Luftime të ashpra në Bakhmut
Qyteti i Bakhmutit, në lindje të Ukrainës, u përfshi sot nga luftime të ashpra, ndërsa beteja disamujore për kontrollin e tij vazhdon.
Ushtria e Ukrainës tha se po përdor artileri, tanke dhe armatime të tjera për të zmbrapsur përpjekjet ruse për të pushtuar qytetin.
Sipas një vlerësimi të bërë së fundmi nga Ministria britanike e Mbrojtjes, grupi paraushtarak rus ‘Wagner’ kontrollon pjesën më të madhe në lindje të Bakhmutit, ndërsa forcat ukrainase kontrollojnë pjesën perëndimore të qytetit.
Të dielën themeluesi i grupit Wagner Yevgeny Prigozhin e cilësoi situatën si shumë të vështirë, me luftimet që bëhen më të ashpra, sa më shumë forcat e tij, i afrohen qendrës së qytetit.
Rusia ka vënë në shënjestër Bakhmutin si një pjesë e një objektivi më të gjerë të saj, për të kapur rajonin e Donbasit.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy është zotuar të mbrojë Bakhmutin, ndërsa zyrtarët e disa vendeve aleatë, mes tyre Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, kanë paralajmëruar se nëse Kievi do të humbiste Bakhmutit, kjo nuk do të shënonte një pikë kthese në konflikt.