Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Vlora Obertinca: Triptiku njerëzor për mendjen, trupin dhe shpirtin

 “Duke e harmonizuar ëndërrën, kohën dhe hapësirën, ne e balancojmë mendjen, trupin dhe shpirtin”, Dr. Vlora Obertinca,

Njeriu sa jeton po aq edhe ëndërron, sa jeton edhe shpreson, sa frymon edhe realizon.

E gjithë kjo ndodh brenda një cikli imagjinues që ne e quajmë kohë, e cila është e matur me minuta dhe sekonda, të cilat fluturojnë aq shpejt sa që një ditë prej ditësh kur zgjohemi nga iluzioni kohor e kuptojmë se ëndërrat më të mëdha në jetë i paskemi pasur në pëllëmbë të dorës, por që çuditërisht i paskemi lënë të ikin dhe nuk i paskemi shijuar fare.

Kjo sepse, prioritet e kemi paranë, e ndjekim dhe e ndjekim një jetë të tërë, derisa ta realizojmë. Edhe atëherë kur e realizojmë, orekset sa shkojnë e rriten sepse gjithmonë është dikush më i suksesshëm se ne dhe asesi të ndalemi dhe të kënaqemi me atë që kemi arritur.

Le që nuk jemi të kënaqur, por kërkojmë sfida të reja të radhës për ta dëshmuar veten përtej limiteve dhe kapaciteteve që i kemi.

Dhe një ditë prej ditësh zgjohemi të lodhur, të raskapitur dhe nuk jemi të lumtur as me pasurinë, e as me jetën dinamike e cila fluturon sa hap e mbyllë sytë. Ndjejmë një zbraztësi të madhe dhe sikur nuk mund t’ia falim vetes, se si e lamë kohën të na ikë aq shpejt pa realizuar gjërat që na e lumturojnë zemrën dhe shpirtin.

Ne mund ta blejmë krevatin, por nuk mund t’i blejmë ëndërrat, ne mund ta blejmë orën por s’mund ta blejmë kohën e humbur, ne mund t’i blejmë barërat, por nuk mund ta blejmë shëndetin.

Andaj them, kur ju vjen rasti për të fituar para – fitoni, por një pjesë e shpenzoni dhe gëzohuni me njerëzit që i doni dhe ju duan.

Kur ju troket dashuria e vërtetë në jetë, hapjani derën dhe lumturohuni me njeriun e zemrës dhe  thuajeni në atë moment se e dashuroni sinqerisht dhe mos e leni për nesër sepse nesër mund të jetë vonë.

Të dashurit e mi, jetoni dhe gëzoni jetën sot, seps, kur jetoni sot të lumtur, edhe dita e nesërme do t’iu buzëqesh që në mëngjes!

Please follow and like us: