Albspirit

Media/News/Publishing

Avdulla Kënaçi: VËSHTRIMI QË MË NDOQI PAS (1)

Novelë
(Pjesa e dytë)
Indrit Mollën, nëpunësin e emigracionit, këtu në Kanada, nuk e ndërpreva për asnjë çast. E dëgjova deri në fund, pa i bërë asnjë ndërhyrje. Tregimi i tij më la pa frymë. Një sirenë anije lumore që transportonte lëndë ndërtimi, na zgjoi të dyve nga ëndërrimet dhe na kujtoi se ku ndodheshim. Era e freskët e flladit që vinte nga sipërfaqja e ujërave blu, na përshkoi lëkurën e duarve dhe fytyrën. U kujtova t’i bëja pyetjen se përse unë e kisha propozuar atë takim:
– Po si u arratise nga Shqipëria, zoti Indrit?
– Urrejtja, frika se mos Dega më fuste në morsën e saj dhe më bënte spiun, më nxiti idenë e arratisjes dhe më ndezi dëshirën për t’u larguar një orë e më parë nga Shqipëria, edhe pse Gentën e doja marrëzisht. Unë nuk mund të përfundoja në martesë, pavarësisht nga dëshirat e të dyve. Këtë e kisha të qartë si buka që hamë. Ishim të pozicionuar në kampe të kundërt, ose më saktë kështu donte shteti të ishim, në dy klasa të ndryshme. Kjo dashuri mund të sillte vetëm vuajtje dhe shkatërrim. Spiun i qeverisë, krenaria ime, karakteri im nuk e honepste dot këtë lloj shërbimi edhe pse thuhej se bëhej në emër të Atdheut. E urrej për vdekje këtë lloj sjellje hipokrite, tradhëti në mirëbesim. Nuk kisha rrugë tjetër veç arratisjes, por kufirin nuk e njihja fare dhe nuk e dija sesi funksiononte. U kujtova se kisha në fshat një kushëri të parë, nga ana e babait, Fatjonin, tre vjet më i madh se unë, i cili sa kishte mbaruar shërbimin ushtarak në kufi. E mbaja si model guximi dhe trimërie. Kishte trup muskuloz, shpatulla të gjera dhe sy gështenjë. Vështrimi i tij rrëzëllitës i hidhte përtokë vajzat e fshatit. Nuk kam njohur djalë më kokëngjeshur se sa ai. Kërkova ta takoj. Përballë fshatit kemi një bregore nga ku kontrollohen të gjitha kryqëzimet e rrugëve. E lamë aty takimin. Ia tregova gjithë historinë time me Gentën. Pasi u mendua ca, më tha i menduar:
– Paske rënë brenda me këmbët e tua, o derëzi, je futur në folenë e arrzave.
– Ty të kam si vëlla, – iu përgjërova – më ke dalë krah tërë jetën, që fëmijë. Më ndihmo të dal nga ky gjiriz. Dua të arratisem.
– Je në terezi?! Do na marrësh në qafë të tërëve si fis. Hiq dorë nga vajza dhe mos prano të firmosësh deklaratën e bashkëpunimit. Ja, unë pa shkollë të lartë jam, çfarë më gjeti? Rojtar pyjesh, nuk është ndonjë punë e rëndë, ama marr një rrogë shumë herë më të lartë se në kooperativë.
– Me ndihmën tënde apo pa atë, unë do të çaj ferrën, të jesh i sigurt. Pse nuk vjen të ikim së bashku?!
– Jo, unë po qe për të ikur, ia kisha mbathur nga shërbimi ushtarak në kufi, pse duhet të arratisem tani?! Po të jap edhe një këshillë; këtë që më the mua, as rrapit në mes të fshatit mos ia trego. Muret kanë veshë. Është i rëndë burgu, nuk e duron dot ti, bythë pambuk. Hajt, natën e mirë! Do flasim përsëri.
Shtrydha trutë fort dhe mendova për një rrugë tjetër. Isha i bindur se Fatjoni nuk kishte për të më shitur. U hoqa sikur do shkoja për të mbledhur çaj në brezin kufitar dhe pyeta dy fshatarë të tjerë që merreshin me këtë punë. Më thanë se duhet të merrja lejë kufitare të përkohshme nga Dega e Brendshme. Punë që nuk bëhej. Ata dinin gjithçka për mua. Nënkryetari, sa të shihte emrin tim, do të mendonte se më kishte në pëllëmbë. Hoqa dorë nga ky variant. Pa kaluar as dy javë, tamam kur nuk e prisja, më kërkoi me urgjencë Fatjoni. Kishte një sy të nxirë dhe një dhëmb të thyer. E kishin kapur duke bërë kontrabandë me lëndë drusore nga të pyllit që ruante. Policia e kishte shtruar në dru për të treguar bashkëpunëtorët, por ai nuk dha asnjë emër, megjithse e kishin masakruar.
– E vendosa, do arratisemi të dy, por prit sa të më shërohen këto të nxirat dhe të ndreq dhëmbin e thyer. E kam një ide sesi do ta organizojmë arratisjen, nga kufiri jugor në Sarandë.
E përqafova plot dashuri, sikur të kishim një vit pa u takuar. Fluturova nga gëzimi. Ai ishte si një vëlla i besuar për mua. Zoti është i madh, mendova. Ja ku e dha Fatjoni edhe një provë tjetër besnikërie e lidhje gjaku. Është trim, mendova, duroi torturat dhe nuk i tregoi bashkëpunëtorët e kontabandës, megjithse hëngri tërë atë dru në polici. Të nesërmen, dorazi, nga Genta, nëpërmjet një shoqeje gjimnazi, më erdhi një letër e shkurtër me një shkrim të imtë: “Deri të shtunën mbasdite në bibliotekën e qytetit të presin për të dorëzuar romanin e Xhek Londonit “Thundra e hekurt”. Duhet ta dorëzosh patjetër sepse i ke kaluar shumë afatet dhe je bërë problem, Genta”. Unë nuk kisha marrë asnjë libër në shtëpi, atë roman e kishim lexuar së bashku me Gentën, por ai ishte një kod për të më kujtuar mua se ajo të shtunën më priste në bibliotekë. U kujtova për dasmën në Përmet ku ajo për hatrin tim do të hiqej e sëmurë dhe nuk do të shkonte me prindërit. Do të më priste mua në shtëpi. Si të bëja?! Kisha afat edhe disa ditë derisa të vendosja. Keq të shkoja, keq të mos shkoja. Atë natë nuk mbylla sy. Mbaja shtërnguar fort letrën në grusht. Herë-herë vendosja të shkoja, pastaj mendohesha thellë dhe i pëshpërisja ndërgjegjes sime se duhet të përgatitesha për arratisjen, nuk duhet të devijoja për asgjë në botë nga ky vendim, qoftë edhe për Gentën. Më duhej liria e munguar. Isha me fat që im kushëri ishte pajtuar me mua. Cili qe ai polic që e kishte shembur në dru? Ai duhej dekoruar, i duhej puthur dora që mbante shkopin “për t’u thyer brinjët kontrabandistëve”. Vetëm poshtërimi që iu bë nga ish kolegët, ia ktheu mendjen Fatjonit. Isha me fat.
***
Gjithë planin e arratisjes ia besova kushëriut. Ishte e diel, u çuam me yllin e mëngjezit. Morëm nga një palë tesha rezervë, ushqime dhe nga një pagur alumini me ujë. Atë ditë festohej përvjetori i një batalioni partizan. Pritej një nga udhëheqësit më të dëgjuar komunistë dhe gjithë vëmendja shtetërore ishte përqendruar në sigurimin dhe garancinë e kësaj feste. Pa rënë në sy, shkuam në anë të lumit Drino dhe buzë tij lamë një palë këpucë të miat dhe tesha. Gjasme isha mbytur në lumë dhe aty duhet të më kërkonin. Dikush do t’i gjente ato rroba dhe me siguri pas festës policia do merrej me ngjarjen. Kështu për ca ditë nuk do të dyshonin që ishim arratisur dhe familjes nuk do t’i binin në qafë derisa të merrej vesh e vërteta.
Dolëm në xhade, ndaluam një kamion qymyri i cili kthehej nga Memaliajt dhe shkonte drejt Sarandës. Shoferi qëlloi një burrë i dashur e fjalëpaktë. Gjatë rrugës u miqësuam me të, por nuk i treguam emrat tanë të vërtetë. Në mbasdite u gjendëm në Butrint. Sa më shumë largohesha nga qyteti im, nga korija me akacie, nga Genta, aq më shumë ndjeja në shpirt një lloj angështie dhe boshllëku. Në çantën e shpinës kisha edhe librin “Lulet e mollës”. Si e braktisa kështu Gentën?! Madje nuk i shkova as në bibliotekë e as në shtëpi. Të mos ishte prezenca e shoferit të kamionit dhe Fatjoni, isha gati të shpërtheja në lot, sidomos kur kaluam qytetin dhe nga larg dallova shtëpinë ku ajo banonte, pallatin me gurë të skalitur.
Në vaun e Butrintit na u desh të prisnim ca, derisa të mbushej lundra me njerëz, koperativistë, mekanikë, gra, fëmijë, qerre dhe mallra, madje edhe një kultivator misri i markës kineze. Së bashku me shumë fshatarë të zonës i hipëm atij lloj mjeti gjysmë primitiv që quhej lundër, i cili tërhiqej me një kavo çeliku përmes një elektromotori që rënkonte herë pas here si me ankesë e dëshpërim. Matanë mezokanalit që lidhte detin me liqenin e Butrintit kontrollonte letër-njoftimet një polic i shkurtër e trupimtë. Fatjoni i tha diçka në vesh dhe ai na lejoi të kalojmë. Copa-copa, dëgjova ca fjalë si nuse, Vrinë, fejesë…
Ecëm në këmbë. Nga të dy anët e rrugës arat ishin mbjellë me misër. Sa kaluam kthesën, pa na vënë re njeri tjetër, u kthyem djathtas. Ecëm rreth një kilometër në drejtim të kufirit, pastaj u fshehëm në një kullusmë, në anë të një are të mbjellë me fasule. Aty do të prisnim natën. Hëngrëm bukë, djathë, domate dhe pimë me kursim nga pak ujë prej pagureve tona. Mezi i kapërceja kafshatat, por Fatjoni më cyti të haja me zor se kishim rrugë të gjatë për të bërë. Pastaj ai hapi çantën e tij dhe nga fundi i saj nxori py pincat që do të shërbenin për të prerë telat e klonit. Nën dritën e zbehtë të yjeve më tregoi si mbahej pinca, si kapej teli dhe me çfarë shpejtësie duhej shpërthyer kloni. Pritëm sa erdhi mesnata, pastaj u afruam si hajdutë të shkathët tek kloni i famshëm. Unë e shikoja për herë të parë atë lloj prite apo pengese. Qëndruam në heshtje, gati njësh me dheun, gjersa kaloi patrulla e radhës. Ishim fshehur mirë dhe thuajse as frymë nuk merrnim. Fatjoni llogariti sa kohë i duhej patrullës të mbërrinte në postë. Ishte natë gushti pa hënë, natë e ngrohtë dasmash. Tutje në horizont çanin qiellin dritat e anijeve e trageteve që kalonin përmes kanalit të Korfuzit. Befas u ndez prozhektori i postës për kontrollin rutinë të kufirit. Kishte dritë të fuqishme dhe natën e bënte ditë. Prozhektori rrotullohej nga të gjitha drejtimet. Me t’u afruar mbi ne, bëheshim njësh me tokën, barkas. Sa kalonte nga zona jonë kollona e ndriçuar, ngriheshim në këmbë dhe ia ndiznim vrapit. Kishte vlerë çdo sekondë. Po i kalonim aq pranë rrezikut dhe vdekjes së sigurt. Kokë a pile, të dalë ku të dalë.
– Djathtas, te kloni, me vrap, ec përkulur, – më pëshpëriti në vesh kushëriu.
U lëshuam si shigjetë dhe ndalëm tek gardhi. Zemra më rrihte fort, gati më çante kraharorin. Nga nxitimi pinca më ra në tokë, por Fatjoni e gjeti menjëherë duke kërkuar nëpër bar me të dy duart. Premë një tel dhe të tjerët i prekëm me dorë derisa feksi një shkëndijë elektrike. Në postë duhet të ishte përcjellë alarmi. E lamë atë vend të aksidentuar dhe ikëm me shpejtësi. U ngjitëm rreth një kilometër më sipër. Terreni aty ishte i vështirë, gurë dhe driza të kërleshura. Ishim gjakosur nga duart dhe pulpat e këmbëve. Shpejt e shpejt premë dy radhë telash, aq sa mund të kaloje gardhin i përkulur, këmbadorazi. Mezi gjetëm telin kryesor, ishte bërë njësh me dheun. Kaluam matanë dhe hymë në brezin e butë, tokë e punuar rishtazi ku mbrapa linim gjurmët tona. Posta kufitare ishte ngritur e tëra në alarm luftarak. Dëgjoheshin gjithnjë e më afër britmat e ushtarëve dhe lehje qensh të kufirit. Tani ata duhet të ishin tek kalimi fallco që sajuam pak më parë. Ne ndjeheshim të gëzuar se e kaluam klonin, por ishim përsëri në tokën tonë. Ishte një parcelë e punuar imtë, por e shkretë dhe e braktisur. Ajo quhej “brezi i butë i kufirit”. Aty “stampoheshin” gjurmët e këpucëve në çdo kalim. Pa marrë frymë, vazhduam të vrapojmë. Prozhektori ishte ende i ndezur dhe drita e tij e fuqishme “krihte” me këmbëngulje sipërfaqen e kufirit. Sa afrohej drita, ne bëheshim njësh me tokën. Me të kaluar, ngriheshim e vraponim përsëri me shpejtësi. Zërat e ushtarëve dëgjoheshin gjithnjë e më afër. Duhet ta kishin kuptuar se me manovrat tona ua kishim hedhur. Qëllonin me automatik në ajër dhe herë pas here thërrisnin “Ndal, zonë kufitare!” Disa plumba i dëgjonim sesi fërshëllenin mbi kokat tona, por ne ishim larg, më shumë se një kilometër prej tyre dhe plumbat ftoheshin në ajër.
– Nxito, tani do ta kuptojnë se nga kemi kaluar, – më tha Fatjoni – qeni vrapon më shpejt se ushtarët. Po na diktuan do na qëllojnë drejt e në mish. Deri tani kanë shtirë me hamenndje. Vrapo sa të mundësh, më ndiq hap pas hapi.
Nuk di si kam fluturuar mbi ato shkrepa, gurë të thepisur dhe driza të hardallosura. Trupin e ndieja të lehtë si pupël. Pritëm pak, sa për t’u orientuar se nga cili drejtim do të merrnim. Diku afër dëgjohej fëshfërima e një lumi ose përroi. Lugina dukej sikur thithte krismat e armëve dhe lehjet e qenve. Im kushëri më tregoi çfarë po ndodhte:
– Ky është kufiri i vërtetë, këtu ndahemi me grekun, ky është lumi Pavlla, por ushtarët nuk e kanë për gjë të kalojnë në tokën e tjetrit se matanë nuk ka asgjë të gjallë veç kafshëve të egra. Jemi brenda rrezes së rrezikut. Nxitojmë, ende nuk kemi shpëtuar, po na diktuan, kanë për të na qëlluar drejt e në trup. O burrë, nuk ka shumë ujë lumi, diku aty, nën gju, por kujdes mos rrëshqasës se ka brenda tij shumë gurë të lëmuar nga valët.
U futëm me gjithë këpucë në ujin e freskët të lumit. Gjatë asaj vere të nxehtë prurjet ishin paksuar dhe ujët na vinte deri në gju. E kaluam me lehtësi. Pa marrë frymë, vazhduam të vraponim faqes së malit. Prozhektori ishte ende i ndezur dhe drita e tij e fuqishme përsëriste “krehjen” e kufirit pëllëmbë për pëllëmbë. Sa herë afrohej drita, ne shtriheshim barkas dhe fshihnim kokën si struci. Me të kaluar drita, ngriheshim vrik dhe vraponim përsëri. Na dukej se zërat e ushtarëve dëgjoheshin gjithnjë e më afër. Ata thërrisnin në tym: “Ndal, zonë kufitare!” Disa plumba i dëgjonim si fërshëllenin e përplaseshin gjithë zhurmë mbi gurë, në pllajën përballë, por ne ikëm larg, më shumë se një kilometër dhe plumbat ftoheshin në ajër. Ishim jashtë rrezes së rrezikut. Krismat shkrepeshin në tym dhe thirrjet vazhdonin, por ne ndodheshim larg klonit. Ishim në tokën greke dhe vazhduam përpjetë faqes së malit. Në krye, u ulëm mbi një pllakë guri për të marrë pak frymë e për të pirë aq ujë sa kishte mbetur në paguret prej alumini. Gjullurdia në kufi ende vazhdonte, pastaj dalëngadalë erdhi duke u shuar. Oficerët duhet ta kishin kuptuar se ua kishim punuar keq, gjithçka për meritë të përvojës së Fatjonin nga jeta e tij në shërbimin ushtarak.
– Ia hodhëm paq, – më tha kushëriu i lumtur, duke marrë frymë fort me gojë e hundë – kemi hyrë në një botë tjetër, shpëtuam nga sigurimi.
– Je i sigurt? – e pyeta unë për t’u bindur përfundimisht.
– Shumë i sigurt, – u përgjegj ai – ja ku duket qyteti i Korfuzit, por ne do ecim majtas. Do arrijmë në Filat afër mëngjesit.
– Po ushtarët grekër ku janë?
– Nëpër postat e tyre të cilat i kanë afër qendrave të banuara. Ke parë ndonjë grek të vijë tek ne? Jo. Kufirin e ruajmë ne edhe për ata, – tha duke qeshur e duke bërë ironi.
Isha me fat që kisha tim kushëri përkrah meje. Ai e njihte regjimin kufitar në majë të gishtrinjve dhe mënyrën sesi ruhej vendi. Pa udhëheqjen e tij do të kisha rënë viktimë e ëndërrave të mia të çartura dhe në këtë orë të tetë gushtit kushedi se në cilën qeli të ftohtë do të dergjesha.
Hymë në Filat, kuptohej nga shkronjat greqisht të ndërtesave të dyqaneve, flamuri blu me kryq dhe bisedat në rrugë të atyre që ishin zgjuar herët. Në rrugën e parë të Filatit na ndali një patrullë policie. Na çuan në një zyrë dhe aty na mori në pyetje një oficer i cili fliste shqip thuajse njësoj si ne. Na dhanë për të ngrënë. Oficeri na pyeti për gjeneralitet, nga ishim, çfarë pune bënim, si ishim arratisur dhe përse? I treguam se nuk e duronim dot regjimin komunist dhe donim të shkonim në Amerikë, në botën e lirë. Fatjoni tregoi gjurmët e të rrahurave në policinë shqiptare.
– Po ti? – më pyeti mua.
– Ne jemi familje e deklasuar dhe mua nuk më japin shkollë të lartë. Më pëlqen të jem i lirë. Amerika është ëndërra ime, atje do bëj shkollë të lartë.
Nuk mund të them se grekërit na bënë presion ose të përpiqeshin të na trajtonin keq. Të nesërmen na përcollën për në Athinë me një makinë ushtarake të mbuluar me mushama. Na çuan në një kamp përqëndrimi dhe na dhanë leje-qëndrimi për një vit. Ndërkohë mund të punonim. Ata kishin informacion të plotë çfarë ndodhte në Shqipëri dhe se sa keq trajtohej populli, sidomos kategoria e të deklasuarve.
Si gjithë emigrantët filluam punë si pjatalarës nëpër restorante, pastaj u futëm në ndërtim duke ushtruar mjeshtërinë e pllakaxhiut. Fituam një zanat të ri që për të ardhmen do na hynte shumë në punë. Më parë morëm me qira një apartament, dhomë e kuzhinë. Pas punës unë vazhdoja të mësoja anglisht si autodikdakt. Dhe kur më duhet të ëndërroja lexoja Xhon Gollsuorthin, gati e kisha mësuar përmendësh. Ai libër i dashur më kujtonte gjithmonë historinë time me Gentën. Lulen e akacies e kisha futur në një qese të hollë plastike për të mos u thërrmuar. Kushedi sa më ka pritur atë natë të 7 Gushtit e shtrenjta Genta. Ky mendim nuk më shkulej nga trutë, për asnjë çast.
Shkuam disa herë në ambasadën amerikane, por ata kërkuan të siguronim privatisht një garanci prej një të njohuri me banim në Amerikë. U përpoqëm, por nuk e siguruam dot atë letër. Me afti-bafti, me një shpresë fare të vakët, iu drejtuam për ndihmë një kishe katolike në mes të Athinës. Prifti qëlloi njeri i mirë e shumë i gjendur. Na tha se ishte me origjinë nga Korfuzi dhe se kishim bërë mirë që ishim arratisur prej komunistëve të pafe. Ai u përpoq me mish e shpirt për disa ditë me radhë, derisa na siguroi garanci nga një kishë katolike në Toronto të Kanadasë me të cilën kishte lidhje. Kështu, pas një viti në Greqi, u nisëm me anije transoqeanike për në Kanada. Këtu na pritën mirë, bëmë të gjitha formalitetet, na pyetën gjerë e gjatë kush ishim dhe nga vinim. Përfundimisht na dhanë strehim politik si kundërshtarë të regjimit komunist. Atëherë, të arratisurit nga kampi socialist i trajtonin në mënyrë të veçantë. Siguruam ndihmë sociale nga shteti e cila mjaftonte për qira shtëpie dhe mbijetesë, por duhet të vazhdonim kurse për anglisht, ndryshe asistenca na ndërpritej. Hymë në shkollë së bashku me shumë emigrantë të tjerë, sidomos nga vendet e Lindjes. Fatjoni nuk e kishte shumë qejf anglishten dhe shpesh unë i shërbeja si përkthyes. Me vështirësi siguronim ndonjë lajm nga mëmëdheu. Ishim plotësisht në terr. Nga një i arratisur rishtaz, prej Sarande, ish marinar në një vapor tregtar, mësuam se Genta vazhdonte shkollën e lartë për arkeologji. U habita. Ishte zgjedhje në emër të dashurisë sonë. Ky ishte sinjali se ajo nuk më kishte harruar. U preka thellë në shpirt. Në heshtje ndjeva shumë mall për të dhe qava heshturzai, në errësirë të plotë, kur drita e dhomës ishte fikur dhe kushëriu im bënte një gjumë për shtatë palë qejfe. Genta nuk më kishte harruar, megjithse tashmë unë konsiderohesha si “tradhëtar i Atdheut” dhe ajo një besnike e pushtetit popullor. Portreti i saj më ishte rrënjosur thellë në memorie. Më dukej sikur sytë e saj të zes më ndiqnin ngado. Fatjoni më thoshte shpesh: “Po të ikën rinia për lesh, zer ore një dashnore, bëj si unë, ka plot vajza të mira edhe këtu, harroje Gentën, kot ëndërron se do ndryshojë regjimi në Shqipëri e ti do bashkohesh me të”.
Në këtë pjesë të tregimit zilja e celularit të Indritit tringëlliu me këmbëngulje disa herë radhazi dhe ai u detyrua të ndërpresë bisedën. U mënjanua ca më tej për t’u sqaruar më shkoqur me telefonuesin. U kthye pas pak duke kërkuar ndjesë me keqardhje. Më tha se ishte i detyruar të paraqitej urgjent në zyrë, megjithse ishim jashtë orarit të punës. Takimin tjetër e lamë për të nesërmen mbrëma. Do hanim darkë së bashku. Nga sa e njoha dhe dëgjova, mund të them pa hezitim se rrallë gjen njerëz në emigracion si Indrit Molla, inteligjent, i thjeshtë dhe i dashur. Ai po më besonte jo vetëm historinë e arratisjes, por edhe sekretet e zemrës. Sado të fshehtë ta mbajë dashurinë një njeri, ka nevojë t’ia pohojë një ditë dikujt. E në këtë rast isha unë me fat që ai po ma besonte. A do të jem në gjendje ta përshkruaj jetën e tij ashtu siç ajo jehon brenda shpirtit tim?! Nuk jam fort i sigurt për këtë.
***
Ishte e shtunë në mbrëmje. Një nga ato mbrëmjet e buta e të freskëta të Montrealit. Takimin e kishim lënë në një restorant luksoz italian, në qendër të qytetit. Indriti kishte ardhur para meje. Ishte veshur me një kostum blu të errët dhe kravatë me ngjyra të lehta. Si në një ceremoni zyrtare, mendova. U habita se këtu në Kanada rrallë vishen kaq me klas, por u kujtova se aristokratët anglezë, kur kanë intervista, gjithnjë kështu visheshin, shik.
– Vini nga ndonjë takim i rëndësishëm? – e pyeta pas përshëndetjes, duke buzëqeshur.
– Jo, – tha – u vesha për respekt të Getës. I paske marrë me vete ato romuzet e fshatit tënd.
– Çfarë thua kështu? Ajo është një ditë e një natë larg me aeroplan, – i thashë shumë serioz, por edhe i habitur.
Megjithatë e vlerësova shumë për besnikërinë që tregonte në lidhje me dashurinë e tij të pamundur dhe ëndërrimtare. Nga biseda më është krijuar bindja se ai sa i zgjuar shfaqet, po aq delikat e i ndjeshëm është kur bie fjala për mikeshën e tij të zemrës në dheun amë, Syzezën, kështu po e quaj unë. Më pëlqen shpirti i tij i bukur, ende ka mbetur adoleshent gjimnazi, megjithse ka shëtitur gjithë botën. Besnik deri në vdekje ndaj Gentës dhe syve të saj të zez. Rrallë ndesh në tipa të tillë sot në botën dixhitale dhe kohën e prakticizmit amerikan.
– Ashtu është, por dje dhe sot Genta ishte e pranishme në bisedën tonë, dhe ti mua më zgjove shumë kujtime, më ktheve shumë mbrapa. Më ngjau sikur më solle këtu në Kanada aromën e akacieve të qytetit tonë – vazhdoi ai tregimin e jetës së tij – duke treguar, mua më ngjau se sytë zez të Gentës na ndiqnin ngado, sa herë përmendnim emrin e saj. Ndoshta valët elektromanjetike, ia përcjellin fjalët tona në Londër. Më beso, e kam dashur dhe e dua marrëzisht, nuk mund ta harroj kurrë. Dhe as kam ndrojtje ta pohoj me krenari dhe zë të lartë. Tek ti gjej prehje kur flas për Gentën. Imazhin e saj e kam ja, këtu përpara syve. Kam frikë ta takoj pas kaq vjetësh sepse e di që edhe ajo ka ndryshuar, por kam lexuar se sytë nuk ndryshojnë kurrë.
– Po më dukesh shumë romantik, Indrit i dashur, më ke krijuar pa dashur ndjesinë sikur lexoj një roman dashurie me temë nga qyteti ynë i gurtë. Kam vetëm një pyetje: Nuk je përpjekur ta takosh Gentën tani që janë hapur kufijtë?
– Jam përpjekur, por ajo ka emigruar së bashku me familjen në Angli dhe nuk kam mundur t’i mësoj adresën. Është e martuar me një shqiptar të Maqedonisë, thonë njeri i mirë dhe i ditur, emigrant i hershëm. Kanë lindur një djalë e një vajzë. Babai i Gentës, ish oficeri i sigurimit, ka vdekur dhe nëna e saj jeton së bashku me të. Pasi mbaroi Fakultetin, Gentën e mbajtën pedagoge në Universitet, në kryeqytet. Kishte dalë shkëlqyeshëm me mësime dhe zotëronte disa gjuhë të huaja. E meritonte. Kam njëmijë dilema, a do më presë, a më kujton si edhe unë, apo ndoshta më ngjan kështu nga që kam qenë larg dhe e kam idealizuar e shenjtëruar në memorie. Më beso, kam dëshirë të vdes me këtë mendje dhe këtë bindje.
Nuk desha ta vazhdoj më bisedën rreth Gentës, më dukej sikur po spekulloja me dëshirën e tij për t’u rrëfyer, ndoshta nga që ishim prej një krahine i pëlqente të fliste pa teklif, të shkoqitej, ndoshta kishte dëshirë të rrëfehej diku, t’i tregonte dashurinë e tij të heshtur e të fshehtë një njeriu. Këtë fat e kisha unë. Ndjenja të ndrydhura dhe të shtypura për kaq vite me radhë në emigracion, larg njerëzve të tij të afërt, larg mëmëdheut. I ziu njeri. Megjithëse u ndjeva i privilegjuar që ai më çeli zemrën, këmbeva bisedë:
– Nuk më thua, ku gjendet yt kushëriu, Fatjoni, kisha dëshirë ta njihja e të flisja nga afër me të. Duhet të jetë tip i veçantë dhe me sa kuptoj në jetën tënde ai ka luajtur një rol determinat.
– Vërtetë të intereson ta takosh?!Duhet të dish se i kam ndërprerë marrëdhëniet me të, jo për fajin tim. Ka vite që është shpërngulur në Amerikë, diku nga Arizona.
– Çfarë thua, ti e kishe mbështetje, si vëlla, si mund të jesh ndarë me të?! – e pyeta tej mase i habitur.
– Ka një arsye madhore dhe unë do ta tregoj për herë të pare. Tani ai është kartë e djegur, ama nuk kam dëshirë të përmendet në shtyp kjo ngjarje që do të them në mirëbesim. Nuk dua t’i bëj dëm dhe t’i prish imazhin. Në fund të fundit është kushëriu im. Gjaku nuk bëhet ujë. Ti i njeh mirë zakonet tona.
Hapa sy e veshë të mësoja se çfarë kishte ndodhur midis dy kushërinjve, gati si vëllezër. Ata kishin kapërcyer së bashku gjithë ato pengesa e vështirësi, vuajtje pa fund dhe brenga, larg familjeve dhe vendlindjes. Për vite të tërë kishin ndarë bukën e gojës, dhomën e gjumit dhe mallin për mëmëdhe, për njerëzit e afërt. Mezi prisja të dëgjoja arsyen e ndarjes dhe të ftohjes midis tyre. Mos ndodhta ishte ndonjë sherr femre në mes ?!
-Jo, – tha Indriti prerë – ka një arsye madhore ndarja jonë. Fatjoni është tip tjetër nga unë. Ndryshojmë si nata me ditën, megjithse kemi një mbiemër dhe jemi djem xhaxhallarësh. Unë, sa erdha këtu bëra edhe shkollë, edhe punë, ndërsa ai u dha pas qejfeve dhe shoqërisë së mejhaneve. “Njeriut njëherë i jepet mundësia për të jetuar”, përsëriste vazhdimisht. Sot e shikoja me një shok nga Kosova, nesër me një grek e kështu me radhë, i paqëndrueshëm. Ishte shumë aktiv dhe i lidhur me komunitetin shqiptar. Më shumë shoqërohej me Ballanin, një tjetër shqiptar i arratisur një vit pas nesh, nga kufiri në malin Gramoz. Një ditë prej ditësh Fatjoni, i verdhë dyllë, më kërkon me urgjencë në punë dhe me zë të dridhur e me lotë në sy, më tregon se i kishin ekzekutuar shokun e ngushtë, Ballanin. “E gjeti policia të vdekur në mëngjes, ulur në një stol në mes të Parkut të Madh të Torontos. Zogistët e kishin ekzekutuar me një plumb në mes të ballit”, më tha i tronditur e duke qarë.
– Shqiptari ka vrarë shqiptarin?! – e pyeta i pataksur. Ballanin e njihja edhe unë, ishte djalë i shkathët dhe i gojës. Erdhi këtu me anglishte të mësuar.
– E vranë sepse e nuhatën dhe kishin informacion të plotë se ishte bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit komunist. Zogistët e ekzekutuan pa ju dridhur dora.
– E vërtetë është se Ballani ka qenë i sigurimit, ke pasur ti dijeni për këtë fakt, Fatjon? – i bëra unë pyetjen parë dhe tjetrën në vazhdim:
– E dije që Ballani spiunonte dhe nuk ma ke treguar mua?! Turp të kesh, më thua dhe “vëllai im i vogël”. Ti nuk paske besim as tek unë! Njëmijë herë jazëk! – iu zbraza i prekur thellë. Ai më dëgjoi me durim dhe krejt i shkatërruar, me supe të varur, fajtor si një qen i rrahur që ka ngrënë fshehurazi bukën e të zotit. Më tha se është më keq nga sa mendon ti. Jam edhe unë i menderosur, jam spiun i sigurimit shqiptar.
– Qëkur kështu, me gjithë mend i thua këto, apo tallesh me mua?!
– Përpara sesa të niseshim nga Shqipëria. Janë të gjitha të vërteta.
– Je në terezi apo mos ke luajtur menç, pus i thellë paske qenë, kaq pak besim ke pasur tek unë?
– Mos, më gjyko keq, vëlla, të kam mbrojur me jetën time. Unë për ty ndodhem këtu. Bëra një gabim fatal, kur më the në Shqipëri se do arratiseshe, shkova në Degë të Brendëshme për të kërkuar ndihmë, doja të të pengoja. Nuk doja që të të kapnin apo vrisnin në kufi, do humbje jo vetëm jetën tënde, por do të na bëje zarar si fis, do të shkoje si dhelpra në vësht, do ikje për dhjamë qeni. Unë kërkova ndihmë në Degë për ty, por rashë vetë brenda. Nënkryetari i Degës që të njihte mirë, sikur atë njoftim priste prej meje. Vonë kuptova se donte të të hiqte qafe nga Shqipëria, kështu shpëtonte vajzën, por edhe të të kishte në dorë për tërë jetën, ashtu siç të kishin planifikuar. Hartoi një plan tepër sekret. Më tha që do arratiseshim së bashku. Si nuk më ra dambllaja kur e dëgjova. Kurrë nuk duhet të të tregoja se isha bashkëpunëtor i sigurimit. Unë isha rekrutuar qysh në ushtri. “Ai është shumë inteligjent, më tha, shoqëroje, mbroje, mbështete pa rezerva dhe nxite të vazhdojë shkollë të lartë aty, pastaj do të ndjekësh udhëzimet tona se si do ta rekurtosh. Ai është mbulesa jote jashtë shtetit, atë do ta pëlqejnë dhe besojnë imperialistët. Ti e di, as ta kujtova ndonjëherë të bëheshe bashkëpunëtor sigurimi sepse e dija përgjigjen tënde. Vazdimisht i dërgoja mesazhe sigurimit në Tiranë se ti po bëje karrierë në Kanada dhe të prisnim edhe ca sa të piqeshin kushtet. Kisha shpresë se do ia arrinim qëllimit, u shkruaja. Ata më besonin.
– T’i marrim gjërat me radhë, – i thashë unë – pse duhet të inskenonit atë arratisje të bujshme dhe me rrezik, kur ai mund të kordinnte me kufirin?
– Ke të drejtë, atë pyetje kam bërë edhe unë. Por ideatorët e këtij plani sekret donin ta dinin sa më pak vetë çfarë misioni kishte Fatjoni. Unë jo se jo. Ata, në fshehtësi e kishin marrë Fatjonin në një xhip dhe ia kishin përshkruar me imtësi intinerarin e arratisjes. Qëllimi ishte që unë të krijoja sa më shumë besim tek im kushëri dhe të isha i vërtetë përpara zbulimit grek dhe amerikan, t’u tregoja variantin tim të arratisjes që ishte sa real dhe i sinqertë.
– Domethënë edhe rrahja e Fatjonit ka qenë e sajuar.
– Edhe ajo, por realisht dy fshatarët vërtetë kishin bashkëpunuar me Fatjonin për të vjedhur lëndën e ndërtimit.
– Po ky Ballani si u lidh me Fatjonin?
– Qëkur Ballani ra në dorë të zbulimit grek, u dha adresën tonë dhe Fatjoni, pa më njoftuar mua, i kishte bërë garancinë. Unë kuptova se Ballani nuk mund të punonte këtu pa udhëheqjen e Fatjonit. Kur mësova të vërtetën, pavarësisht nga qejfmbetjet, i kërkova kushëriut ose të kthehej në Shqipëri, ose të shkonte urgjent diku tjetër, por jo të rrinte këtu. Zogistët mund ta kishin nuhatur, ashtu siç nuhatën Ballanin. Më së paku ai ishte i dyshuari i tyre. Duhet të largohej sa më shpejt. Nuk kisha fare leverdi të zbulohej, pavarësisht se e urreva për çfarë kishte bërë e punuar prapa krahëve të mi, por sidomos që nuk më kishte treguar kur ishim vetëm në Greqi. Po ta dija, do ta detyroja të priste fijet për gjithmonë, por ai më tha se nëse nuk u internuan familjet tona, ishte meritë e tij. Në këtë pikë edhe mundet të kishte të drejtë.
Mbeta pa frymë duke dëgjuar Indritin për gjithë këto lloj kombinacionesh me sigurimin e fshehtë dhe depërtimin kaq larg, deri në Kanada. Nuk desha të rrëmoj më thellë në këtë ngjarje sa të koklavitur, aq edhe djallëzore. E lamë bisedën me kaq. Nuk e vazhduam më tej këtë histori. Personalisht s’doja ta vija në pozita të vështira bashkëbiseduesin. Unë i njoh mirë lidhjet e gjakut në krahinën tonë. Ishte e kotë ta diskutoja më tej kush kishte faj në këtë ngjarje. Ajo që kishte ndodhur, pas hapjes së Shqipërisë, i takonte historisë dhe arkivave. E kthyem bisedën përsëri tek Genta dhe unë bëra sikur fshiva nga kujtesa çdo gjë që ai më tregoi për kushëriun e vet.
– Indrit, mendoj se duhet të shkosh në Londër dhe ta takosh Gentën, gjendet duke pyetur shqiptarët e Maqedonisë aty, po mund të pyes edhe unë. Historia e dashurisë suaj është mjaft e bukur, emocionuese, skenar për një film artistik.
Indritit i shkëlqyen sytë e bukur ngjyrë gur-kali dhe hapi me kujdes portofolin. Mendova se do të paguante darkën, por jo, prej andej ai nxori një qese plastike të ruajtur me kujdes. E çeli përpara syve të mi dhe u duk një lule-vile akacie e tharë. E kishte ruajtur për një kohë të gjatë, si një relike të shtrenjtë nga Atdheu, nga vendlindaja, dëshmi e dashurisë së tij të fuqishme, për 17 vjet me radhë. Kjo lule dhe sytë e Gentës e kishin ndjekur natë ditë, për gati dy dekada. Ajo lule e veçantë ishte harku i ylyberit shtatëngjyrësh, midis Shqipërisë dhe Amerikës së Veriut. Ndjenjat nuk mplaken kurrë.
Please follow and like us: