Streha e madhe e shpirtit të popullit për shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri
Reportazhi i botuar më 8 Prill 1988, në gazetën “Zëri i Popullit”, shkaktoi polemika të mëdha asokohe…
Nga Arshin Xhezo
Berat 1942. Në lagjen “Murat Çelepia” pranë një xhamie dhe sahati troket një portë dhe një çezmë në krah. Hapet dera. Ishin dy familje hebreje. I zoti i shtëpisë që hapi derën i pa të largët e të drobitur, u qeshi e u tha:
-Bujrum!
-Samuel! – tha emrin njëri nga refugjatët.
-Ismail? Bujrum! – Ja ktheu emrin i zoti i shtëpisë dhe e tërhoqi për krahu. Tjetri nguli këmbë i habitur e s’lëvizi duke thënë me pëshpërimë.
– Hebre, hebre!
-Njeri, njeri! – belbëzoi plaku dhe mori në krahë djalin e tyre katërvjeçar. Ata e ndoqën pas. Vinin nga Hungaria ku Samueli kish parë me sy t’i digjej i vëllai me benzinë nga nazistët. Familja ku bujtën, me një tufë fëmijësh, i vendosi në njërën anë të shtëpisë dhe u hapi një derë nga ana e prapme e saj. Kjo gjë duhej bërë doemos dhe sa më parë për të siguruar të përndjekurit. Përballë kësaj shtëpie banonte një pilot fashist. Dhe një major fashist më poshtë. Por pesë vetat e fshehur jetonin sikur të mos qenë!.
Mbrëmave vonë, si në traditën e shtëpive beratase shkëmbenin vizita. Të zotët e shtëpisë gostiteshin te bujtësit me fara kungulli të pjekura – zakon i tyre.
Në një nga këto netë Samueli që ishte rrobaqepës u qepi vogëlushëve të shtëpisë nga një kostum (vishnin për herë të parë në jetën e tyre) e të nesërmen u bëri dhe fotografi. Dhe ky kujtim ruhet.
Po sot djemtë e kësaj shtëpie nuk e pranojnë kurrsesi të përmendet emri i tyre si bamirës, por thjesht si miq. Ky nuk është vetëm amanet i babait, por një zakon, një traditë.
-Nuk ziret në gojë mirësia dhe buka – përsërisnin fjalët e babait, që tani nuk është më, kur u kujton mikpritjen që u kanë bërë të përndjekurve. Ndaj dhe fotografinë edhe pse ta japin, kërkojnë që të botohet pa diçiturë, pra pa emrin e familjes së tyre që i ka ruajtur nga vdekja e sigurt.
Po në këtë kohë dhe në lagjet Mangalem e Goricë kishin ardhur familje të tjera hebreje. Sot dëshmohet se kanë qenë rreth dyzet familje të cilat kishin shpëtuar përmes masakrash e krimesh të shpikura nga nazistët. Dhe ja ç’tregoi Ysyf Qolja.
-Këtu në lagjen tonë banonte një Jakov me gruan, Sonjën, dhe vajzën Raçela. Ata luanin mendsh për ne. Pse? Ata qenë të mbyllur e të heshtur, si të mos qenë. Ja këtij Jakovit i kishin vrarë tre vëllezër dhe ndaj qenë aq të mbyllur. E ne, luftë e gjak qe, po zërin të lartë e kishim, çoku edhe shaka bënim. Ja qe një grua atje në “Murat Çelepia” që thërriste ku kishte hebrenj: “Hapini ore dyert! Mos kini frikë! Jeni mes njerëzve. S’u lëmë ne t’u gjejë gjë”.
Dhe ata qenë mes njerëzish të mirë. Njerëz aq të çiltër e kofidentë me të panjohurit. E jo vetëm kaq po s’mbahet mënd asnjë nga këtë hebrenj të bënte pazarët. Ata të përndjekur furnizoheshin me trastat e popullit të Beratit. Që nga shkurtimet e emrave nga Avram – Vane, Isak – Çuke, ndjehet familjariteti mes banorëve dhe të ardhurve.
Po ja një ditë në Berat në mes të nëntorit hynë nazistët. Ulërima e tankeve sikur e shpalosi edhe njëherë këtu katrahurën raciste. Gestapoja e informuar udhës bëri të njohura edhe një herë ligjet e saj për hebrenjtë.
Por refugjatët gjetën një popull që vetëm me një të thirur, “O i zoti shtëpisë, a don miq?” të çelte bashkë me derën e odës edhe zemrën. Të falte besë e gaz. Kur nazizmi përparonte nëpër Evropë, nën një llahtari të paparë u ngrit duman vala e çafrashitur dhe e tromaksur e hebrenjve që banonin në Gjermani, Austri, Poloni, Hungari, Jugosllavi e gjetkë.
Atë kohë, kush zbulonte dhe denonconte një hebre shpërblehej dhe konsiderohej bashmik i nazizmit që terrorizonte Evropën mbarë, kurse ata, njerëzit e thjeshtë që i mbronin, konsideroheshin armiq dhe gjithashtu “shpërbleheshin”, por në një mënyrë tjetër, sikurse vetë hebrenjtë e strehuar.
Historia e kampeve të përqendrimit, krematoriumet dhe eksperimentet çnjerëzore me organet e njeriut janë monografia e shifrës shumëmilionëshe të hebrenjve të asgjësuar. Ishte një gjah zbavitës kapja, vrasja, krimi ndaj një hebreu.
Berati s’është i vetëm që i ka shembujt e strehimit të hebrenjve. Po është Vlora, Elbasani, Korça etj., etj… Me të drejtë thuhet se Shqipëria është ndoshta vendi i vetëm në Evropë ku nazistët gjermanë nuk zunë dot asnjë hebre, sepse populli shqiptar i strehoi në shtëpitë e tij, i fshehu nga nazistët e i mbrojti si bijtë e vet.
Në bllokun e shënimeve lexojmë diçka që na e pat treguar dikur veterani Vasil Bulli: Të strehoje një hebre në kohën e nazizmit e kishe mbushur shtëpinë me dinamit. E s’të mbetej nam e nishan. Po më kujtohet një Jozef, një djalë vetullzi që rrinte i larë e i krehur aq pastër e mirë. Po erdhi nazizmi në neve e iku, Jozefit, s’i lamë t’i prishej as hekuri i pantallonave.
Ndërsa Nesti Leshnja tha:
-Hebrenjtë në Korçë erdhën nga Selaniku. Një familje prej tyre qëndroi te Kostandin Xega, profesor i liceut. Aty te profesori qëndroi, po e dinte tërë fisi i Saqellarëve e ata të lagjes. I dinte tërë Korça po se çelte gojën. E hebrenjtë këtu në Korçë u habitën fare ngaqë në mëhallë linin dyert e shtëpive hapur. E shtynje derën, futeshe brenda. Dhe krijuan besim tek ne.
Edhe Dhimitër Dinaço rreth kësaj teme kujtoi:
-Një familje hebreje burrë e grua e një vajzë u nda në dy pjesë. Nënë e bijë ndenjën këtu, kurse burri u çua në mal. Ai s’e tregoi emrin po di që qëndroi në mal.
Ylli i verdhë si damkë, dyqanet e posaçme të hebrenjve, ndalimi për ta i notit e argëtimit ishin shenja e masa të publikuara për të identifikuar hebrenjtë. Të gjithë i dinin këto, po kjo populli nuk e trembte.
Komanda gjermane bëri një përpjekje nga marsi i 1944-ës t’i grumbullonte hebrenjtë në një shesh të Beratit ku qenë vrarë pak ditë më parë 40 ushtarë fashistë. Sheshi mbeti bosh. Nisi terrori dhe bastisjet.
Hebreja Raçelë, e mbyllur në një katua qëndiste ditë natë lule e motive nga vendi i saj. E po ti shihje ato qëndisma qenë një ditar origjinal. Një Ana Frank në Berat. Por ajo nuk përfundoi në kampin e përqendrimit të Bergen Belzenit.
Veterani Sulo Muzhaka, ish kryetar i këshillit në lagjen “Murat Çelepia” tregon:
-Sa hynë nazistët në këshillat morëm porosi dhe për sigurimin e jetës së një hebreje. Një pjesë i nxuarrëm nga qyteti në drejtim të Shpiragut e pyjeve ku të mundnin.
E në ato ndarje të atyre viteve nënë Gjyfizare Qolja tregon:
-Qanin hebrenjtë kur iknin dhe thonin: A ka Berat tjetërkund? – Ka Berat se ka Shqipëri, ka shqiptarë – ja kthenin ata të këshillit
Të tjerë kujtonin një familje tjetër hebreje, atë të Baharit, që kishte djalë Asherrin, grua Irenën dhe vajzën Xhuljetë.
-Do thënë të tëra! Është çështje nderi dhe mirësie, e mirësitë s’vdesin – lexojmë përsëri kujtimet e Vasil Ballit.
E biseda kujton Isak Bezhën e strehuar në Korçë e Durrës. Ndërsa dy të tjerë të arrestuar në Elbasan nxirren prej andej dhe u shpëtohet jeta.
Dhe vetë enumeracioni i fakteve është një ngarkesë dhe ngjyresë sa poetike aq dhe realiste. Shpirti i madh i popullit është një strehë e madhe.