Albspirit

Media/News/Publishing

Poetja shqiptare Irma Kurti botohet në Amerikë

 

Pas botimeve të fundit në Kili dhe në Serbi, poetja shqiptare Irma Kurti boton në Amerikë librin me poezi “One day you will tell me” (Një ditë do t’më tregosh). Libri botohet me logon e shtëpisë botuese Southern Arizona Press në Amerikë me botues Paul Gilliland.

Parathëniaështë shkruar nga kritiku letrar Lorenzo Spurio, kurse imazhi i kopertinës është i fotografit Biagio Fortini. Vitin e kaluar kjo vepër u botua në gjuhën italiane me titullin “Un giorno mi racconterai” nga Shtëpia Botuese Akademia Barbanera.

Shkëpusim një fragment nga parathënia: “Ky libër është aq i pasur me jetë, me emocione dhe imazhe që shikojnë me pasion drejt një të kaluare që largohet gjithnjë e më tepër nga një përditshmëri fluide. Poetika e Irma Kurtit është e vëmendshme ndaj veçanësisë të situatave, ndaj imazheve që kanë forcën t’i sjellin në mendje kujtime të gjalla, të këndshme për t’u kujtuar, si një fllad ajri, por në të njëjtën kohë edhe të dhimbshme, sepse zbulojnë distancën nga e djeshmja e shkujdesur dhe gati hyjnore, e jetuar në plotësinë e ndjenjave dhe në shoqërinë e figurave të dashura siç janë prindërit, të cilëve u është dedikuar përmbledhja poetike. Irma Kurti, e cila është një poete e thellësisë, në përvijimin etimologjik të fjalës ‘poezi’, e tregon veten si një grua e vëmendshme dhe e pasionuar në gjurmimin në letër, falë vështrimit gjenial dhe krijimit që e mbështet atë, të imazheve, formave e ndryshimeve që na bëjnë të pyesim veten dhe na magjepsin…”.

Irma Kurti është një nga poeteshat shqiptare më të përkthyera dhe më të botuara në shtete të ndryshme të botës. Librat e saj, përveçse në Shqipëri, janë botuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Francë, Itali, Rumani, Turqi, Kosovë, Filipine, Kamerun, Indi, Kili dhe Serbi.

Please follow and like us: