Auron Tare: Rasti i Ardian Koçit dhe “Shqipëria si e pashë” e Faik Beut
Në Shqipëri thoshte Faik Beu janë tre lloj nëpunësish. 1. Ekspertët; 2. Njerëzit-Makina; 3. Levantinët. Të parët janë ata që marrin përsipër të flasin për gjithçka, duke pretenduar se i dinë të gjitha. E botojnë injorancën dhe nuk kanë skrupuj, frikë apo turp, ngase i mbytë padija dhe miopia, ndërkohë që krekosen dhe mbahen me të madh. Kategoria e dytë janë njerëzit e robotizuar si pasojë e burokratizimit të tejskajshëm, duke u bërë robër të ideve mekanike e duke e shndërruar qenien në një makineri pa ndjenja, pa mend dhe pa arsyetim. Këta janë shumë të dëmshëm, ngase pengojnë veprimtarinë normale të administratës dhe të punëve të një shteti.
Për levantinët po i kursej fjalët e Beut të Konicës. Mu kujtuan këto fjalë tani që po shkruaj për rastin e Ardian Koçit.
Ardian Koçin nuk e njoh. Nuk e kam takuar asnjë herë. Ato që do shkruaj më poshtë janë opinione të mbledhura nga njerëz që i vlerësoj për kontributin e tyre në ruajtjen e natyrës shqiptare. Në fakt për të mësuar pak më shumë pyeta edhe disa miq të huaj të cilët më folën me konsideratë për punën e tij. Nga mesazhet e miqve të mi mësova se ai është një nëpunës i devotshëm i shtetit tonë, njeri që do natyrën, shpendët, kafshët (shumë të paktë në këtë hapsirën tonë). Z. Koçi është pushuar nga puna për një intervistë në Zërin e Amerikës. (Në fakt sipas deklaratës zyrtare të AKZM disa intervista). Kur pyeta se kush e kishte marrë këtë vendim shumë kush nuk i dinte as emrin Drejtorit/Drejtoreshës së këtij institucioni. Ndërkohë për z Koçi kishte komente shumë pozitive pak e veçantë kjo për një nëpunës shteti. Nuk dua të shtoj ato që më thanë pasi nuk i kam nga përvoja ime personale, por fakti është që të gjithë specialistët e mjedisit në bllok e quajnë këtë shkarkim një “vrasje” ndaj eko sistemit të zonës së Mbrojtur që z. Koçi ishte investuar prej 10 vjetësh i kthyer nga Italia. Ndëshkimi i eprores nga ajo që lexova më kujtoi një ish-eproren time një nga zonjat më mediokre të administratës sonë e cila nga që media nuk i kushtonte asnjë vëmendje xhelozohej pa fund për këto që dilte në media. (Ishte koha që nuk ishte unifikuar ende mendimi dhe nuk kishte ende direktiva se çfarë duhej thënë).
Debati që ka hapur shkarkimi i një administratori të devotshëm i vlerësuar nga shumë specialistë përballë një mediokriteti institucional është një problem i madh. Një mediokritet i cili po largon nga fusha kaq specifike njerëz që i kushtohen me shumë pasion një çështje që pak kush e kupton në këtë hapsirën tonë të vogël.
Kur po lexoja arsyen e AKZM-së për këtë veprim duhet të them që për herë të parë pashë një deklaratë të këtij institucioni i cili ishte merakosur aq shumë se përse një drejtues duhej të fliste disa rreshta në një media ndërkombëtare për punën që ai bën në mbrojtjen e natyrës.
Nga AKZM nuk kam lexuar asnjë herë ndonjë shpjegim se përse zona Ramsar e Butrintit p.sh. po reduktohet. Se përse zona e mbrojtur e Parkut të Butrinti po cenohet nga ndërtime anës vijës bregdetare, se përse në të vetmin Park Detar të Mbrojtur gjuhet peshk pa kriter, se përse në vende të tjera të mbrojtura vazhdon gjuetia pa u shqetësuar aspak Drejtori/Drejtoresha e këtij institucioni. Të gjitha këto nuk i kam lexuar dhe ja për fat të keq për herë të parë lexoj një vendim absurt të këtij Institucioni, vendim që do ta bëjë të njohur të paktën e emrin e Drejtor/Drejtoreshës që largon për shkaqe absurde Ardian Koçin një njeri që e vlerësojnë të gjithë për punën dhe pasionin e tij. Veprim ky i denjë për pendën e të madhit Faik që shkruante tek “Shqipëria si e pashë”.
—————————————–
Sqarim i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM)
Nisur nga fakti që në media të ndryshme është publikuar lajmi se z. Ardian Koçi, me detyrë drejtor i Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura Fier, është “pushuar nga puna për shkak se ka dhënë një intervistë”, AKZM informon se:
Vendimi i komisionit disiplinor të AKZM i datës 3 mars 2023 për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës nuk lidhet ekskluzivisht me një rast, por vjen si pasojë e një dukurie të përsëritur. Ky fakt pasqyrohet edhe në dokumentet e vendimmarrjes së komisionit disiplinor.
Megjithatë, AKZM thekson se ky vendim i komisionit, si dhe masa disiplinore, ndodhet në proces rishikimi që nga data 4 mars, pra pesë ditë përpara intervistës mediatike të dhënë nga z. Koçi.
Për procesin e rishikimit të vendimmarrjes së komisionit disiplinor, z. Koçi është njoftuar që në datën 4 mars dhe është ftuar të bashkëpunojë në kuadër të këtij procesi.
Duhet theksuar se kjo ftesë është refuzuar nga ana e z. Koçi gjatë komunikimit të drejtpërdrejtë mes tij dhe institucionit.
Më herët, për fillimin e procesit dhe për mbajtjen e seancës dëgjimore me qëllim shqyrtimin e disa shkeljeve disiplinore të tij nga komisioni disiplinor, z.Koçi ishte njoftuar në datën 22.02.2023.
Më pas, në datën 24.02.2023 komisioni zhvilloi seancën dëgjimore për shqyrtimin e materialeve disiplinore në ngarkim të z.Koçi dhe në datë 03.03.2023 vendosi të japë masën disiplinore “Largim nga detyra” për të.
Fakt është që, në vijim, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit i kërkoi komisionit disiplinor të AKZM-s të rishikojë vendimin dhe masën disiplinore.
Për sa më sipër, kjo çështje është ende në shqyrtim rishikimi përpara se të dilet me një vendim përfundimtar.
AKZM sqaron publikun se bazuar në Rregulloren e brendshme të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, në të gjitha rastet kur kërkohet prononcim publik a mediatik, punonjësit e AKZM-së dhe strukturat e varësisë duhet të njoftojnë drejtuesin e institucionit dhe të presin miratimin përkatës, me qëllim koordinimin institucional pikërisht për mirëinformimin e publikut.
Fokusi kryesor i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM) është ruajtja dhe zhvillimi i zonave të mbrojtura dhe i natyrës në Shqipëri. Në detyrat kryesore të AKZM-së përfshihet promovimi, informimi dhe edukimi i publikut për gjendjen dhe dobishmërinë e zonave të mbrojtura mjedisore. Për këtë, çdo dritare komunikimi vlerësohet maksimalisht si një mundësi për të shërbyer në misionin kryesor të AKZM.