Pirro Fotiadhi: GËZUAR FESTËN JUBILARE TË 60-VJETORIT TË EDICIONIT TË LAJMEVE!
13 Mars 1963 – 13 Mars 2023!
13 Mars 1963, një datë simbolike ashtu sikundër edhe historike në historinë moderne të rrugëtimit të RTSH-së, krejt i vetmi në Shqipëri në atë periudhë kohore e në vijimësi për disa dekada të tjera.
13 Marsi 2023,d ita kur mbushen 60 vite nga starti ogurmirë i Emisionit të Lajmeve shqiptare me protagonist, të talentuarin e zellshëm, Kiço Fotiadhin, si një prej hapave të parë triumfatorë në karrierën e tij profesionale. Që paralelisht me stafin e gjithë studios, mundësuan përmes përpjekjeve të panumërta njerëzore, që ëndrrave t’u jepnin jetë, duke i shndërruar në një realitet, duke shkelur në një epokë të re.
Ishte ditë e Mërkurë, 13 Marsi i vitit 1963, si datë kalendarike, kur starton si hera e parë në historinë shqiptare, Emisioni i Lajmeve.Teksa akrepat e orës shënonin 19.30, në një atmosferë festive, në ekran shfaqet Kiço Fotiadhi, me performancën, guximin por edhe me drojën emocionale momentale, duke artikuluar prej studios së parë televizive bardh e zi të RTSH-së, ngritur dhe formatuar enkas për realizimin e përmbushjen më së miri të këtij synimi.
«Ju flet Tirana, Po japim emisionin e lajmeve»
Εnde student në auditorët e Akademisë së Arteve, përmes një zëri kumbues dhe tërheqës, me një imazh admirues, me dashamirësi dhe inteligjencë, shpalosi fuqishëm mesazhin të ngjashëm me jehonën e një kambanoreje ogurmirë në çastet historike të promovimit të risisë vlerësuar me kushtet e vendit tonë.
Një datë tashmë historike, që do të jetë e paharrueshme për të gjithë stafin respektiv që e ëndërronte prej vitesh krijimin e kësaj strukture institucionale. Duke ofruar gjithçka potenciale me shumë pasion dhe intensitet.
Realisht, pa hiperbolizuar por gjykuar në sensin realist, mund të pohojmë se kjo datë simbolike, natyrshëm e padyshim si një moment historik, do të ndikonte në ndryshimet respektive të përditshmërisë së shqiptarëve. Ndonëse në atë periudhë kohore, ishin krejt të paktë si numër, ata individë që posedonin privilegjin e posedimit të një aparati televiziv në shtëpitë ku banonin, (në kryeqytet numëroheshin nëse ishin 20 apo 30 televizorë).
Një ambicie meritore tejet e jashtëzakonshme për kohën e njëherazi një pikënisje dhe një fillesë e mbarë, e nëpërmjet një vizioni social-shoqëror, duke konfirmuar si prioritet, konsolidimin e rubrikës informative mbarëkombëtare. E gjithë kjo sfidë reale, në hapësirat dhe përmasat e një studioje tepër të thjeshtë e modeste,e cila nuk ishte asgjë tjetër përpos një sallë të thjeshtë 5 x 6 metra, një tavolinë e thjeshtë dhe një stol i vogël, e realizuar në një prej mjediseve të godinës së hershme të Radio-Tiranës, tek Rruga e Kavajës.
Simbioza e një manifesti modern,në aspektin e informimit që sapo startonte ne RTSH, kurrësesi nuk mund të realizohej e plotë pa ndihmesën e kontributin vendimtar pikësëpari të redaktores Stoli Beli. E natyrshëm, me mbështetjen operative, energjike e krejt të papërtuar të stafit teknik të përbërë prej inxhinier Saliut, Lulzim Tomçiut, Jani Meles, Gëzim Hoxhës, të cilët me mjete teknike minimale, sfiduan një realitet dhe vetë historia i ka veçuar tanimë, ndër themeluesit e Emisionit të Lajmeve të televizionit shqiptar.
Gjithësesi, duhet pranuar se mbrëmja e 13 Marsit 1963, ndonëse vështirësive dhe kushteve të vështira, pa asnjë përvojë respektive, pa asnjë mundësi eventuale për regjistrime video, u mundësua lindja e emisionit të lajmeve, i cili vijon edhe sot rrugëtimin e tij të suksesshëm, si edicioni i lajmeve, formatuar një epokë të tërë, sa admiruese po aq edhe të suksesshme, e cila mban vulën e protagonistëve të emrave të ndritur të ekranit. Prej 13 Marsit 1963 e deri në datën e sotme jubilare, kaluan si në heshtje 60 vite, e për rrjedhoje Emisioni i Lajmeve e në vijimësi Edicioni i Lajmeve, kanë përvijuar historinë e tyre, duke shfaqur individualitetin e tyre të plotë. Një histori e vyer qysh prej startit, me atë të konsolidimit, të përshtatjeve aktuale, të rritjes profesionale, të portreteve të reja e modernizimit në promovimin e jetës së gjithanshme mbarëkombëtare.
Data simbolike
Datësimboli i sotëm, e natyrshme që përkon me një pjesëz apo detaj fillestar të karrierës së vrullshme të Kiço Fotiadhit, ku ndër vite dhe dekada, prezenca e tij në ekran dhe mikrofon, me zërin legjendar dhe tingëllimin krejt të veçantë, u lartësua në përmasat e një ikone, të një mjeshtri të rrallë, në transmetimet e RTSH-së.
Si bir i dy prindërve të shkëlqyer e të mrekullueshëm dhërmias, Piros dhe Theano (Muço) Fotiadhi, të cilët me shumë dashuri, e rritën e edukuan, e natyrshme që të fokusonte dhe rrezatonte atë qënie njerëzore, atë portret fisnik që ai shfaqi në rrugëtimin e tij jetësor dhe profesional. Si pinjoll i një oxhaku me dashamirësi për dijen dhe kulturën, ati i tij një prej mësuesve të shquar për kohën, mëkohet me karakterin autentik të bukurive magjepsëse natyrore të atij vendi të përzgjedhur. Sepse figura e mësuesit në atë periudhë kohore, konsistonte me faktorin thelbësor tepër të rëndësishëm në jetë, i cili edukonte me ideale të larta dhe principet e vyera e të vlefshme për jetën.
Në vendlindjen e tij, me hapat fillestare të jetës, e natyrshme që mëson se si të mbijetojë në kushte të vështira në çdo mot. Ashtu sikundër edhe për t’u përshtatur me të gjitha situatat dhe njerëzit, e do moshe apo niveli.
Pavarësisht kësaj, fëmijëria e tij përkonte me vitet e portretit të zjarrtë të Luftës së Dytë Botërore, duke përjetuar dhimbshëm ato vitet e errëta momentet e papërshkrueshme, që pasuan me pushtimet Italiane e në vijimësi gjermane në Bregdet, duke rrezikuar seriozisht hera herës, edhe vetë jetën.
Kiço Fotiadhi dëshironte të të mësonte, të ecte përpara, të shquhej, dëshironte të ndiqte veçantinë e ëndrrave të tij, për të ngjitur shkallët e karrierës, duke shpalosur dhuntitë e mjeshtërisë së artikulimit të fjalës. Vitet realisht ishin të vështira, kushtet shpeshherë të pafavorshme, por vullneti dhe konstituimi i të riut pasionant, nuk stepeshin përpara pengesave apo barrierave. Dhe e bëri këtë realitet, me mundim të pandërprerë dhe shumë përkushtim, duke hyrë në thelbin e botës magjike të fjalës. Fillimisht familja, pastaj radio e në vijimësi televizioni, ishin prioritetet e tij jetësore. Jeta e tij vijoi plot suksese e arritje, mandej me goditje, privime dhe linçime krejt të pamerituara.
Personaliteti me dimensione të spikatura profesionale, Kiço Fotiadhi, emblema e pazakontë e ekranit dhe mikrofonit shqiptar, me stilin dhe individualitetin e tij të paarritshëm, si një vlerë e rallë, kontribuoi me një përkushtim e devotshmëri frymëzuese, për rrethanat dhe kohën që ai u angazhua.
Me frymëzimin e një Kalorësi të botës dionisiake, me vullnetin e mirë që e karakterizonte në artin delikat të artikulimit të fjalëve, me zërin e tij tingëllues dhe shpërthyes, me magjinë e komunikimit, ai rrezatoi në ekran dhe mikrofon, përsosmërinë mbresëlënëse të madhështisë së një protagonisti dhe Mjeshtri të ekranit dhe mikrofonit. Përmes vitalitetit të tij të papërshkrueshëm, ai diti të sfidonte me atë mënyrën e tij të heshtur, realitetin e zymtë të privimeve të lirisë.
I ngjizur me një përkushtim dhe moralin që imponoi në gjithë sprovat dhe përpjekjet e tij në lartësimin e karrierës, me zërin e ngrohtë bindës e ngazëllyes, me diksionin e jashtëzakonshëm, dëshmoi se ishte simboli i aktualitetit ashtu sikundër edhe si një nga më të aftët brilantë të kësaj fushe.
Ai i përkiste atij brezi të rrallë idealistësh, teksa ekrani televiziv dhe mikrofoni u shndërrua në pasionin e zjarrtë të vetë jetës ekzistenciale për Kiço Fotiadhin, duke fituar kësisoj respektin e teleshikuesve dhe radiodëgjuesve. Me seriozitetin dhe përgjegjshmërinë e shkallës sipërore në përmbushjen e misionit të tij fisnik, me personalitetin e tij të spikatur, Kiço Fotiadhi, për disa dekada rradhazi u ravijëzua si figura kryesore e emisioneve informative, duke u shndërruar në protagonist dhe në një prej personaliteteve të përkora e brilante të ekranit dhe mikrofonit shqiptar. Duke ndjekur gjurmët e rrugës së suksesit të paraardhësve të tij, emblemave si Haki Bejleri, Vera Zheji, Feride Konomi, e në vijimësi me energjinë e tij të pashtershme, duke ndikuar fuqimisht në përgatitjen e brezave pasardhës të RTSH-së,si Virgjil Kule, Viron Noti, Ismail Shara, Zerina Kuke, Tefta Radi, Vladimir Grillo, Elsa Xhai, Afërdita Averi, Meropi Xhai, Çlirim Poro, Dhimitër Gjoka, Shpresa Ukcama, Amali Çali, Vjollca Vokshi, Agim Xheka, Afërdita Sokoli, Roland Roshi etj. Prezenca e të cilëve në vijimësi, konsiston me angazhime dhe një kontribut të vyer, për ti dhënë një frymë aktuale si edhe ta çuar në nivele të reja bashkëkohore rubrikën informative.
Në vend të epilogut…
Më 13 Mars 1963, Kiço Fotiadhi, si një prej protagonistëve më potentë të këtij starti paradigmatik ogurmirë, në rolin e protagonistit, me dhuntinë e të folurit bukur, me një gjuhë të thjeshtë dhe të mprehtë, çeli siparin e një sfide krejt të re e të panjohur, nëpërmjet gjithësisë enigmatike të ekranit dhe valëve televizive. Me startin e saj krejt të pazhurmshëm starton premiera zyrtare historike e transmetimeve televizive eksperimentale, ditën e Mërkurë të 13 Shkurtit 1963. Kamera rregjistron rioshin djaloshar, Kiço Fotiadhi, për të mbetur në histori, si i pari prezantues i ekranit informativ, duke ofruar dhe shtuar diçka modeste prej kontributit të tij, në trashëgiminë e vyer të masmediave radiotelevizive.
Kiço Fotiadhi, një personalitet dhe figurë e spikatur e mediave mbarëshqiptare, u shqua për shkëlqimin e tij e njëherazi një njeri entuziast, intuitiv, i vetëndriçuar, i sinqertë, me një dashamirësi të lindur e sjellje elegante.
Kiço Fotiadhi, i vlerësuar dhe nderuar si një lider në fushën e tij, ishte padyshim një figurë ikonë në gazetarinë televizive dhe atë radiofonike që me mjeshtërinë e tij, me kulturën e fjalës, me kompetencë, dinte të mahniste teleshikuesit e panumërt dashamirës. Kësisoj, me të drejtë konsiderohet si një prej themeluesve gurërëndë të Emisionit të Lajmeve.
Me performancën e shkëlqyer të personalitetit emblematik, Kiço Fotiadhi, falë seriozitetit dhe punës së palodhur, përpos të tjerash ishte një mësues i vyer për kolegët më të rinj. Duke ofruar përherë bujarisht dhe me entuziazëm ndihmesën e tij të çmuar. Duke çelur mundësitë dhe rrugën e duhur perspektive, për gjeneratat pasuese të gazetarëve dhe redaktorëve televizivë apo atyre radiofonikë.
Simbioza e një personi rrezatues shumëplanësh Kiço Fotiadhi, që la gjurmë të rëndësishme në televizion e në radio, e në një sërë dokumentarësh.
Me qartësinë, freskinë, energjinë dhe fuqinë unike që e karakterizonte, ai promovoi për afro 4 dekada, një shkollë krejt të veçantë të të folurit të ekranit televiziv dhe radios. Duke mishëruar më së miri përmes fjalës së tij të zjarrtë, një tempull vlerëmadh në gazetarinë e masmediave radiotelevizive, si një shembull i ndritshëm i elokuencës.
Një misionar sharmant,që e donte me pasion ekranin dhe mikrofonin, duke na mësuar se pa pasion, pa këmbëngulje, pa sakrifica, kurrësesi nuk mund të arrihen majat e larta të suksesit.
Në këtë datë festive ceremoniale jubilare, përkulemi para madhështisë morale dhe shtatit të njeriut, profesionistit, mendjegjërit fisnik, mjeshtrit të fjalës në ekranin televiziv dhe mikrofonin e radios, Kiço Fotiadhit. Duke nderuar me mirënjohje figurën dhe personalitetin idealist që konfiguroi, përmes një rrugëtimi jetësor e profesional të denjë, duke shërbyer me vetëmohim në suksesin e mediave radiotelevizive. Përkushtime, vlerësime e natyrshme që me qindra faqe mund të shkruheshin për mirësinë, për personalitetin Kiço Fotiadhi, si një misionar i veçantë me etikë dhe virtyte, por edhe me një kontribut të shumanshëm në shoqëri, si shembull i ndritshëm i një jete kuptimplote.
Krenohemi e njëherazi është përsiatja e një angazhimi misionar, të nderojmë një njeri vetëmohues, fisnik, të drejtë, modest dhe autentik. Sepse duke nderuar 60 vitet aktive të Edicionit të Lajmeve dhe promovimit të tij ndër vite e dekada, njëherazi vlerësojmë me mirënjohje, përpjekjet e individëve me vlera të vërteta, të cilët kontribuan denjësisht për funksionimin e perfeksionimin e një sfide të tillë të jashtëzakonshme. E mes tyre protagonistin dhe gjigandin e ekranit, shpirtmirin Kiço Fotiadhi, i cili mbetet i gjallë përjetësisht, për vlerat e pazvetënueshme lavdimadhe, si shëmbëlltyra e një modeli të paarritshëm magjik.
I gjallë me ato fraza mitike pasionante, imponuese «Ju flet Tirana», gjëndet i përjetësuar imazhi i tij i përjetshëm. Sepse dimensionet ndriçuese të fjalës së zjarrtë dhe zëri i tij i jashtëzakonshëm, janë dhurata e thesari më i vyer, për gjithë dashamirësit e tij e gjithë ata fatlumë, të privilegjuar që krijuan dhe ruajtën raporte miqësie e adhurimi.
Gjithësesi, duhet pohuar se jo rastësisht karriera e tij profesionale e vendosi dhe e lartësoi në panteonin e gazetarisë së patejkalueshme të masmediave radiotelevizive. Si një model i respektuar për të gjithë, duke kapërcyer natyrisht përtej kufijve epokalë.
Sa neveritës e pa asnjë lloj ndjeshmërie, reagimi mospërfillës, duke harruar enkas vlerat dhe individët e spikatur.
Sa i padëshirueshme po aq edhe krejt i pakëndshëm fakti i HESHTJES, për 13 Marsin, për këtë ditë simbolike me vlera për vetë RTSH-në… Përse vallë kjo heshtje paradoksale dhe kaq e shëmtuar ndaj një ngjarjeje kulmore e një starti, për të cilin lipset të vlerësohet dhe përkujtohet. Përpos të tjerash, gjithësesi për të mësuar edhe brezat e gjeneratat e ardhshme, rreth funksionimit e zhvillimit të institucioneve të masmediave radiotelevizive.
Të sotshmit, diletantë drejtuesit jeniçerë, që as zverdhen dhe as skuqen prej megafajeve, duhet të kuptojnë modoemos përgjegjësinë historike të dimensioneve mbarëkombëtare që mbart institucioni i RTSH-së, si edhe gjithë individët e personalitetet misionare të ndritura, që kontribuan denjësisht për lartësimin e tij ndër vite. Si vlera të spikatura që nuk shuhen kurrë.
Por kurrësesi nuk duhet harruar se Mosrespekti,ishte dhe mbetet amësia e turpit.
Realisht, turpi është pak!
Përulemi me mirënjohje, në këtë ditë festive jubilare, përpara madhështisë së ekranit dhe mikrofonit, Kiço Fotiadhi, si themelhedhësi i Edicionit të Lajmeve. Nderojmë të paharruarën hijerëndë Stoli Beli, si edhe gjithë ata individë të spikatur të stafit respektiv, që kontribuan dhe shërbyen me nder dhe lavdi.
Si një shenjë minimale përulëse të angazhimit të tyre të rëndësishëm dhe të shumanshëm, për evoluimin dhe zhvillimin modern të masmediave radiotelevizive. Me një modesti që të kujtonte kohët e tjera, i thjeshti Kiço Fotiadhi, me atë zërin e tij shumë karakteristik, me pasionin dhe dashurinë e pafundme për profesionin e tij, dëshmoi se ishte një emisar brilant i ekranit televiziv, tepër i përkushtuar e kreativ, duke sendërtuar e promovuar stilin krejt të veçantë e të papërsëritshëm, si një histori jetësore e rrallë suksesi. Si njeri i papërtuar Kiço Fotiadhi, me vullnetin e tij të admirueshëm, me etikën profesionale, ai do të mbahet mend në kujtesën tonë, për karrierën e gjatë me prezencën e tij të përditshme televizive dhe radiofonike, si një mjeshtër i madh i fjalës, me një kontribut të shquar vendimtar.Portreti i tij, timbri i zërit të tij, do të jehojë gjithmonë, për të gjithë ne, të afërmit, miqtë, kolegët, dashamirësit që patëm fatin të jetonim pranë tij. Duke rrëmbyer heshturazi edhe grimca prej shkëlqimit të tij shpirtëror.
Elitari gazetar i ekranit, Kiço Fotiadhi, me virtuozitetin, skrupulozitetin, elokuencën, me sharmin e tij të përkorë në ekranin televiziv dhe mikrofon, ndonëse tanimë fizikisht nuk ndodhet mes nesh, me performancat e tij shpërthyese, me magjinë e diksionit dhe timbrit të tij, me zërin aq të veçantë e të pazakontë, me botën e tij të fuqishme, është fiksuar në memorien tonë. Duke lënë gjurmë të pashlyeshme në valët e transmetimit të masmediave televizive.
Përjetësisht e paharruar gazetarja sharmante Stoli Beli.
I paharruar kujtimi i të pazëvendësueshmit, njeriut të MIRË DHE TË RESPEKTUAR, EMBLEMËS SË EKRANIT DHE MIKROFONIT, Kiço FOTIADHI.
Shëndet e lumturi familjare për gjithë stafin me duart arta dhe mendjemprehtë të Emisionit Historik të Lajmeve televizive.
Athinë, 16. 03. 2023.