Eksperti italian: Nëna e Leonardo da Vinçit ka qenë skllave
Një ekspert italian ka deklaruar se, në bazë të dokumenteve të zbuluara së fundmi, nëna e Leonardo da Vinçit ka qenë skllave. Agjencia italiane e lajmeve, ANSA, citon profesorin e letërsisë Carlo Vecce, në prezantimin e librit të tij “Il Sorriso di Caterina” (Buzëqeshja e Katerinës), që thotë se megjithëse kjo gjë dyshohej prej kohësh, më në fund u vërtetua. Akti noterial i çlirimit prej skllavërisë, është gjetur në Arkivin Shtetëror të Firences, nënshkruar nga Piero da Vinçi, babai i Leonardos.
Vecce thotë se, fillimisht nisi kërkimet për të provuar të kundërtën e asaj që përflitej, pra që gruaja në fjalë të kishte qenë skllave. Dhe kur dokumentet e skllavërisë dolën në shesh, autori i librit vazhdoi studimet për të vërtetuar se Katerina, nuk ishte e ëma e Leonardos. “Por në fund, studimet më çuan në një drejtim tjetër”, deklaron profesor Vecce.
Noteri i cili çliroi Katerinën ishte i njëjti person që u dashurua pas saj që kur ajo ishte skllave dhe me të cilin ajo pati fëmijë. Në librin “Buzëqeshja e Katerinës”, tregohet se, e ëma e Leonardo da Vinçit ishte sjellë në Itali nga Kaukazi i Veriut, për shkak të aftësive të saj në punimin e pëlhurave. Fillimisht ajo kishte zbarkuar në Venecia e më pas e kishin dërguar në Firence, ku punonte në një shtëpi pranë katedrales së qytetit. Çlirimi i saj nga skllavëria mban datën 2 nëntor 1452./atsh