Albspirit

Media/News/Publishing

Prostitucioni trondit Myzeqenë, bilanci i hetimit policor

Prokuroria në Fier ka përgatitur një dosje voluminoze ku evidenton një rrjet prostitucioni që përfshin kryesisht gra në moshë të madhe.

Në rrjet janë përdorur lokale, motele dhe hotele të Fierit.

Hetimi policor çoi në zbulimin e disa grave të martuara të cilat ushtrojnë prostitucion kundrejt pagesës, ndërsa kanë burrat në shtëpi.

Prokuroria evidenton rastin e A.Xh., e martuar, me dy fëmijë, F.X., e martuar, me një fëmijë dhe L.B., e martuar. Po ashtu dhe 45 vjeçaren Y. (N). ZH.

Që të katërta, banore të Fierit, ato janë zbuluar të shesin trupin dhe janë proceduar në gjendje të lirë për akuzën e “ushtrimit të prostitucionit”.

Bashkë me këto katër gra janë proceduar penalisht edhe katër burra të dyshuar si tutorë. Ata doli se mbyllnin pazaret me klientë të moshave nga 50 deri në 70 vjeç.

Disa persona të tjerë të dyshuar që përfshin dosja hetimore e Prokurorisë së Fierit, kanë shkuar në gjykatë këto ditë.

Gjatë kësaj jave gjykata e Fierit vendosi të caktojë masën e sigurisë “arrest në burg” për Base M., e akuzuar për “shfrytëzim prostitucioni” kryer në bashkëpunim dhe “mbajtje e lokaleve për prostitucion”.

Burg u dha edhe për Naxhie A, si dhe për N.G., të cilat u arrestuan në kuadrin e disa operacioneve të koduara që erdhën pas hetimeve me metoda speciale.

Aksionet çuan në bllokimin e disa lokaleve dhe hoteleve që policia thotë se ishin vënë në dispozicion për ushtrim të prostitucionit.

Për këtë akuzë u vunë në pranga 4 pronarët e këtyre ambienteve, të cilët bashkëpunonin me njëri-tjetrin, për kryerjen e kësaj veprimtarie të paligjshme.

Të implikuar në këtë veprimtari të paligjshme ishin edhe 8 shtetas të tjerë, të cilët u proceduan penalisht në 1 deri 3 mars 2023.

Mes tyre, N. G., 69 vjeç dhe B. M., 71 vjeçe, pronarë të një lokali në lagjen “Kastriot”; N. A., 63 vjeçe, pronare e një lokali në lagjen “Kastriot”; T. H., 69 vjeç, pronar i një hoteli në lagjen “16 prilli”, Fier.

Policia thotë se ka arritur të zbardhë se skema e prostitucionit funksiononte nga maji 2022 e deri në fillim të marsit 2023.

Ndërkohë, po vijon puna për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë rast.

Duke vijuar nga njëra anë procedimin penal, në anën tjetër, prokuroria ndalet në dosje dhe në dukurinë shqetësuese, kur thotë:

“Ato janë të papuna, nuk trajtohen nga ndihma sociale, janë pa profesion, pa nivel arsimor.

Ato klasifikohen si viktima të mundshme trafikimi pasi joshen shumë shpejt nga persona me aktivitet kriminal, për arsyet e mësipërme.

Rehabilitimi i tyre në shoqëri kërkon një investim kompleks të organeve shtetërore dhe shoqatave jofitimprurëse për të bërë të mundur riintegrimin e tyre në shoqëri.

Futja e 4 nënave në rrugën e prostitucionit, do të thotë se ndaj këtyre shtetaseve nuk ka funksionuar zinxhiri institucional, duke sjellë dështimin e integrimit të tyre në shoqëri për një familje më të fortë dhe solide…”, – thuhet në dosjen e prokurorisë.

Please follow and like us: