Albspirit

Media/News/Publishing

Shoqata e Mjekëve Shqiptarë në Gjermani, vlerësim mirënjohjeje për Lazim Destanin

Shoqata e Mjekëve Shqiptarë në Gjermani ka mbajtur ditën e djeshme takimin e 10-të Jubile të saj në Dyseldorf Gjermani në ambientet e Wirtschaftsclub.

Themeluesja dhe njëkohësisht kryetarja e Shoqatës së Mjekëve shqiptarë në Gjermani, Kirurgia Viscerale Dr. med. Marsela Ceno i akordoi z. Lazim Destani Çertifikatën e Mirënjohjes për kontributin e madh në çështjen shqiptare dhe mbështetjen që i ka dhënë shoqatës së mjekëve shqiptarë në Gjermani.

I pranishëm në ceremoni z. Destani u shpreh se krenaria dhe çastet e kënaqësisë që sjellin ngjarjet si ajo mbrëmë në Dyseldorf janë të rralla.

“Në Klubin Ekonomik të Dyseldorfit dje pata nderin të jem nikoqir i një pjese të trurit elitar shqiptar në Gjermani e më gjerë. Këtu Shoqata e Mjekëve Shqiptarë në Gjermani mbajti takimin e vet të radhës ku morën pjesë mbi 200 mjekë, stomatologë dhe fizioterapistë shqiptarë të punësuar nëpër qendra spitalore në qytete të ndryshme të Gjermanisë.

Përmes ligjëratave dhe diskutimeve ata shkëmbyen përvojat dhe arritjet e tyre si specialistë që kanë bërë emër nëpër klinikat gjermane. Profesionalizmi i tyre i dha këtij tubimi karakter të lartë shkencor dhe nderoi gjithë të pranishmit. U ndjeva i nderuar që disa prej tyre pata mundësinë t’i takoj personalisht e të zhvilloj biseda shumë miqësore me ta.

Krenaria është akoma më e madhe kur i shikojmë bashkëkombësit tanë që, krahas ndërmarrësisë ekonomike, në Gjermani e më gjerë kanë bërë emër nderi edhe në shkencat elitare siç është mjekësia” shkruan në profilin e tij në facebook z. Destani.

Please follow and like us: