekës, prej nga u largue në moshë fëminore e rranjënguli në qytetin e Pejës), në Koçanaj (vend-origjina e Bajram Currit, pasi gjyshi i tij, Islam Hysen Kurti, u çvendos prej k’nejna e ra në qytetin e Gjakovës, po mbajti disa prona në vendlindje), në Degë (vend-origjina më e afërt e Azem Hajdarit, pasi vetë Azemi, sic e parathamë, ka lindur në qytetin alpin të B. Currit), etj.
Vërtetë Kolë Mekshi kishte nandë djemë, po shohim në pemën gjeanologjike se ma afër se edhe të tjera vllazni e barqe kulmohen në breza këto tre figura historike: Haxhi Zeka, Bajram Curri e Azem Hajdari, pasi të tjerët pikëtakohen edhe në më shumë se 10-12 breza me ta, etj.
Nisur nga Kolë Mekshi, sipas monografisë të Ibrahim K. Malaj “Tropoja në breza”, degëzimi i Azem Hajdarit (Azem – Shpend – Tahir – Niman – Vesel – Sylë – Hajdar – Hasan – Kolë – Mekshi); degëzimi i Haxhi Zekës ( Zekë – Mehmet – Abedin – Hasan – Gjekë – Mark – Kolë – Mekshi); degëzimi i Bajram Currit ( Bajram – Shaqir – Islam – Hysen – Kurt – Hysen – Curr – Kolë – Mekshi). Theksojmë se Haxhi Zekë Biberaj nuk la trashgimtarë, pasi djali i vdiq në moshë të re, ndërsa sot ka të afërm të gjakut të tij në breza, Elez Biberaj e të tjerë, kurse Bajram Curri kishte vetëm dy vajza e ndaj e bani si “djalë të vetin”, Dr. Rexhep Krasniqin, nga kjo zonë, që u doktorue në Vjenë në vitin 1934 e ishte ministër i Arsimit në Tiranë e kryetar i Komitetit “Shqipëria e Lirë” në Amerikë etj.
Azem Hajdari ishte një sintezë e zgjuarsisë, trimërisë dhe atdhedashurisë së simboleve emblematike e të njerëzve të trevës të Malësisë së Gjakovës (Tropojës), e njohun qysh në hershmëri historike si “Dardania Alpine”, e thirrun qysh në shekullin e parë të mijëvjeçarit të dytë: “Malësia e Mirë”.
Please follow and like us: