Albspirit

Media/News/Publishing

Fran Gjoka: Fëmijët, investimi më i madh

Në realitetin e sotëm, kur shkolla po integrohet gjithnjë e më shumë drejt standardeve bashkëkohore evropiane, kur tekstet e programet po pasurohen dhe alternohen me përzgjedhje dhe cilësia e tyre vjen e rritet, pjesëmarrja e prindërve dhe ndihmesa e tyre në të mësuar merr rëndësi të veçantë dhe po shfaq tipare e rrugë të reja në menaxhimin sa më racional të kohës, për t’u dhënë ndihmë sa më të kualifikuar dhe efektive fëmijëve tanë. Që të realizohet plotësisht dhe pa ekuivoke ky objektiv madhor, doemos që duhen investuar energji pune konkrete edhe nga prindërit, familja që është baza e shoqërisë dhe që përgatit fëmijën për t`u futur në rrugën e shkollimit, që ta përgatitë atë si një lastar të freskët, të drejtë dhe pa cënime e dëmtime fizike e biologjike.

Qytetar i shoqërisë moderne

Që të edukosh dhe të moralizosh, duhet të jesh vetë një shembull jete, pune dhe edukimi. Dhe, si i tillë, je në gjendje të ndihmosh fëmijën më shumë se sa me fjalën tënde, me veprën tënde, me të qenit qytetar dhe njeri, me karakter të fortë dhe të palëkundur për të përkrahur të renë dhe përparimtaren, kërkesat e kohës dhe të zhvillimit. Për t’u arritur kjo, duhet që prindi ta njohë thellësisht fëmijën e vet. Ndihma e mirë jepet vetëm pas një njohjeje të mirë. Fëmija nxjerr në pah pjesë të karakterit personal në bazë të situatave në të cilat ndodhet. Edhe pse, faktikisht, shpesh pretendohet të njihet fëmija, duke e parë në jetën e tij familjare, gjithsesi kjo njohje është shumë e pjesshme për vetë faktin se mungon elementi kryesor, që është e gjithë pjesa tjetër e shoqërisë, që përmban në vete një gamë të madhe marrëdhëniesh. Duke bashkëndarë me mësuesit këndvështrimin në lidhje me marrëdhëniet e fëmijës me shokët dhe shoqet e klasës, prindi njeh më së miri temperamentin e fëmijës dhe kontribuon në përforcimin e karakterit të tij. Sigurisht që kjo kërkon kohë për të dëgjuar dhe bashkëndarë mendime, metoda taktika edukimi. Një konfrontim të mirëfilltë mund ta bëjë edhe prindi, që sigurisht mund të mos jetë në kulmin e shkollimit, mjafton thjesht një qëndrim njerëzor ndaj jetës, punës, njeriut. Kjo ka shumë rëndësi në edukimin e njeriut dhe veçanërisht në edukimin e fëmijëve me vlera morale dhe njerëzore, por edhe me vlera që të hapin horizonte dhe të zgjojnë dëshira, nxitje dhe kërkesa për të ecur në jetë dhe për të dhënë  secili kontributin e  tij në këtë shoqëri moderne, ku ne jetojmë sot. Fëmija të integrohet sa më mirë dhe sa më natyrshëm në mjedisin shkollor dhe të ecë përpara drejt rritjes dhe zhvillimit të tij  të vazhdueshëm si qytetar i shoqërisë moderne.

Por sidomos, mendojmë se është e domosdoshme që anëtarët e familjes kërkohet të jenë model në shfrytëzimin sa më racional të kohës për t`u marrë me edukimin dhe mirërritjen e fëmijëve. Kjo do të ndikonte në mënyrë të drejtpërdrejtë në përgatitjen psikologjike dhe formimin me aftësitë dhe shprehitë më të nevojshme dhe më elementare për t’u integruar sa më lehtë dhe sa më natyrshëm në shoqërinë e sotme demokratike. Në këtë kuadër, fëmijët t`i edukojmë të zbatojnë me rigorozitet një regjim ditor, që është në përputhje me orientimet dhe këshillat e specialistëve, psikologëve dhe sociologëve, edukatorëve, që kanë përvojën e punës frytdhënëse  e  që garanton të ardhmen e sigurtë të fëmijëve.

 Investimi më i madh është dhe mbetet  në radhë të parë edukimi, mirërritja dhe shkollimi i fëmijës

 

Dihet se fëmijët nuk janë të njëjtë për të gjithë, sepse secili ka përgatitje e aftësi të ndryshme për të kapur më shpejt ose më ngadalë, fjala vjen, nivelin përvetësues të dijeve që merren në shkolla. Në se nxënësve me prirje të veçanta dhe të talentuar u mbetet më shumë kohë e lirë që të mund ta shfrytëzojnë për zgjerimin e horizontit, për të mësuar gjuhët e huaja, për zbavitje, pushim etj., nuk ndodh kjo me ata që janë disi më të ngadaltë dhe që u mungon pasioni dhe dëshira, apo që edukimi i tyre i lihet spontanitetit, në radhë të parë nga ata prindër, që, ose nuk i kanë kushtet e duhura ekonomike, sociale dhe arsimore, apo ata që neglizhojnë me edukimin e fëmijëve, duke u kënaqur vetëm me faktin se i kanë shpurë fëmijët e tyre në shkollat më të mira, se u japin para çdo ditë për të plotësuar kërkesat e tyre etj. Një prind i tillë harron se më shumë se sa biznesi i madh që drejton, më shumë se sa ato para që ai depoziton dhe shton përditë në bankë, investimi i tij më i madh është dhe mbetet në radhë të parë edukimi, mirërritja dhe shkollimi i fëmijës së tij, që ai të ndjekë rrugën drejt dijes për t’u bërë dikush në jetë dhe jo të mburret apo të jetojë me thërrimet apo emrin e babait të tij. Sigurisht që është e domosdoshme të hiqet dorë nga privimi i fëmijëve nga aktivitetet çlodhëse, që fatkeqësisht praktikohet nga disa prindër. Pushimet e çlodhjes duhet t’u kushtojnë po aq rëndësi sa edhe mësimit sepse ato shërbejnë për freskimin e sistemit mësimor, gjë që ndikon për mirë  në përvetësimin e dijeve.

Bashkëpunim sa më efektiv me psikologët

Psikologët e sotëm rekomandojnë që fëmijët t’i mësojnë e realizojnë herë pas here administrimin e kohës, ato kërkojnë që brenda ditës nxënësit  të dijë se çdo të bëjë dhe çka bërë. Por fëmijët nuk e kanë të lehtë që të bëjnë këtë punë në rrugë krejtësisht të pavarur, ata kanë nevojë për ndihmën e prindit, që të ndërgjegjësohen se sa kohë kanë harxhuar për gjëra të parëndësishme në dëm të  problemeve mësimore. Psikologu Alan në librin e tij që titullohet ” Si të arrini të kontrolloni kohën dhe jetën tuaj”, këtij problem i vë shumë rëndësi. Me pak fjalë ai thotë se njerëzit më të suksesshëm e dinë mirë se çdo të bëjnë ditë për ditë. Kur veprohet kështu, nxënësit do të mësohen ta shfrytëzojnë kohën me projekte produktive. Kjo ka rëndësi shumë të madhe jo vetëm për kohën e shkollës por edhe si përgatitje për jetën. Ka raste që fëmijëve ua marrin kohën edhe prindërit. Jo rrallë ndodh që ata t`i ngarkojnë  kohë pa kohë me punë të dorës së dytë, ose në dimër kur nuk i krijojnë kushte për studim  dhe ata detyrohet ” të përgatiten” për të nesërmen duke qëndruar pranë televizorit  apo komjuterit në mes bisedave të anëtarëve të tjerë të familjes. Vetëm ata që merren me studimin e këtij problem, mund ta dinë se si nxënësve u humbet koha që kanë në dispozicion për t’u përgatitur për mësime. Në një studim të bërë kohët e fundit rezulton se 47% e të rinjëve janë të rezikuar nga interneti. Ajo që shqetëson opinionin rezulton që fëmijët shqiptar janë të ekspozuar ndaj kërcënimeve pornografike në internet. Shumica e fëmijëve kanë kompiuter dhe internet në shtëpi dhe si pasojë ata mund të hapin çfardo faqeje pasi në shumë familje shqiptare mungojnë filtrat për të mos klikuar faqet erotike.

Marrëdhëniet e prindërve me fëmijët

Organizatat në mbrojtje të fëmijëve rekomandojnë aktivizimin e filtrave për sigurinë onlinë të fëmijëve. Ne mund të bëjmë shumë, ne mund të bëjmë shumë filtra, por filtri më i mirë janë marrëdhëniet e prindërve me fëmijën dhe më shumë kontroll në aktivitetin e përditshëm të tyre.Është e pamundur t’i ndalosh fëmijët të kenë akses gjithë çështja është përgjithësimi ,maturimi dhe informinmi në mënyrë që gjërat që shikojnë t’i absorbojnë ashtu siç duhet. Nxënësit nuk janë gjithnjë fajtor për të mësuarit me hope. Në këto kushte s`ka se si ndodh ndryshe. Në radhë të parë janë mësuesit pastaj vijnë prindërit që nuk përpiqen ta harmonizojnë punën, që përfundimisht ta shërojnë këtë plagë që po shfaqet dukshëm në sistemin e punës së nxënësve. Duke qëndruar  indiferent, të dy palët nuk mund të nxjerrin kurrë rezultate nga puna që po bën mësuesi. Prandaj lufta kundër të mësuarit me hope të nxënësve në shtëpi mbetet problem përfundimtar në rritjen e cilësisë së procesit mësimor. Edhe bota e jashtme akademike, këtij problem i kushtojnë një vëmendje të veçantë, aftësinë dhe dhuntinë natyrale të nxënësve të sotëm nuk duhet ta lëmë të na firojnë gjatë periudhës shkollore është edhe një nga objektivat  e reformës së sotme arsimore. Ndodh shpesh që të dëgjosh nga goja e mësuesve e prindërve akuza të forta si më zemërim thonë: “Janë të zgjuar, por nuk mësojnë “. Kjo akuzë prindërore ndaj mësuesve lëshohet nga ata që bëjnë pak ose aspak punë për t’i ndihmuar që të ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj mësimit. Kjo kategori mësuesish e prindërish harrojnë se shoqëria e sotme shqiptare i ka thirrur pikërisht ata që t`i edukojnë edhe këta nxënës me shpirtin e disiplinës shkencore në mësim. Psiko – pedagogët kanë  provuar se po  të orientohen mirë edhe mjaft nga këta fëmijë bëjnë përpjekje për të kapërcyer vështirësitë. Mësuesit në bashkëpunim me prindërit duhet të punojnë për t`i kalitur vullnetin nxënësve, që të mund të përballojnë edhe vetë kryerjen e detyrave mësimore jetësore në rrugë të pavarur.

Për këtë problem në kohën e tij ka folur dikur edhe Gjergj Fishta.

“Si ka me u rritë, siç e lyp arsyeja e detyra po qe se prindërit nuk janë të qytetënuar e përparuar. Prandaj për në daçim që shteti shqiptar të përparojë në udhë të qytetenisë së vërtetë, përpara çdo pune tjetër duhet pasë parasysh edukata e familjes shqiptare tue ba që prindët si dhe fëmija e tyne të jenë të qytetnuem”.                                                                  

Kjo kërkesë vlerësohet si shumë e rëndësishme dhe  bën pjesë në kulturën e re të të nxënit. E parë në këtë këndvështrim me keqardhje vërejmë aty këtu në shkolla, ku mjaftohen edhe me akuza (këta janë nxënës që nuk mësojnë). Dhe s’bëjnë asgjë konkrete për t’i ndihmuar . Është fatkeqësi e madhe kur fëmijët bien në duar të disa prindërve dhe mësuesve të tillë. Prindërit e mësuesit nuk duhet të tërhiqen nga vështirësitë që paraqet puna më këtë kontigjent nxënësish, sepse po të punohet mirë vjen një ditë kur ata shpërthejnë. Mjafton të kujtojmë edhe Ajnshtajnin që  deri në moshën 9 – vjeçare nuk fliste normalisht. Në shpirtin e çdo mësuesi duhet të çrrënjoset mendimi antipedagogjik që dëgjohet “Shyqyr që ikën, shpëtuam prej tyre”! Kjo mënyrë e të gjykuarit ndeshet në disa shkolla të mesme sidomos tek mësuesit që punojnë me klasat e para dhe të dyta. Duhet të pranojmë se mbartësit e këtyre koncepteve nuk mund të quhen më edukatorë të vërtetë. Jeta shkollore dhe ajo prindërore ka provuar se po të veprohet me kritere shkencore dhe me përkushtim, kjo masë nxënësish mund të përmirësohet dhe të integrohet  në veprimtaritë mësimore dhe edukative. Kontrolli i shfrytëzimit racional të kohës ka mjaft vlera konkrete, se parandalon shpërdorimin e saj  që është shfaqja më e rëndë e keq administrimit të mundësive reale që ka secili për të ecur përpara.

 

Please follow and like us: