Albspirit

Media/News/Publishing

Shefqete Gosalci: Në 25-vjetorin e Epopesë së Jasharajve

   
Në kuadër të njëzet e pesë vjetorit të Epopesë së Jasharajve, Shoqata “Gratë e Dëshmorëve” e udhëhequr nga Z. Xhyhere Vezaj- Maçkaj (gruaja e Dëshmorit Selver Maçkaj), organizoi në Prizren orë letrare në kujtim të Dëshmorëve, ku lexuan poezitë e tyre dhjetëra poetë, kënduan rapsodë dhe vallëzuan vallëtaret e Ansamblit “Emin Duraku” të Zhurit.
Më këtë rast Shoqata “Gratë e Dëshmorëve”, nderoi me mirënjohje shumë familje të dëshmorëve, ish- luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe veprimtarë të Çështjes Kombëtare.
SHENJAT E DËSHMORËVE NË DITËT ME EMËR
Kombi shqiptar mbijetoj ndër shekuj mes fqinjëve fatkeqësisht agresorë, falë sakrificave sublime ndër breza, të trimave e trimëreshave që përballuan çdo sfidë përballë armiqve dhe i dolën Zot Atdheut.
Heronjtë dhe heroinat janë ajka e Kombit, janë ai lloji njerëzor, sojnik, fisnik e besnik të Kombit shqiptar që ruajtën të pastër gjenin dhe gjakun Arbëror, duke dhënë gjithçka që patën dhe falën edhe më të shtrenjtën që falet, jetën pra.
Ata dhe ato janë Identiteti, Dinjiteti, Krenaria, bazamenti, Etnia dhe vazhdimësia!
Kjo ditë e pesë Marsit dhe të tjerat si kjo do të ishin fare të rëndomta pa emrat e Dëshmorëve. Ato ditë, njerëz trima kërkonin dhe sot e gjithmonë ua ruajn emrat dhe shenjat që me gjak ua dhanë vulën e trimërisë. Na i kujtojnë rënjet e mëdha. Shënojnë rënjen heroike të familjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari. Me 5,6 dhe 7 Mars 1998, Prekazi ishte rrethuar nga forca të shumëta policore dhe ushtarake serbe, kundër të cilave familja Jashari rezistoj dhe luftoj deri në flijim. Flijim biblik që nuk njeh shembull të dytë. Kujtimi ynë për këtë ngjarje merr dimension epik dhe shpirtëror të ndjesisë së përjetshme, jo vetëm për shkak të karakterit të ngjarjeve por edhe për shkak të efektit që prodhoi kjo Epokë, e cila në qendër kishte rezistencën e familjes Jashari, në krye me Komandantin Adem Jashari. Një ushtri agresore serbe sulmoj një familje shqiptare në shtëpi të vet. Në berejën tri ditiore të luftimeve, mes 58 anëtarëve që ishin në shtëpi mbijetoj vetëm Besarta, e cila sado të jetoj, mbetet ikonë e dhimbjes njerëzore, siç thoshte At Zef Pllumi “rrno për me tregu”, Besarta ka çka me tregu dhe për mendimin tim mbetetet “muze në vete”.
Rezistenca e familjes Jashari ishte unike dhe mbetet e pakrahasueshme në botë. Ato fytyra të pafajshme të fëmijëve, si sot, para 25 vitesh, do të dëshmonin barbarinë dhe urrejtjen patologjike të një shteti që gjenocidin ndaj shqiptarëve e ka hartuar moti në platforma akademike dhe e ka shndërruar në projekt ende pa u krijuar si shtet. Qëndresa e popullit tonë kundër këtij projekti shfarosës dhe kundër kësaj barbarie është betejë e humanizmit dhe qytetërimit përballë krimeve dhe shkatërrimit.
Kundër armiqve shekullorë, ne u ngritëm si Komb, pa dallim gjinie, feje e moshe. Pērballuam katrahurat më të paimagjinueshme të trurit njerëzor, tortura, skamje, ndarje, burgosje, rrahje brutale,
ekzekutime pa gjyq, perndjekje, dhunime, deportime e çka jo, për të mbetur në tokën tonë. U dhunuam shpirtërisht si popull.
Ishin Nënat shqiptare Ato që s’e panë jetën e tyre, që lindēn e rritën shumë fëmijë, për ta mbajtur Kombin të ri. Ato e ruajtën dhe u kujdesën për familje, kur baballarët, vëllezërit, burrat dhe djemtë e familjes burgoseshin, jetonin në ilegalitet apo iknin në kurbet për të mos shkuar ushtar në Armatën ish-Jugosllave, prej nga në vitet 1981-1999 u kthyen në arkivole, të mbytur me tortura, mbi 200 djem shqiptar,(shumica në ditën e fundit të shërbimit ushtarak). Ishin po Ato Nëna (Sala, Eminja, Mihanja, e të tjera si Ato), që ia falën Atdheut edhe nga pesë djem për Liri e Çlirim, dhe jetuan të heshtura si “Kala dhimbjesh”.
Borxh u mbesim gjithmonë!
Liria dhe trimëria nuk kanë gjini, ndaj për To, e mbështetën ballin istikameve, djem e vajza, gra e burra trima e trimëresha që kishin vullnet, ideal, guxim, dhe që kishin dhënë një Betim dhe ishin të gatshëm për flijim. Dashuria e tyre për Njeriun e Lirinë ishe aq e madhe, pa çmim, ishte Hyjnore. Figurativisht Heronjtë dhe Heroinat janë Yje që Atdheut ju bënë dritë.
Siç thoshte shkrimtari Dante Aligeri, “Dashuri që lëviz diellin dhe yjet e tjerë”.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), ishte strumbullari ku u bashkuan e salduan trimëritë e djemve dhe vajzave më të mira të Kombit. Ata lanë emrat dhe shenjat e tyre gjithandej Historisë duke u bërë simbole frymëzimi për gjeneratat se si luftohet dhe vdiset për Atdhe.
UÇK-ë, ishte dhe mbetet kurora dhe kupola e të gjitha Ushtrive tona Çlirimtare, e vlerësuar ndërkombëtarisht si Guerilja më e suksesshme e Shekulli njëzet.
Heroinat dhe Heronjtë u flijuan dhe u përjetësuan në Amshim, të tjerët luftëtarë e luftëtare që s’e patën atë fat, janë Heroina e Heronjë të gjallë, të heshtur, që jetojnë mes nesh me modesti i njerëzillëk.
Edhe diçka: Pas luftës, përveç grave të Dëshmorëve, që mbetën vetëm, rritën fëmijët me shumë sakrifica, prej vitit 1999 deri me 2023, edhe mbi 50 veteranë të UÇK-së bënë vetëvrasje, të harruar nga institucionet, shokët. Të lodhur, të mërzitur, të diskriminyar e dëshpëruar, të shtrënguar nga skamja, anashkalumi , harrimi, perbuzja, mohimi dhe mmosmirënjohja, i’a kthyen plumbin vetes. Imagjinoni në cfar gjendje shpirtërore mund të ketë qenë një luftëtar lirie, që të vetvriret, të mos mund ta shijoj lirinë për të cilën kishin luftuar me vullnet. Edhe Ata, lanë gratë dhe fëmijët e tyre, të vrarë shpirtërisht, dhe në vështirësi të medha. Keto gra dhe fëmijët e tyre janë kategori në vete e cila meriton kujdes dhe trajtim të veçantë, nga institucionet, shteti dhe shoqëria, sepse pasojat e traghedive të tyre familjare janë të përjetshme. Athua si jetojnë (në fakt, si mbijetojnë këto familje pas gjitha traumave pas vdekjes tragjike të burrave dhe baballarëve? Si do të rriten e edukohen në shtetin tonë të lirë, ata fëmijë, prindërit e të cilëve luftuan për këtë copë liri, e në liri u vetvranë. Sigurisht edhe këta të harruar e shkelur si baballarët e tyre çlirimtarë?
E sa, e sa veteranë e invalidë jetojnë edhe sot në kushte të rënda ekonomike, e përballen me sëmundje të ndryshme fizike e psiqike, mes kujtimeve të luftës dhe në kufinjtë e ekzistencës, të harruar nga shteti. Kategoritë e dala nga lufta, sikur edhe sot janë kategoritë më të anashkakuara nga shteti dhe institucionet në të gjitha Legjislaturat pa përjashtim.
Ata dhe Ato çdo ditë po vdesin. Kujdesi institucional ndaj tyre len shumë për të dëshiruar. Mbijetesa e Tyre është e rrezikuar nga krizat e një pas njëshme ekonomike, veçanarisht për të sëmurët. Kjo kategori e ish- luftëtarëve, kërkon edhe studim të hollë.
Ju institucionalist, të djeshëm, të sotëm dhe ju që mund të vini nesër, thërrisni ndërgjegjes njerëzore, siç thotë një fjalë popullore: “Mblidhni ment, vënja gishtin kokës e dorën zemrës” e reflektoni një herë e mirë për ata njerëz meritorë që dhanë gjithçka që të jemi të lirë. Pa trimërinë dhe guximin e Tyre, sot nuk do të ishit as ju as shteti, as institucionet.
Ju institucionalist, duhet të ndjenit përgjegjësi së paku si njerëz dhe përfaqësues të shtetit që kategorive të dala nga lufta, t’ua jepni hakun , ti vlerësoni dhe trajtoni meritueshëm në të gjitha nivelet. Ju edhe mund të harroni.
Por mos harroni, Zoti nuk harron.
Edhe pse janë shumë Nëna dhe Gra të Dëshmorëve, që mbetën me fëmijë jetime, me prindër të tyre dhe prindër të burrave të vrarë, Ato u bënë shtyllë e familjes, u bënë gra e burra dhe përballuan sfida të jashtëzakonshme. Të rralla ishin gratë e Dëshmorëve që në rrethana të tilla, u ngritën si feniksi nga hiri dhe me shumë sakrifica arritën të “mobilizohen” dhe të ngrisin sipërmarrjet e tyre biznesore, ti bëhen krah familjes, të rrisin e shkollojnë fëmijët dhe të jenë shembull në shoqëri. E tillë është Zonja Xhyhere Vezaj- Maçkaj (gruaja e Dëshmorit Selver Maçkaj), kjo grua e çeliktë e fisnike që na mblidhi sot me 5 mars, t’i kujtojmë bashkë rënjet e mëdha në këto ditë të shënuara. Edhe Ju Nëna, gra, motra, bashkëluftëtare, veterane të UÇK-së, jeni Heroina të gjalla të luftës dhe paqes, Heroina të heshtura që secila në vete jeni copa Lirie.
Shumë prej grave dhe vajzave veprimtare e luftëtare, pavarësisht kontributit dhe meritave, pas lufte nuk arritën të kenë së paku një vend pune për të jetuar me dinjitet në Kosovën e lirë. Meritokracia nuk u zbatua meritueshëm, në shtetin tonë që po konsolidohet dhe ku liria ende është e brishtë.
Mbetën të harruara fshatrave pa asnjë perspektivë. Dikur luftuan, nē liri, padashje u bënë barrë e familjeve të tyre.
Gjaku për liri u derdh ndër shekuj, pothuajse nga të njejtat gurra, nga të njejtat pragje. Trimat dhe trimëreshat u bënë bashkë në liri, bashkë në përjetësi.
Edhe diçka,
Pas luftës Çlirimtare, Kosova po përballet edhe me një luftë tjetër, të padrejtë, të përballjes me Gjykatën Speciale të Hagës, për ta mbrojtur pastërtinë e luftës së UÇK-së. Jemi mësuar me padrejtësi dhe do t’ia dalim.
Mos paçim më kurrë nevojë për Dëshmorë, por nëse po, këtu jemi dhe do të jemi dembabaden!
Po e përmbyll këtë shkrim me një postulat të Presidentit amerikan, Abraham Lincoln: “Nuk ekziston një mënyrë e ndershme për të vrarë, as një mënyrë e sjellshme për të shkatërruar. Lufta nuk ka asnjë të mirë, përveç fundit të saj”.
Lavdi e përjetshme Heronjëve të të gjitha periudhave historike dhe çdo pike gjaku fëmijësh e pleqsh, që u derdh në mbrojtje të Atdheut.
Gjaku u bëftë dritë!
Prizren, 5 mars 2023.
Please follow and like us: