Albspirit

Media/News/Publishing

Nga Heminguej te Weisel, 10 librat që ‘ndryshuan’ botën

  1. Plaku dhe Deti nga Ernest Hemingway:
 Ky është libri me të cilin Hemingway fitoi çmimin ‘Nobel’. Ai tregon historinë e një peshkatari, Santiagos, i cili nuk kishte kapur gjë prej gjëje për 84 ditë. Ditën e 85-të, peshkatari merr barkën e tij modeste dhe shkon shumë larg. Ai kalon beteja serioze, teksa lufton me një peshk shumë të madh. Hemnigway refuzoi të përdorte simbolizmin eksplicit në punët e tij, duke preferuar që lexuesit të gjejnë vetë kuptimin e ngjarjes. Aftësia e tij për të dhënë një shumësi interpretimesh të mundshme e ka bërë atë popullor, që kur u publikua për herë të parë.

2. I huaji nga Albert Camus:

Kjo është një vepër tjetër, fituese e çmimit ‘Nobel’, por krejtësisht e ndryshme nga punët e Hemingway-t. “I huaji” tregon historinë e një burri, Mersoi, nëna e të cilit sapo ka vdekur. Ai nuk shfaq asnjë emocion gjatë funeralit të saj. Pas kësaj, Mersoi gjendet afër një shoku, i cili do të hakmerret ndaj disa arabëve. Mersoi, pa ndonjë arsye të dukshme, vret arabët. Indiferenca dhe ateizmi i tij çudit gjykatësit dhe ai dënohet me vdekje. Ndërsa pret vdekjen, Mersoi mendon për ftohtësinë e universit, por duket se gjen rehati në “indiferencën e butë të botës”. Një punë e tërë filozofike, të cilës i mjaftojnë fare pak faqe.

3. Ferma e kafshëve nga George Orwell:
Duket si një histori përralle, por në fakt “Ferma e kafshëve” është një alegori e fortë për regjimet totalitare të viteve 1930, sidomos për regjimin stalinist të Bashkimit Sovjetik. Në afro 100 faqe Orwell zhvillon një revolucion në fermën Manor, ku kafshët shkarkojnë njerëzit dhe pastaj heqin dorë edhe nga Utopia që ata donin të krijonin. Historia nuk është lehtësisht e lexueshme, pasi çdo anëtar i shoqërisë sulmohet për një aspekt të veçantë totalitarizmi: delja budallaqe që ndjek çdo diktat të ri, derrat që kthejnë punën e të gjithëve në përfitimin e tyre, gomari intelektual që e sheh se ç’ndodh, por që nuk bën gjë prej gjëje dhe kali punëtor, i cili beson verbërisht në detyrat e njerëzve. Të gjitha këto janë gabime njerëzore.

4. Asgjë e re nga fronti i Perëndimit nga Erich Maria Remarque:

“Asgjë e re nga fronti i Perëndimit” është historia e një brezi të humbur. Disa djem shkojnë për të luftuar në Luftën e Parë Botërore. Paul Baumer tregon për jetën e njerëzve në luftë dhe për njerëzit që i presin ata në shtëpi. Para luftës, djemtë janë të mbushur me ndjenja patriotike dhe me veprat e Homerit. Gjatë luftës, të gjithë miqtë e Baumer-it vriten dhe ai kupton se nuk do t’ia dijë më për të ardhmen. Libri përfundon me mesazhin “Asgjë e re nga Perëndimi”. Të gjitha vdekjet dhe historitë e librit reduktohen në një fjali, atë për të cilën këta burra shkuan të luftojnë.

5. Vuajtjet e djaloshit Verter nga Johan Volfgang Gëte:

Pas botimit të këtij libri, pati një valë vetëvrasjesh. Historia rrëfehet përmes letrave të një djali të ri me temperament, Verter-it dhe shoqes së tij. Verter është një romantik, i dhënë pas dashurisë dhe poezisë, ndonëse i ati e shtyn drejt marrjes së një profesioni. Ndërsa jeton në fshat, ai bie në dashuri me Sharlotën, pavarësisht se ajo është e fejuar. Kjo dashuri e konsumon Verterin dhe kur i fejuari, e më vonë bashkëshorti i Sharlotës, Alberti, e detyron Verterin që t’i lërë ata vetëm, Verteri kryen vetëvrasje. I veshur me kostumin që kishte kur takoi për herë të parë Sharlotën, ai qëllon veten. Goethe, veprat e të cilit zakonisht përfshijnë tema të mëdha, nuk e pëlqente asociimin vetëm me Verterin, por në jetën e tij të vonshme ai pranoi se do të ishte humbje në rast se një person nuk do të ishte ndjerë të paktën një herë në jetë si Verteri.

6. Portreti i Dorian Greit nga Oscar Wilde:
“Portreti i Dorian Greit” është një lloj libri i pritshëm nga Wilde. Ai është i mbushur me detaje të zgjuara, ndërsa rrëfen historinë e Dorian Greit, një djalosh i ri, shumë i pashëm dhe shumë i pasur, i cili korruptohet nga bota. Apo korruptohet nga vetja? Kur fytyra e tij e bukur hidhet në pikturë nga miku i tij piktor, ai uron që piktura të vjetrohet, ndërsa ai të qëndrojë i ri gjithnjë. Ndërsa Doriani bie në mëkate dhe krime, fytyra e pikturës bëhet e mizorshme. I paaftë për të parë portretin e tij, ai e fsheh atë, ndërsa fytyra e tij mbetet e pandryshuar. Ai bën përpjekje që të rregullojë gabimet duke bërë punë të mira, por tashmë është vonë. Në fund, ai vret edhe shokun e tij më të mirë dhe shkatërron pikturën, duke thyer dëshirën që u kthye në mallkim. Në libër shihen qartë shenja homoseksualiteti.



7. Princi i vogël nga Antoine de Saint-Exupéry:

Princi i vogël është një nga ata libra për fëmijë që ofron një material të mirë leximi për cilëndo moshë. Tepër i thjeshtë në strukturë, libri tregon historinë e një princi, i cili drejton një asteroid dhe aventurat e tij në tokë. Ai takon të rritur që drejtojnë asteroidët e tyre dhe të cilët janë tepër komikë. Është një mbret, i cili do të dënojë me vdekje miun, që dyshohet se jeton në asteroidin e tij. Megjithatë, ai do t’i kërkonte falje nëse e kapte; “Për hir të ekonomisë. Është vetëm një mi”. Disa e gjejnë tepër të vështirë kuptimin e fundit të udhëtimit të Princit, dhe kjo vlen edhe për të rriturit.

8. Portokalli me kurdisje nga Anthony Burgess:
Ky është ndoshta libri i listës i shkruar në vetëm tre javë. Burgess më vonë do të uronte të mos e kishte shkruar, duke pretenduar se ai është keqkuptuar në masë. Historia vendoset në të ardhmen dhe ndjek një bandë adoleshentësh të cilët performojnë akte shumë të dhunshme. Libri nuk fsheh asnjë përshkrim të tmerrshëm dhe narratori, Aleksi, flet me ton të qetë lidhur me këtë, a thua asgjë e jashtëzakonshme nuk ka ndodhur. Në libër rrëfehet trajtimi i Aleksit, i cili është i dhënë pas dhunës dhe ndikimi i përpjekjeve me qëllim risocializimin e tij. Kapitulli i fundit e ndryshon kuptimin e historisë në mënyrë domethënëse. Ky është një nga librat që ia vlen të lexohet, jo vetëm se nuk ka shumë faqe.

9. Kandidi nga Voltaire
Kandidi është një djalë i ri, i rritur nën ndikimin e mësuesit të tij, Pangloss-it, i cili mendon se bota ku jetojmë është më e mira e të gjithë botëve të mundshme dhe se gjithçka ndodh, ndodh për mirë. Libri vazhdon duke testuar këtë teori, përmes përballjes së karaktereve me më te keqen që kjo botë mund të ofrojë. Çdo faqe përmban një tmerr të ri, dhe rrjedhimisht, teoria nuk vërtetohet. E megjithatë, pavarësisht të gjithave, Pangloss vazhdon të jetë optimist. Kandidi ndërkaq merr mësimin e tij: kjo botë nuk është më e mira e mundshme, por meqë është e vetmja botë e mundshme, ne duhet t’ia dalim. Siç thotë Kandidi: “Duhet të kujdesemi për kopshtet tona”.

10. Nata nga Elie Wiesel:
“Nata” është rrëfimi i asaj që vetë Wiesel ka përjetuar si djalë i ri gjatë Holokaustit. Ai është një djalë i ri hebre, shumë studiues, i cili përpiqet të mësojë sa të mundet rreth Kabbalah-së. Për fat të keq, Lufta e Dytë Botërore dhe qeveria hungareze kufizon të drejtat e hebrenjve. “Nata” rrëfen se si Eliezeri humb të ëmën dhe motrën në kampet e përqendrimit. Ai fillon ta urrejë babanë, pasi ai i kërkon Eliezerit të kujdeset për të në kamp. Ai nuk beson më në zot, e megjithatë ia del të mbijetojë dhe të rindërtojë atë që ka mbetur në jetën pas Holokaustit./Opinion.al

Please follow and like us: