Albspirit

Media/News/Publishing

Heshtje konspiracionistësh për komplotin rus në Moldavi

Policia në Moldavi tha se parandaloi një komplot nga grupe të mbështetura nga Rusia, të cilët ishin përgatitur të shkaktonin trazira masive gjatë një proteste të dielën kundër qeverisë së re pro-perëndimore të vendit. Policia e bëri njoftimin vetëm disa ditë pasi zyrtarët e zbulimit amerikan thanë se kanë arritur në përfundimin se individë me lidhje me zbulimin rus po planifikojnë të përdorin protestat në Moldavi, si bazë për të nxitur një kryengritje kundër qeverisë së vendit.

Kreu i policisë së Moldavisë, Viorel Cernauteanu, tha në një konferencë shtypi se një agjent i fshehtë kishte depërtuar brenda grupeve “diversioniste”, disa prej të cilëve qytetarë rusë, të cilëve dyshohet se u ishin premtuar shpërblime për të organizuar “trazirë masive” gjatë një proteste në kryeqytetin, Kishinau.

“Një person erdhi nga Federata Ruse më 9 mars dhe kishte për qëllim të shkonte në vende të caktuara dhe të jepte udhëzime, si edhe të mbante komunikim të drejtpërdrejtë me një person tjetër në Federatën Ruse që koordinonte të gjitha masat dhe aktivitetet këtu për të përcaktuar të gjitha veprimet nga sot e tutje”, tha shefi i policisë.

Ai shtoi se shtatë persona u arrestuan.

“Shumat e parave do t’u jepeshin njerëzve që do të kishin shenja të caktuara dalluese dhe që supozohej të ishin në krye të turmave për të provokuar forcat e policisë dhe për të krijuar korridore për persona të tjerë që të destabilizonin (protestën). Shumat ishin deri në 10,000 dollarë për person”, tha ai.

Ndërkohë policia tha se arrestoi 54 protestues, përfshirë 21 të mitur, të cilët shfaqën “sjellje të dyshimta” ose kishin me vete sende të ndaluara, përfshirë të paktën një thikë.

Protesta e së dielës ishte e fundit e organizuar nga një grup i vetëquajtur Lëvizja për Popullin, e cila mbështetet nga Partia pro-ruse Shor e Moldavisë që ka gjashtë vende në parlamentin me 101 anëtarë.

Protestuesit po kërkojnë që qeveria të mbulojë plotësisht kostot e faturat dimërore të energjisë dhe të “mos përfshijë vendin në luftë”.

Ata i kanë bërë thirrje në mënyrë të përsëritur Presidentes Maia Sandu të japë dorëheqjen.

Policia tha se të dielën ishin regjistruar katër kërcënime me bombë, përfshirë një në aeroportin ndërkombëtar të kryeqytetit. Policia tha se ato ishin “në vazhdën e masave destabilizuese” kundër Moldavisë.

Ish-republika sovjetike me një popullsi prej rreth 2.6 milionë banorë është një vend kandidat i Bashkimit Evropian që nga qershori i kaluar.

Policia kufitare e Moldavisë tha gjithashtu të dielën se 182 shtetasve të huaj u është mohuar hyrja në Moldavi në javën e fundit, përfshirë një “përfaqësues të mundshëm” të Grupit Wagner të Rusisë, kompania private ushtarake që po lufton në Ukrainën fqinje.

Please follow and like us: