Petrit Ruka nderohet me çmimin honorifik “Muza”
Ministria e Kulturës ka nderuar poetin e ndjerë Petrit Ruka me çmimin honorifik “Muza”.
Në fjalën e saj, ministrja Elva Margariti teksa shprehu konsideratat më të larta për veprën letrare, kinematografike por edhe njerëzore të Petrit Rukës, tha se baladat e tij të ofronin veç magjisë që ato kanë me vete edhe kënaqësi estetike sipërore.
“Shpesh herë mes miqsh e bashkëpunëtorësh e kemi diskutuar që duhet të shprehim më shumë mirënjohje, duhet të themi më shumë faleminderit! Vitet e fundit na kanë treguar se koha për të vepruar, për të dashur, për të qenë bashkë është tani.
Ndaj dhe si shprehje e mirënjohjes sonë për njerëzit që na e bëjnë jetën tonë më të bukur me artin e tyre, po ndajmë për herë të parë çmimin honorifik “Muza”.
Sepse vepra e tyre do të jetë gjithnjë frymëzuese, pavarësisht jetës fizike”, nënvizoi ajo duke shtuar se:
“Poetin Petrit Ruka e kam takuar herën e fundit në promovimin librit, që ishte mes 5 kandidatëve për Çmimin e vëllimit poetik më të mirë: “Andej baltë këtej erë”.
Një përmbledhje baladash arbërore, që më riktheu pas në kohë, kur na shijonte aq shumë të dëgjonim e lexonim balada e legjenda. Veçse, sigurisht baladat e z. Ruka të ofronin veç magjisë që ato kanë me vete edhe kënaqësi estetike sipërore.
Por nuk do doja të flisja më gjatë për veprën sepse janë studiuesit ata që e thonë fjalën e tyre, por doja të ndaja me ju ndjesinë që më la takimi me njeriun Petrit Ruka, modestia dhe humanizmi i tij.
Ishte koha kur ai po luftonte fort për jetën dhe me një vetëdije të thellë po i linte lexuesit një testament dhe një porosi, për t’u rikthyer te tradita jonë.
Faleminderit!”, përfundoi Margariti.
Poeti i njohur Petrit Ruka u nda sot nga jeta më 6 korrik të këtij viti pas një beteje një vjeçare me një sëmundje të rëndë. Ai ngelet poeti më i shquar i brezit të tij dhe një nga skenaristët dhe regjisorët më të mirë të vendit.
Petrit Ruka u bë i njohur qysh me vëllimin poetik “Atdheu fillon tek zemra”, i cili mori çmimin kombëtar në vitin 1983. Prej atëherë ai ka botuar mbi 10 vëllime të tjera me poezi dhe disa dhjetëra skenarë filmash, dokumentarë e monografi.
Petrit Ruka ka zënë vendin e vet në letërsinë shqiptare si një nga poetët më të mirë të saj.
Trashëgimia e tij artistike është një antologji e pavdekshme që nderon historinë e letërsisë sonë dhe e bën atë të pavdekshëm.