Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Vlora Obertinca: Asnjë lidhje dashurie nuk vjen me shpejtësinë e dritës

 

“Fjalët janë gjuha e mendjes, ndërsa emocionet janë gjuha e trupit. Duke i lënë hapsirë shpirtit që ta ndjejë dashurinë, ne i lëmë vend mendjes që të merr vendim për emocionet e trupit”, Dr. Vlora Obertinca.

Çdo ngjarje në jetë ka fillimin, kulminacionin dhe epilogun e vet respektiv.

Ne si popull njihemi se jemi shumë gjaknxehtë dhe si të tillë që jemi, kemi tendencë që të gjitha gjërat t’i bëjmë me vrull dhe pa i analizuar mirë. Si pasojë e kësaj, i ndezim motorrat emocionalë dhe veprojmë në bazë të instinktit emocional hiperaktiv, duke e mos e lënë për asnjë moment mendjen e ftohtë si katalizator i të gjithë procesit, t’i analizojë situatat dhe të marrë vendime të duhura në momente kyçe dhe kritike.

Dukuritë që lënë më së shumti përshtypje janë padyshim njohjet fillestare të çifteve potenciale për të krijuar një lidhje dashurie.

Ajo që bie në sy fillimisht në veçanti tek gjinia mashkullore, është ngatërrimi i pëlqimit me pasionin për partneren potenciale.

Ky pasion i vrullshëm prodhon emocione të pakontrolluara, të cilat mund të determinohen fillimisht si tërheqje seksuale dhe jo shprehje interesimi apo tendencë për të njohur anën e kundërt, me të cilën pretendohet krijimi i një lidhje dashurie.

Kështu, duke e bërë punën e fundit të parën, dështojnë shumë shpejt lidhjet intime, qofshin ato edhe me kurorëzim të shpejtuar martesor.

Andaj, do të ishte mirë sikur gjinia mashkullore të bëhet më e matur dhe më e pjekur, duke marrë kohën e duhur kur përballet me pëlqime ndaj gjinisë femërore, sepse veprimet e vrullshme nën ndikim të emocioneve të çastit, lën vraga të thella emocionale posaçërisht te gjinia e brishtë femërore, e cila ka tendenca të fantazisë së bujshme dhe besimit naiv, që një lidhje dashurie mund të krijohet me shpejtësi të dritës.

Të dashurit e mi të të dy gjinive, merrni kohën, durimin dhe maturinë për të njohur njëri tjetrin, për të rënë në dashuri prej së vërteti, duke ndërtuar kështu një bazament të fortë për të ardhmen tuaj.

Kjo sepse, nga lidhjet intime krijohen pasardhësit dhe familjet, e nga familjet ndërtohen shoqëritë, institucionet shtetërore dhe trashëgimit kulturore të një populli.

Andaj, ndërtoni lidhje intime të shëndosha që nga fillimi dhe mos u ngutni të kërceni nga lidhja në lidhje, pa qenë të gatshëm dhe të shëruar shpirtëtisht sepse, çdo gjë kërkon kohën e vet hyjnore për tu realizuar. Jo më kot thuhet se, garuesi i ngadalshëm e fiton garën.

Please follow and like us: