Rifat Ismaili: SHARMI I BOTËS SË LASHTË
Fantazmat e kujtesës
Asgjë rreth nesh nuk mund të përcaktojmë me siguri. Më e mira jonë është kur dimë t’i qasemi së vërtetës, duke ndjerë atë që ka ndodhur ose çfarë mund të ndodhë. Askush nuk ka në duart e tij çelësat e misterit, apo të kohës, të së ardhmes apo të së shkuarës. Çfarë dimë ne për prejardhjen e vërtetë nga një botë shtazore në atë të dominuar nga dija? Në fazën ku jemi tani, ne ende nuk e dimë se ku duhet të arrijmë dhe pse?… Arsyeja pse njeriu përjeton në vetvete një kërcënim të fortë për të humbur ekzistencën e tij thelbësore, format dhe zakonet, e ka detyruar atë të reflektojë dhe zhvillojë ndjeshmërinë e tij që e bën atë imun. Kjo ndjeshmëri e çoi në kërkim të kohës së humbur, në një ideal të bukurisë, një ideal që duket se është jashtë natyrës njerëzore. Një rëndësi parësore e gjithë kësaj, në ato zhvillime etike dhe estetike; artistët e promovojnë atë në mënyrë sporadike. Ata janë të angazhuar në detyrën shumë të vështirë për të gjetur pikat më të ndjeshme të natyrës njerëzore që kërkon të ribashkohet me universin,
duke krijuar hapësira dhe horizonte të reja dhe duke i zhdukur barrierat dhe të panjohurën, barriera që pengojnë lirinë e vërtetë.
Parajsat e paeksploruara
Tashmë e dimë se nuk mund ta ndryshojmë botën, por është e rëndësishme të ndryshojmë veten. Dhe kjo është dëshirë dhe detyrë e çdo individi. Por siç e thashë edhe më parë, ata që janë gjithmonë në kufi janë dhe duhet të jenë artistët. Nuk e di pse më vijnë në mendje në momentin që po shkruaj disa piktura të piktorit Henri Rusoi, i njohur si Doganiere. Në ato piktura sheh diçka të mrekullueshme, të varur, pa frymë, si në përplasje. Si nga një pafajësi primordiale, ku kërthiza e jetës shfaqet ashtu siç ishte, ose të paktën, siç mund të ishte, një pafajësi që depërton si thikë në mendjet tona të spërkatura nga modernizmi.
Duket sikur piktori është në momentin e pakthyeshëm të rikrijimit të botës me ngjyrat e saj, me bojërat kaq të lehta dhe atë atmosferë magjike e ëndërrimtare. Sikur është duke konkuruar me Zotin ai di të krijojë Evën e tij, pyjet ku zbehen së bashku në perëndimin e diellit, reflektimet e diejve dhe planetëve, mrekullinë e quajtur Jetë!
Kush fiton më mirë, dhe kush fiton prej tyre? Dhe në të gjithë punën e tij ka më shumë se naiviteti dhe pafajësia e thjeshtë; êshtë paralajmërimi i marrëdhënies që njeriu po humb gjithmonë e më shumë me natyrën dhe me qeniet e tij, kaq të ndryshme dhe të çmuara. Duke menduar për këto degradime, befas të vjen nostalgjia për t’u kthyer në një botë primitive, ku nuk ka popuj, nuk ka raca të paracaktuara, nuk ka kultura dhe politika të ndryshme, nuk ka fe, por ku ka vetëm sensin ekzistencial të të jetuarit. Befas rikrijon gjithçka nga e para, qëndron pranë dhe ndjek shembullin e dallëndysheve, ndërsa ato udhëtojnë dhe ndërtojnë foletë e tyre, bën dashuri të egër si arinjtë dhe kaprolli, ushqehesh me bar dhe mish të gjallë, shikon përpara pasqyrës së qiellit dhe ujërat dhe kupton çdo tingull, sado i vogël të jetë.
Por tani për tani ke vetëm atë thënie që shprehej: “Ajo që iluministët kërkojnë, kthimi në natyrë, është po aq e pamundur sa edhe largësia nga natyra”.
Edhe ti mik, je një pagan?
Paganizmi dhe bota fetare. Në jetën e tij të përditshme njeriu i lashtë na duket më i lirë në krahasim me ne modernët. Për ne, megjithatë, kjo lloj lirie duket se nuk ka asnjë kuptim dhe nuk legjitimohet nëse nuk i shërben një qëllimi më të lartë, një ideali të mirëpërcaktuar, qoftë besimi në një zot, besimi në dashuri apo në atdheun e dashur. Çfarë gjëje të rëndësishme i hoqi feja njeriut dhe cilën nga gjërat e përmirësoi? … Anatol France shkruan në librin e tij me ese “Kopshti i Epikurit”; “Krishterimi ka bërë shumë për dashurinë, duke e bërë atë mëkat”. Këtu ai e kishte fjalën për dashurinë, megjithatë, nëse shikojmë nga afër, çfarë do të kishte ndodhur me botën e sotme pa fetë? Dhe çfarë është bota sot me fetë? Duke e qytetëruar njeriun dhe duke e përgatitur për të marrë pjesë në një shoqëri ku mbretëron morali dhe detyrimi, ata nuk kanë krijuar gjë tjetër veçse një botë të ndarë në dysh, një botë ku mbizotëron më e forta, paraja dhe ku mbretërojnë kontrastet dhe për më tepër, mbillen luftërat… Do të ishte më mirë, një botë më shumë
pagane, e paprekur, krahasuar me një botë të dominuar nga frika dhe besëtytnitë, nga luftërat dhe fetë aq të fuqishme sa janë bërë dhëmbëza të mëdha që vënë në lëvizje mekanizmat e kohës?
Ëndrra pagane
Një autor italian hap librin e tij për shtrigat me një dedikim për një vajzë të vogël duke i “uruar” asaj që të mësojë t’i shpëtojë abuzimeve të arsyes. Dhe është e vërtetë. Në ditët e sotme gjithçka sillet rreth arsyes, mbi interesin vetjak, që nuk është gjë tjetër veçse konformizmi dhe konservatorizmi dhe mungesa e lirisë. Në një botë ku paraja prodhon gjithçka; thesare, dashuri, fuqi dhe siguri, ndjen lodhjen e të qenit pjesë e një komuniteti të tillë, por që detyrohesh të marrësh pjesë për të mbijetuar. Jo vetëm zinxhirët e skllavërisë janë shpikur për njeriun e thjeshtë, por tani edhe që ai është i pavetëdijshëm dhe gati i lumtur me këtë skllavëri. Jeta e tij është bërë e mundimshme dhe e ethshme, ai jeton në frikë dhe pasiguri, pa më shumë identitet, nuk janë mē as identitetet kombëtare, traditat e së shkuarës, nën Globalizmin që ka përfshirë pothuajse të gjithë popujt e planetit. Edhe përpara jetonte në pasiguri, duke ndryshuar njëri pas tjetrit sistemet e qeverisjes pa rezultate dhe që ishin të mira vetëm për të thithur lirinë dhe mbi të gjitha nën kontrollin absolut të feve. Jo se e gjithë kjo nuk ishte e dobishme, por nuk ishte e nevojshme që ato të bëhen institucione ku fabrikohen ligjet. Përderisa feja shërbente si një mjet efektiv për të humanizuar dhe përmirësuar njeriun, për ta integruar atë në njëfarë etike morale dhe përkushtim ndaj shtetit, ishte mirë. Shteti ka luajtur gjithashtu një rol të rëndësishëm në qytetërim dhe në kontrollin e mirëmbajtjen e pasurive të vendit. Megjithatë, ekuilibrat e nevojshëm nuk janë ruajtur. Ka shkuar shumë më tej. Për këtë arsye, njeriu sot jeton në dyshim, i përgjysmuar, me një dëshirë të madhe për të ndryshuar. Por e gozhdojnë gjithnjë e më shumë dhe jo vetëm me dhunë e luftëra, por edhe me taktika ideologjike. Ka nga ata që përpiqen dëshpërimisht të ikin nga përgjegjësia, ka nga ata që braktisin Zotin dhe fenë përgjithmonë, ka nga ata që nuk i interesojnë më atributet patriotike. Ky është një kërkim i dëshpëruar për t’u pajtuar me ëndrrën e lirisë, në kërthizën e virgjër të nënës natyrë, në pafajësinë, në kënaqësinë dhe rekreacionin, në idile pagane. Ashtu siç e imagjinojmë botën pagane sot. Njerëz të tjerë kërkojnë strehim te dashuria dhe seksi, që ishte “feja e parë në botë”. Sipas disa teksteve të lashta, kultet e para ndër popujt paganë ishin ato të organeve gjenitale mashkullore dhe femërore, ku një rol të rëndësishëm luanin perëndi si Dionisi, perëndia e verës dhe e kënaqësive mistike, Venusi etj. Megjithatë, është e vështirë për ne të kemi një kornizë ku të përshkruhen të gjithë ata mijëvjeçarë të kaluar, së bashku me qindra breza njerëzorë që do të jetojnë dhe sigurisht që kanë pasur vizionin e tyre. Gjithçka që dimë është nga mbetjet që janë të shpërndara aty-këtu, statuja, qeramika, mjete, shkrime të shenjta dhe nga librat e historisë. Por mbi të gjitha, nga ato rrënoja, që më parë ishin qytete të lulëzuar ku njerëzit mendonin, donin, vuajtën dhe vdisnin…
Përfundim
Sado të rëndësishme që janë, fetë kanë qenë gjithmonë opiumi i mendjes njerëzore dhe një farsë madhështore. Baudelaire thotë: “Zoti është e vetmja qenie, që për të mbretëruar nuk ka nevojë të ekzistojë…”. Çfarë shëmbëlltyre! Të gjithë ne, në çdo kohë, kemi rënë në gabimin e dëshirës për të perceptuar misterin e kësaj bote. Çfarë është bota, nëse vetëm një tym, një lumë ngjarjesh dhe një bandë shfaqjesh të destinuara të zhduken? Të shkurtra ose të gjata, të qëndrueshme ose kalimtare, ato shfaqen dhe zhduken, dhe asgjë tjetër. Jetojmë në një botë “të mbyllur”, hermetike, nga e cila nuk mund të shpëtojmë… Megjithatë, për njeriun ka gjithmonë shpresë; për të përmirësuar jetën e tij të vdekshme dhe për ta shijuar atë deri në pikën e fundit. Kjo mund të realizohej vetëm me bashkimin e materialit me shpirtërorin, duke i bërë ëndrrat realitet në gjëra dhe vepra konkrete dhe të nevojshme, kështu që, sipas meje, mund të arrihet një harmoni e caktuar jetese, një hap përpara në progres. Kuptimi që nuk duhet të merremi gjithmonë vetëm me realitetin, duhet të merremi edhe me botën e imagjinatave… Ti vëmë ato në shërbimin tonë për më të mirën.
Please follow and like us: