Skënder Sherifi: MIDIS JACQUES LACARRIÈRE DHE OMER KALESHIT
JACQUE LACARRIERE, AUTOR, FILOZOF DHE FANS I SUFIZMIT
DISA KUJTIME TË PËRBASHKËTA POETIKO-MISTIKE ME PRAPA SFOND… UDHËTIMET MES TOKËS DHE KOZMOSIT ME NËNËN XHEVAHIRE, DERVISHE DHE PIKTORIN ELEKTRICIST, OMER KALESHI
Më rikujtohen ca momente të bukura shkëmbimi dhe dialogu me mikun tim, autor fantastik, filozof, spiritualist, specialist i miteve antike, sidomos i Greqisë historike dhe i Egjiptit milenarë, i thelluar në historinë e feve, në besimet alternative, shumë i afërt me sufizmin, hinduizmin, orientin e vjetër tradicional, udhetarë i palodhshëm, njeri i etshëm dhe kurioz mbi gjithçka, humanist, amator i verërave, i gastronomive tipike të regjionëve, i respektit ndaj traditave antike, i bukurisë femërore dhe aq më tepër i peizhazheve, pasi që më kujtohet një libër gjenial që e ka pas shkruar, me temë themelore, shëtitjen ose bredhjen e tij, një vit komplet nëpër Francë, qoshe në qoshe, në të katër anët, gati pëllembë për pëllëmbë, në hulumtimin e shpirtit francez autentik dhe të gjenezës apo tipologjisë gjeografike të Hekzagonit. Botim i vitit 1974 me titullin “Chemin faisant … 1000 kilometra me këmbë, nëpër Francë”.
Dhe disa herë, më ka pas shkuar mendja edhe mua, për ta bërë atë udhëtim intim dhe atipik, në hapat e tij dhe me librin e tij në dorë, si referencë shoqëruese. Pra, është një ndër ata persona, të cilët më kanë përcjellur si miq, si vëllezër apo babai shpirtëror deri sot në jetë. Ka qenë njeri i afërt, i dashur, humanist i kulluar, gati një person i urtë, në sensin budist, sepse e kishte mbrri në mënyrën e tij, për nga studimet, leximet dhe eksperiencat jetësore të shumta, një lloj kulmi ose ‘nirvane’. Gjithmonë e kam ndjerë veten të lumtur, të plotësuar dhe të ushqyer shpirtërisht dhe intelektualisht me atë njeri aq të kultivuar, se ka qenë enciklopedi e gjallë dhe ka pasur një bagazh impresionues në shumë fusha të dijes, ka qenë tamam universal, se shpeshherë njerëzit nuk e dinë fare, ngaqë janë sipërfaqësorë dhe nuk i analizojnë gjërat në thellësi… Por kur thuhet fjala ‘Universitet’ nënkuptohet me logjikë të shëndoshë, që aty përbrenda e ke idenë, që këtu në këtë ndërtesë që quhet universitet mbretëron dhe mbrohet DIJA UNIVERSALE… aty është sensi i vërtetë, do me thënë diçka që përputhet me filozofinë e njerëzve emblematikë të RILINDJEVE të mëdha evropiane… dhe ashtu kanë qenë gjenerata e Volterit, Viktor Hugo, Racine, Corneille, Shakespeare, Erasmus, Diderot, Rousseau, Da Vinci, Montaigne, Montesquieu, e deri tek Ajnshtajni… por edhe ato personalitetet e librit tim kanë qenë dishipuj të asaj shkolle universaliste të Rilindjes… pra, kultura e pafundme!
Shikojeni ju vetë çiftin e Jacques Lacan-it, Claude Lévy-Strauss, këta surrealistat të cilët kanë studiuar mjekësinë paraprakisht… këta që kanë studiuar drejtësinë dhe shkencat politike dhe që janë bërë artistë… Ashtu ka qenë Jacques Lacarrière! Një bibliotekë e gjallë, por pa pretendime ekstreme, pa arrogancën parisiane, narcisizmin e metropoleve, përkundrazi me thjeshtësinë e një çobani… Bravo!
Dhe gjithë atë kulturë që e kishte, nuk e ekspozonte, nuk e theksonte, sa për të na bërë me kuptuar, që ne nuk e dimë as të dhjetën e tij dhe jemi komplet inferiorë dhe apo e shihni se sa shumë dije kam unë, more injorantë! Jo, të vlerësonte ty me kufinjtë e tu, në maksimum, të inkurajonte për ta vazhduar rrugën tënde ashtu siç je dhe ta jipte vlerën dhe rëndësinë e duhur të një njeriu, i cili i duhet kësaj Toke!
Jemi takuar disa herë nëpër Paris, kafe, bare, libraria, parqe dhe tek apartamenti i tij në Paris 13 – tek lagja e quajtur kineze (Chinatown), por pa Roman Polanskin dhe ganget e triadave aziatike, në numrin 158, të bulevardit Vincent Auriol, një ish President francez, të cilin e ka harruar çdokush. Na priste nganjëherë shoqja e tij Silvia me një koktel, një ëmbëlsirë, apo një verë me pak djathë. Dhe sa herë që vinte në Bruksel, më lajmëronte me telefon përmes mesazhit… shkoja për ta marrë tek stacioni i trenit dhe e për ta dërguar aty ku dëshironte, vetëm ose me një mik të afërt kosovar, zotin Shefqet Gashi. E çonim në disa kafe karakteristike të kryeqytetit belg, varësisht a preferonte ndonjë birrë artizanale apo ndonjë verë. Por çuditërisht më pyeste me insitim për nënën time, zonjë Xhevahire Sadria, një mistike e lindur, me orientim sufist të dervishëve, ngaqë i interesonin personat të cilët e kanë marrë besimin spontanisht, si pasojë e një thirrje, apeli, transmetimi misterioz qiellor, që kanë qenë të predestinuar apo të zgjedhur nga lart për atë punë, apo mision. Dhe donte për ta kuptuar pikënisjen, sesi ka ndodhur ai fenomen që në fillim, nga ka ardhur dhe sesi është zhvilluar, apo shfaqur pastaj… si ka evoluar? Dhe nëna ime ishte model shembullor për atë punë! Vetëm ky me aktoren e famshme Annie Girardot, më pyesnin me pasion dhe insistim mbi aktualitetin e nënës sime, bile më befasonte rëndësinë që i jipnin. Por ishte një realitet objektiv… Pse? Ngaqë ishte si Bernadeta e Lurdit në Francë, një person i lindur me atë predispozim mistik, ishte pothuaj e zgjedhur nga Zoti, nga fuqitë e larta, i kishin ardhur vizionet dhe mesazhet, që nga mosha më e re, ishte e thirrur dikund tjetër dhe ishte e lidhur me forcat okulte të botës paralele. E kjo i interesonte zotit Lacarrière! Pastaj, duke u nisur nga një vizion i caktuar në Bruksel, një paraqitje misterioze, një vizitë speciale të tipit katërt multidimensional, si në nje film science-fiction… vendos prej nga Belgjika që duhet t’i ndërtohet një Teqe në Shkodër, liderit sufist të Rifaive, zotit Sheh Ahmet Shkodra dhe me fuqinë energjetike të besimit, do i realizohet dhe do e thrrasin zonjën Xhevahire në Shqipëri, për ta inauguruar pranë të gjitha autoriteteve fetare të vendit. Dhe kemi plot shembuj të tjerë të këtij lloj … Pra, gjithë kjo, e justifikon gjithë atë interesim që kanë pasur ato personalitete mbi nënën time.
Jacques Lacarrière ka lind në Limoges në vitin 1925. Në Francë njihet si një autor karakteristik, i cili e merr frymëzimin e tij gjatë udhëtimeve dhe eksperiencave të shumta që i ka përjetuar nëpër botë… bile janë një seri shkrimtarësh, të cilët kanë funksionuar ashtu dhe sot e ke për shembull autorin francez të njohur Sylvain Tesson, por e ke edhe Jean Marie Le Clézio, Blaise Cendrars, Nicolas Bouvier, Bruce Chatwin, Jack Kerouac, Joseph Kessel, Joseph Conrad, Alexandra David Neel, Pierre Loti, Jack London, Ella Maillart, Henri de Monfreid, Viktor Segalen e Jules Vernes…
Miku im Jacques rritet në Orléans, fillon me shkarravit poezi si Mozarti në moshën 6 vjeçare… gjyshja e tij e merr një thupër dhe i thotë: “More, pis, leri ato pallavra dhe bë detyrat e shkollës”! Studion drejtësinë dhe letërsinë klasike në të famshmen Sorbonë dhe ndjek kurse speciale në gjuhën HINDI në Institutin e Gjuhëve dhe të Civilizimëve Orientale ( INALCO ), aty ku figuron edhe gjuha shqipe dhe ku miku im, Profesor Ardian Marashi, ka punuar si profesor. Pasi diplomohet, punon si gazetar, kritik dhe reporter. Në vitin 1947 udhëton për të parën herë në Greqi, me një grup studentësh të Sorbonës, që ishin adhurues të teatrit antik dhe dashurohet në atë shtet, sepse e fasinon historia e tij, civilizmi, letërsia, filozofia dhe mitologjia, ndërsa dashuria e dytë do jetë Egjipti, për të njëjtat arsye? Në vitin 1950 kalon disa muaj në ishullin e Kretës, pastaj në Manastirin e Bjeshkës Athos, i cili është mjaft i përmendur dhe ku një mik i imi Charles Hanon, nga Valonia (fshati Beez, rreth Namur-it) autor dhe piktor belg dhunohet gati nga një Pop pervers dhe pastaj nga një Cjap gjysmë i luajtur mendsh… kur ma ka treguar, kam qeshur një gjysmë ore gjer në lot!
Prej vitit 1952 shkon Lacarrière rregullisht në Greqi, gjer në ardhjen në pushtet të Kolonelëve grekë me 21 prill 1967. Ngjarje, e cila do e frymëzojë regjisorin franko-grek Costa Gavras, për filmin e tij politik referencial: “Z”. Në vitin 1954, babai im shpirtëror, zoti Pierre Seghers i boton veprën e tij pikërisht kushtuar manastirit grek “Mont Athos, Montagne Sainte” dhe tri vite më vonë do vazhdon me veprën “Découverte du monde antique”, dmth zbulim i botës antike – me përkthimet dhe komentimet e udhëtimeve të Herodotit. Po ashtu është edhe kritik dramturgjik në revistën ‘Teatri Popullorë’, koncept i zotit Antoine Vitez, autor dhe regjisor i famshëm, themeluesi i T.N.P (Teatri Nacional Popullor) i cili ka punuar me gjithë ikonat e teatrit francez, një ndër ta ka qenë Gérard Philippe dhe ka qenë po ashtu edhe profesori i aktorit tonë shqiptaro-francez, mikut tim Rexhep Mitrovitsa, të cilin e kam pasur rastin ta shoh në dy-tri shfaqje në Paris, por edhe në Bruksel. Do integrohet në trupën e komedisë franceze, që në vitin 1989 dhe interpreton disa personazhe madhorë të repertorit teatror, sidomos, rolin ikonik të Hamletit në një regji të Georges Lavaudant. Punon me Antoine Vitez, Hernanin e Viktor Hugos, Elektrën e Sofiklit, Jeta e Galileut të Bertold Brechtit dhe Le soulier de Satin të Paul Claudel-it, pastaj me zotin Daniel Mesguich, Mbreti Lear, etjerë… Unë e kam pa në Hamletin në vitin 1994 nëse nuk gaboj… dhe kemi ngrënë pastaj një darkë në një restorant të Parisit… ka qenë fantastik në atë rol!
Por, le të rikthemi mbi një karrocë kuajsh tek Jacques Lacarrière, i cili në vitin 1961, boton librin e tij “Les Hommes ivres de Dieu” – 1961 – “Njerzit e dehur nga Zoti”, ku na çon në shkretëtirat arabike nga Siria dhe Egjipti, nga shekulli 4 ose 5 pas Jezus Krishtit, ku jeta është një ferr, një dëshprim dhe një vetmi absolute dhe totalisht e pamëshirshme… gjer në atë shkallë, që nuk mund ta përballon askush, pa besuar në diçka, ose pa u lidhur me forcat e larta kozmike. Kështu, që dy nga personazhet zoti Antoine dhe Pacôme, do vendosin për ta ndërtuar një manastir mjedis shkretirës, për t’ia dhënjë një sens të fortë kësaj jete tokësore. Kështu që lidhen me qiellin, me kozmosin, me forcat e larta dhe përforcohet ideja e Zotit, e fuqisë supreme, e cila i ushqen dhe do i shpëton të gjithë nga auto-shkatërrimi dhe vetvrasja. Në vitin 1973, boton veprën e tij të njohur “Les Gnostiques” – ata që dinë, apo që mendojnë që dinë… janë të ndarë në sekte, si bogomilët, katarrët, etjerë… shumë prej tyre janë luftuar si heretikë. Pamundësia për ta duruar padrejtësinë! Njeriu është defektuoz dhe jo perfekt, kështu që jetojmë në një botë perverse, të manipuluar dhe të rrejshme, e cila largohet nga vërtetësia, nga esenca e vlerave. Janë kundër dogmave… Një ndër këta gnostikët është Epifani i Aleksandrisë… i cili në moshën 17 vjeçare boton një vepër me titullin “Traktatin e padrejtësisë – një lloj Remboje i misticizmit”. Pra, dituria buron së pari nga një intuicion i thellë ose një revelatë intime e brendshme.
Akademia franceze i dhuron në vitin 1973, çmimin Pierre de Régnier, për gjithë veprimtarinë e tij. Në 1976 boton librin «Vera greke» i cili korr një sukses popullor. Aty e shpjegon zoti Lacarrière dashurinë dhe lidhjen e tij shpirtërore të privilegjuar me Greqinë. Bile, ideali do ishte për ta lexuar me zë si aktor në agorën e Athinës, para popullit që vinte për t’i dëgjuar dikur autorët dhe filozofët. Jemi me autorin francez në magjinë e Greqisë të përditshme dhe të përjetshme, mes Sofokliut, këngëve mesjetare të Digenis-it, memoriet e gjeneralit Makryannis dhe meloditë epike të pavarësisë Kleftika, mes qiellit blu, fasadave të bardha, uzo dhe ullishtat, sfondi i detit mesdhetarë që na përkund si t’ishim akoma në djep, mes Eskilit dhe Seferis-it, Homerit dhe Elytis-it, Pindaris dhe Yanis Ritsos-it… Pastaj, në vitet e fundit, ja kanë pas porositur një lloj guide personale intime me idenë e një fjalori të dashuruar mbi Greqinë e Jacques Lacarrière, prej germës A gjer në ZH. “Dictionnaire amoureux de la Grèce” me të cilin kam pasur dëshirë një ditë, që ta vizitoj Greqinë… që ta kam me vete si pikë referenciale, nga miku im i shtrenjtë.
Në vitin 1979 martohet me shoqen e tij Sylvia dhe do ta kenë një djalë. Kalon një pjesë të jetës në shtëpinë e tij në Burgonje, tek fshati SACY, ku shkruan librin e tij «Marie d’Egypte», historia e asaj prostitute super seksi, të cilës asnjë njeri nuk i rezistonte, pas shekullit 4 – në Aleksandri, mirëpo dikur historia do rrotullohet me frymëzimet e reja mistike, sidomos ato të kristianizmit, përmes mesazheve hyjnore. Kështu që Maria e Egjiptit, e përjeton një revelatë misterioze, por të fuqishme brenda vetes, i kap disa sinjale vendimtare dhe vendos brutalisht për ta lënë jetën e saj të mëparshme si prostitutë egjiptiane dhe ikën për në shkretëtirë, për t’u ballafaquar me pafundësinë, me misterin e gjithësisë dhe të shpirtit të saj… Kështu, që do bëhet gati legjendë apo hyjni ‘Maria e zallit’ dhe do i lahen të gjitha mëkatet tokësore. Prej nga njeriu, do dashurohet përfundimisht me Zoti ! Kjo është tema e librit…
Vazhdon duke i shkruar disa vepra të tjera dhe në vitin 1991 fiton çmimin e madh të Letërsisë nga Akademia franceze, e cila ia nderon të gjithë veprimtarinë. Emërohet anëtarë nderi në Shtëpinë Ndërkombëtare të Poetëve dhe Shkrimtarëve në Saint-Malo (një qytet në veriun e Bretanjës, me një port detar). Ka qenë po ashtu anëtar jurie për Çmimin Alexandra David Neel, ajo femra pioniere aventuriste që ka shëtitur gjithë botën, kur nuk ishte fare moda e asaj kohe dhe e cila i ka përshkruar ato udhëtime në veprat e saj. Më 12 shtator 2005 vdes Jacques Lacarrière në Paris. Sipas vullnetit të tij, do ia shpërndajnë hirin e eshtrave mbi detin grek në Spetses. I ka botuar rreth 50 vepra të ndryshme, mes të cilave: Suratet (Sourates) në vitin 1982 tek Fayard dhe Pluhri i Botës – tek Le Seuil në 2010, ku e analizon botën islamike dhe filozofinë mistike të sufistëve (dervishëve dhe shehlerëve) … për të cilën më ka pas folur me shumë entuziazëm, ngaqë ka qëndruar me ta një kohë të gjatë në Konja të Turqisë, ku ka pasur kohë për t’i studiuar. Libri i tij ‘Fluturimi i Ikarit’ pastaj ‘Shkencë dhe Besim’ ku dialogon më shkëncëtarin, të cilin e kam pas njohur edhe unë mjaft mirë në Paris, zotin Albert Jacquard, njeri fantastik super i thjeshtë, me gjithë atë famë (biologjist, gjeneticien, filozof – profesor në Stanford të Amerikës dhe Gjenevë). Janë shkruar edhe 2 libra ese-studimorë mbi veprën e Jacques Lacarrière. Nuk po flasim për parathëniet dhe përkthimet që i ka bërë të disa autorëve grekë.
Tani, e kemi pasur të dy, një mik të përbashkët dhe po e shfrytëzoj këtë rast për ta përmendur sepse besoj që ia vlen… është piktori ynë shqiptarë nga Maqedonia, zoti Omer KALESHI… i cili ka banuar me dekada në Paris në një tavan, prapafingo në katin e shtatë, si të ishte një turist apo student permanent në kryeqytetin francez, në numrin 7, të bulevardit Arago, në Parisin 13 të fansave të Mao Ce Dung-ut, dhe të revolucioneve kineze. Kam shkuar disa herë (5 apo 6 herë) tek Omeri në vizitë, kur isha në Paris, dhe e kam dashur atë njeri spontanisht dhe shpirtërisht, menjëherë, pa diskutim fare, m’u ka imponuar direkt energjia e tij sufiste apo budiste aq e bukur, ajo lloj urtësie gati profetike, që e kishte gati të lindur, diçka e natyrshme dhe ajo pamje super simpatike të një fshatari të vjetër me përvojë jetësore të madhe, që ma kujtonte këngëtarin francez të njohur, poetin Georges Brassens, kishit me thënë që ishte vëllai i tij shqiptar. Bile isha gati i gatshëm për ta adoptuar si babë shpirtëror. Kjo është ana njerëzore dhe afektive e imja me Omer Kaleshin, e cila do jetë për mua e përjetshme. E dua atë person përfundimisht dhe pikë, sepse më ka prekur në shpirt. Pastaj, kur ja kam pa veprat e tij pikturale, jam befasuar me fuqinë dhe me origjinalitetin e tyre.
I kam thënë vetes: “Ky njeri është piktor i madh shqiptar, por ndoshta nuk e di, nuk është i vetëdijshëm…”? Unë e konsideroj pa asnjë lloj dyshimi si një ndër piktorët më të fuqishëm dhe bindshëm shqiptarë, për nga universi i tij origjinal. Ka diçka unike, intime, të pa përsëritshme, të cilën nuk e kanë të tjerët. Unë mes 1000 pikturave, e dalloj direkt një pikturë të Omer Kaleshit. Sepse të imponohet spontanisht bota dhe stili i tij artistik… çka është diçka e rrallë në artet plastike. Do më thoni që është Ibrahim Kodra, me të cilin kam pas qëndruar në Kosovë 3 ditë tek shtëpia e Rexhep Ferrit në Prishtinë, pastaj e kam takuar në Bruksel dhe në Tiranë… Po, e dua patjetër edhe Kodrën, porse ai është një nder dishipujt numër 50 apo 60, apo 80 të kubizmit dhe e ka krijuar një kubizëm folklorik, etnik, alla shqiptar me disa motive tona… çka e dallon prej të tjerëve natyrisht. Por nuk na ka imponuar botën e tij të brendshme shpirtërore dhe për mua do ngelet një kubist alla shqiptar interesant, edhe për ne si komb, pionier historik, ngaqë ishte i pari në atë drejtim… por është një pikturë shumë më ilustrative dhe dekorative, e cila nuk hyn në thellësitë, misteret, labirinthet apo humnerat e shpirtit njerëzor, si ajo e Kaleshit, e cila të flet, të pyet, të provokon, të kërkon llogari? Jam çuditur me atë njeri dhe me paradoksin e tij qenësor: aq i thjeshtë, modest, pa pretendime të mëdha, i rëndomtë në shikim të parë, popullor, gati baraz me shqiptarët e emigracionit (Mërgata e Qyqeve) që i kam praktikuar disa vite nëpër Oda, me diçka fshatare, tradicionale, provinciale, zakonore të rrënjosur brenda vetes. Nuk mund të thuash një intelektual super i kultivuar, siç janë në Paris, një universalist dhe kozmopolit, ngaqë ishte i mbyllur në ritet dhe praktikat e tij, brenda një rrethi më tepër ballkanik, pra shqiptarë, maqedonë, boshnjakë apo turkofonë dhe hante dhe pinte me ta, nëpër lokalet e tyre në Paris. Kështu, që ma kujtonte gati gjeneratën e babait tim, emigracionin e vjetër tradicional shqiptar… dhe praktikat e tij jetësore apo shoqërore. Dhe jashtë dashurisë evidente që kisha për të, duke qenë vetë edhe kritik dhe transparent me çdokënd (pra, ideja është kjo: mund të dua në maksimum, por edhe të kritikoj lirisht, nëse më duket mua e justifikuar)!
I thoja vetes disa herë: “Po çka bën ky njeri këtu në Paris tash 50 apo 60 vite”? Kisha përshtypjen që i kishte ngelur ora e trurit dhe e shpirtit dikund në katundete Maqedonisë dhe që nuk e kishte integruar fare botën franceze parisiane, e cila e ka specificitetin e saj … dhe me një fjalë: ishte fizikisht në Paris, por me mend dhe me veprimet e tij të përditshme ishte në zonat tona malësore, nëpër fshatra dhe alpe… dikund tjetër, por kurrësesi në Paris. Po atëherë, pse rri këtu? Pse nuk rikthehet në ambientin dhe në atmosferën e tij jetësore, në kujtimet e fëmijërisë?
Sa herë që i shkoja si vizitor, u gëzonte jashtë mase, se e kuptonte që e dua, që jam fans i pikturës së tij dhe që do jam çdoherë i sinqertë me të… ishte si parakusht. Mirëpo më ftonte çdoherë tek ato kafet dhe restorantet popullore ballkanike, të tipit maqedon, turk, shqiptar, mjedis Parisit, i abonuar përjetësisht në gjellërat tona tradicionale. Dhe më takonte prapë me atë rrethin e tij ballkanik… Sado, që ishin njerëz interesantë apo simpatikë, si çiftet e Nedim Gurselit, autor turk apo të tjerë, i thoja vetes… po ku janë francezët, përendimorët, afrikanët, latinomanët, ku është Parisi këtu… jemi në geton tonë shqiptaro-ballkanike, si në Belgjikën e babait tim që nga viti 1956. Dhe me atë kontrast fenomenal, që jam me një piktor gjigant shqiptar, por që nuk e kupton as vetë rëndësinë e artit të tij. E ka vetëm si dhunti prej Zotit dhe i ka pëlqyer gati si zanat, por jo me pretendime të mëdha artistike apo intelektuale, si për shembull tek Francis Baconi… Omeri vepron me pikturën e tij si të ishte një artizanat, se kështu e koncepton në kokën e tij. Dhe duhet për t’I thënë çifti i Jacques Lacarrière me famën dhe prestigjin që ka, ose unë me fjalët e mia, që “je piktorë eksepcional, origjinal dhe i papërsëritshëm, o miku im Omer”! Qeshte, më fiksonte si Buda me atë urtësi dhe heshte… a e besonte apo jo? A mos e merrte për hajgare? «Jo, por është zanati im, dhe asgjë më tepër”.« Mister…
Nuk kishte ndonjë bagazh të zgjeruar artistik… m’u dukte gati si puna e një piktori naiv jugosllav apo bullgar, që kanë qenë shumë në modë dikur nëpër Europë, ose si afrikani i masksve gjeniale nëpër xhungla, i cili nuk e kupton që e ka po të njëjtin talent të Modiglianit apo të Pikasosë… por pa shkollë, pa diplomë, pa akademi! I thoja vetes: Omeri është piktor i lindur dhe pikë! Mos kërkoni diçka tjetër prej tij. Tani në prapafingon e tij të Parisit 13… e kishte si ekspozim emblematik një maket të elektriçistit, si shenjë dekorimi brenda hapësirës të vogël ku banonte. Ç’ka nuk mund ta imagjinosh tek një piktor tjetër profesional. Po pse Omer?
– Sepse dikur kam qenë elektriçist dhe kam kryer në Maqedoni liceun teknik në atë degë, dua që ta rikujtoj.
Pastaj, pas disa viteve do shkojë në Turqi për t’i vazhduar studimet në Akademinë e Arteve të Vukura në Stamboll. Aty e zbulon botën e artëve plastike, pikturën dhe skulpturën. Okay, por me atë mentalitet fshataë, provincial dhe tradicional maqedon, pa hyrë fare si çifti i Ohran Pamukut në nuancat kulturore dhe historike të Stambollit dhe në lidhjet që ka ai qytet magjik me botën përreth, dritare e hapur mes orientit dhe perëndimit. Omeri nuk lëviz fare dhe rri ai që ka qenë dhe që e kam takuar në Paris. Veçse e ka mësuar një zanat tjetër, pos elektricitetin. E ka parë që mund ta shprehësh edhe ti shpirtin tënd të brendshëm me art! Kaq!
Dhe duke e ba, i ka pëlqyer ky zanat i ri… Waouw, po më bën mirë mua së pari, po më lavdërojnë të tjerët, së dyti po m’ekspozojmë aty dhe këtu, po shëtit dhe po më shitet ndonjë vepër…. prapë më mirë, sesa me punuar si hamall në fabrikë, apo në stacionet e trenit. Kështu, që e ekspozojnë në vitin 1961 në Festivalin Universitar të Akademisë së Stambollit, ku marrin pjesë disa piktorë turq, mes të cilëve edhe Omeri. Pastaj do e shëtisin nëpër Europë, në Romë, Vienë, Munchën, Londër, Hagë, Beograd, Selanik dhe dikur në Paris, ku do vendosë për t’u stabilizuar përfundimisht.
Tani, shtrohet pyetja legjitime dhe humane, si mik i vërtetë: “Okay, Omer, por pa grua, shoqe, fëmijë, familje, pse me qëndruar gjithë jetën gati si bohem, si student, si turist, si budist, si asket oriental në Paris, në hapësirën e kufizuar të katit të shtatë të një ndërtese? Si të ishe në një qelizë, në një dhomë të një manastiri kristian apo teqe të dervishëve? Ku është sensi i kësaj pune, i këtij vendimi dhe pse Parisi, kur ti nuk e shijon fare jetën parisiane dhe je qëllimisht i leçitur ose i përjashtuar prej saj? Kurse unë e njoh përmendsh”! Nuk kam marrë kurrë ndonjë përgjigje të qartë dhe bindëse prej tij. Bile e irritonte ajo pyetje?
– Mirë, miku im Omer, por a ke ndonjë dashnore, ndonjë borgjeze që të ndihmon dhe ma çka jeton këtu në Paris? A i njeh rrethet e tjera pos ato ballkaniket?
– Ah jo, jam mirë, jetoj modest me çka më duhet mua, më menaxhojnë turqit si artist këtu dhe nuk m’intereson Parisi tjetër, pos ai me të cilin jam i mësuar unë këtu… më mjafton!
-Po Omer, nga të vijnë ato koka, o burrë… a i ke si modele fotografike dhe pastaj i interpreton si piktor, a i ke pasur si modele, ai i ke pa dikund?…
– Jo, nuk e di as vet, më vijnë ashtu spontanisht dhe i pikturoj siç më vijnë… ndoshta nga mosvetëdija apo nga vetëdija? Më paraqiten…
– Dakort, por a të flasin, ta japin një mesazh, një porosi?
– Jo, jo … rrinë krejt të heshtura dhe më shikojnë dhe dikur instinktivisht do t’i fiksoj në pikturë!
– Okay, do me thënë janë si dëshmitarë të diçkaje misterioze, të një experience jetësore të mëparshme, dhe vijnë tek ti, për të thënë – tani na vizato, na pikturo, që ta lëmë një dëshmi mbi ekzistencën tonë dikund, ta lëmë një gjurmë në tablotë e tua, o Omer, se ti ndoshta na kupton dhe e di që duhet me e kryer atë amanet?
– Po, bravo Skënder, tamam ashtu… por e kanë një mister dhe nuk e di se nga vijnë, as çka kanë përjetuar?
– Të kuptoj mirë, por pikërisht ky mister, kjo enigmë e tipit ekzistencial, ua jep atë fuqi të paparë, atë bukuri, atë tragjedi, as poezi, atë anë enigmatike të pa përgjigje… sepse, çdo gjë do ngelet gjithmonë hipotetike dhe e hapur.
– Ah, je kritik i fortë, askush nuk më ka folur kështu deri tani…
– Harroje, o Omer, se francezët e kësaj fushe kritike, janë 10 herë më të specializuar sesa unë. Por e shoh veprën tënde me antenat e mia poetike… kaq! Mua më flet! Ka një anë mistike dhe metafizike në universin tënd, o mik… diçka filozofike, plot pikëpyetje që do ngelen të hapura… Sepse, këto KOKA anonime të pa emër, janë persona të cilët kanë përjetuar diçka në jetë mbi këtë tokë, apo jo? Por çka? Diçka mes parajses dhe ferrit, mes gëzimit dhe idhnimit, mes lumturisë dhe tragjedisë… dhe na dëshmojnë, por edhe na pyesin, na kërkojnë llogari? E kanë një prezencë të fuqishme magnetike. A vijnë nga tmerri, bumbardimet, luftërat, Hiroshima, kampet naziste, luftërat ballkanike, pastrimet dhe masakrat etnike apo fetare… apo nga nirvana e budistëve dhe e dervishëve, a e kanë prekur absolutën me dorë, a ju kanë afruar qiellit, sepse disa herë janë duke flotuar në një lloj lumturie, gati jashtë ligjeve të gravitacionit. Dhe çdonjëra prej tyre e ka specificitetin e saj, nuk janë asnjëri prej personazheve njëlloj. Janë koka si të prera pa trup… KOKA rrinë në një tel… por e përmban gjithë kujtesën e bukur dhe të hidhur të botës, gjithçka thuhet, apo nuk thuhet? Tani, disa do bien poshtë në humnerë, në ferr… por disa do ngjiten lartë nga qielli! Kështu e interpretoj unë, zoti Omer! Hajde e të përqafoj, se je artist madhor, edhe pse nuk je fare në këtë botë tonën alla franceze. E kjo mbyllje të ka dëmtuar rëndë miku im, sepse krahasoje veten tani me piktorët e ish Jugosllavisë dhe verifikoje CV tënde me të tyren… Ata, e kanë takuar Francën dhe francezët, janë integruar më tepër sesa ti dhe kanë avancuar më tepër, kurse ti që ndoshta je më i fuqishëm dhe origjinal, ke stagnuar nëpër meset turkofone të Parisit. E kjo është gati e pafalshme për mua, ngaqë e ke pasur vendin në koleksionet e Muzeut Beaubourg të Artit modern, siç është Dado, Ljuba, Veliçkoviçi, në Muzeun e Artit modern në Parisit… e jo nëpër qendrat kulturore turko-ballkanike, miku im Omer. Dhe kur ke ekspozuar në Paris, ke ekspozuar vetëm kolektivisht në sallonin e të pavarurve apo në sallonin e majit… e jo tamam ekspozita të mëdha individuale si krijues unik. Tek ti, dominon Ankaraja dhe Stambolli… Por edhe librat e pikturës që i ke si dokument apo reference bibliografike, si monografi apo katalog, a ti ka botuar Turqia? Pra, nuk janë botime puro franceze? E pse? Ngaqë, të kanë llogaritur tamam, si një piktor i tyre, turk. Kur ekspozon në Paris, i dashuri Omer, a paraqitesh këtu si një piktor turk, apo jo? Po kur je në Maqedoni, apo në Beograd, a vjen para tyre si një piktor maqedonas? Por në Prishtinë apo në Tiranë, a na vjen si një piktor shqiptar nga Maqedonia! Po dua me të thënë, që e ke ushqyer ku me e ditur pse, një problem apo një konfuzion identitar… diçka nuk është e qartë dhe e fiksuar tek ti. Tani, sot për shembull, o Omer: ti si e ndien dhe si e identifikon vetveten? Cili identitet të duket më real dhe më i afërt me çka je ti sot?
– Ah po pse po ma bën këtë pyetje Skënder? Pse duhet me u identifikuar në një kombësi precize, çka do me thënë ajo punë? Unë jam kundër nacionalizmit dhe ti e di që në Ballkan ka shkaktuar katastrofa. Pastaj gjithë historia jonë ka qenë e përzier dhe jo aq e qartë për ta definuar… Kështu, që unë e ndiej vetën ballkanik, pak gjithçka, pra turk, maqedon dhe shqiptar, por nuk ka rëndësi fare.
– Miku im Omer, më fal, por Ballkani është një regjion gjeografik, vatër luftërash e jo një identitet psikologjik, etnik apo historik, i caktuar… Unë nuk pajtohem me këtë qendrim super aproksimativ dhe konfuz. Unë e di edhe pse jam puro frankofon me shumë gjëra, por jam gjenetikisht për nga pikënisja ime familjare, një shqiptar dhe e ruaj me krenari dhe me dinjitet atë trashëgimi, para çdokujt. Në moshën tënde aq të pjekur dhe me talentin e rrallë që ke, pos dashurisë që kam për ty dhe që e meriton 100 herë, duhet të arrish për ta definuar vetveten, pak më qartë dhe më mirë… se mua më vjen keq kur të shoh ashtu me gjithë këto luhatje identitare, si t’ishe një adoleshent i papjekur. Kape me logjikë të thjeshtë o burrë: ku ke lindur, kush ka qenë babai, nëna, gjyshi dhe gjyshja e jote dhe do e kuptosh atë punë.
– Jo po kam lindur në Kërçovë, ish mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene, më vonë Republika e Maqedonisë… jo po më kanë formuar, shkolluar dhe mbëshetur pastaj turqit në Stamboll ose Ankara, si një piktor i tyre, më kanë ekspozuar, më kanë paraqitur nëpër Europë, mbi kanë shtypur katalogjet dhe librat monografike. E pse me e afirmuar pastaj, që jam shqiptar dhe pikë? Më thuaj, çka do fitoj me atë punë, pos disa probleme dhe kufizime?
– Okay, miku im Omer, e kam kuptuar atë gjë, porse dije që nuk jam dakort me ty, kaq! Por më ke mik të përjetshëm… Shikoje Dado-në, nga Mali i Zi, alias Miodrag Duriç, që ka ardhur sikurse ti në Paris. Ka takuar të madhin piktor teoriçar të një shkolle pikturore Georges Dubuffet, i cili e ka prezantuar tek galeristi i famshëm, mik i gjithë Parisit elitar, zoti Daniel Cordier, rezistent i orës së parë, mik i Jean Moulin, ikona e rezistencës franceze, i Presidentit François Mitterrand, etjerë … A mos ka humbur kohën me malazes dhe shqiptarë nëpër Paris? E takon Hans Bellmer-in dhe ekspozon në galeritë e famshme parisiane, tek Daniel Cordier, Jeanne Bucher dhe në galerinë Beaubourg, po ashtu edhe në New York. E takon autorin inovues Georges Perrec dhe ia ilustron një vepër. Dhe sot e ke në disa muzueme të mëdha të botës në Bruksel, Boston, New York, Çikago, Amsterdam… e më thuaj si ka mbrri deri aty? Pos talentit të tij evident…. Pa folur që i ke 15 libra mbi Dado-në, me shkrime të Alain Bosquet, Gilles Deleuze, etjerë. Pastaj e ke Ljuba Popoviç nga Bosnja. E takon vajzen e Paul Signac, piktorit të njohur francez, e cila e prezanton tek zoti René de Sollier dhe Marcel Zerbib, me të cilët e ekspozon në gjithë Paris dhe takon Alain Bosquet, Alain Jouffroy dhe André Pieyre de Mandiargues, që i kam njohur edhe unë, dhe galeristen Thessa Herold. Janë 6 libra dhe 3 dokumentarë mbi punën e tij, o i dashuri Omer! Po pastaj, mund ta citoj edhe Veliçkoviçin, Vladimir me origjinë serbe, i cili pasi e fiton çmimin e Bienalës së Parisit në vitin 1965, vjen për të jetuar këtu, ku je ti. Njihet me një ekspozitë në Galerie du Dragon në Paris dhe a e di që do jetë profesor dhe shef ateljeje në Akademinë e Arteve të Bukura të Paris-it, prej 1983 dhe deri në 2000. Shikoje për kuriozitet kurrikulumin e ekspozitave të tij personale dhe krahasoje me vetveten, miku im… koleksionet e veprave, i ka nëpër të gjitha muzeumet e botës dhe janë 15 libra të botuara mbi punën e tij, me shkrime ultra serioze të Michel Onfray, Alain Jouffroy, André Welter, e të tjerë… Kjo quhet karrierë profesionale në nivelin madhor të duhur, i dashuri Omer! Dhe po aty, ka pas dashur me figuruar edhe ti, i dashur Omer, sipas meje, me talentin potencial që ke, porse nuk je për arsyet që dihen… Sepse, ke jetuar në Paris, por si me pas qenë gjithmonë i diktuar, i lidhur dhe i burgosur në Kërçovë, ngaqë nuk ke dalur kurrë nga zona jote e konfortit, nuk e ke stërmunduar veten, nuk ke riskuar diçka të eé dhe ke ngelur aty ku je, fatkeqësisht, je kënaqur me shumë pak në realitet, e ke autokufizuar vetveten në të gjitha anët, nuk ke komunikuar me Parisin, elitar artistik, je proletarizuar, ke ngelur emigrant në geton tënde, edhe pse je për mua një piktor absolutisht fantastik dhe me vlerë. Sinqerisht, më vjen super keq, porse realiteti është ky! E jo përrallat e shqiptarëve, që sidomos pas vdekjes të personave, stërfryjnë çdo gjë në maksimum dhe çdo kush na del një gjeni i njohur, i cili ka pushtuar botën…
Kurse, realiteti objektiv është pak ndryshe, por nuk e thotë askush prej nesh. Gati e njëjta gjë, por për arsye të kundërta me Omer Kaleshin, sepse ai ishte tepër i shthurrur dhe i paparashikueshëm si tip, ka ndodhur me ish mikun tim Daut Berishën (piktorin nga Peja, i lindur në vitin 1946, i dalur nga Akademia e Beogradit dhe i specializuar në Akademinë e Paris-it), me të cilin kam kaluar dy moment super interesante dhe origjinale në Paris, nga të cilat më ka ngelur një kujtim i mirë. Ka qenë super i talentuar në pikturë, piktor me shumë potencial dhe perspektivë, mirëpo ishte aventurier, margjinal dhe mund të thuash, që me luhatjet e tij intime apo shpirtërore, më në fund, e auto-sabotonte vetveten dhe si rezultat konkret përfundimtar, në vend se me qenë aty ku duhet me topin dhe elitën e pikturës, nuk është… E pra, e ka një jetë super interesante, aventureske, pasionante, shumë më të pasur dhe të llojllojshme se Omer Kaleshi… Bile, për mua jeta e tij vlen po aq sa piktura e tij dhe do e meritonte një roman, ose një film, sepse ka përjetuar shumë gjëra speciale, ka takuar personalitete madhore të artit dhe kulturës botërore, por siç duket, dikund e ka pasur një thyerje, një nyje, një problem shpirtëror me veten. E sot, më thoni, ku janë veprat e Daut Berishës? Në të cilat muzeume botërore? Ndërsa turqit e kanë mbajtur si proletar i pikturës, mikun tim Omer Kaleshin. Po dua me thënë që nuk e kanë çuar punën e tyre krijuese profesionalisht gjer në fund, përkundër atyre tre piktorëve jugosllavë të cilët ua përmenda. Pyesni pra veten, pse? Dhe nuk i vinte mirë kur ia thoja, por prapë e pranonte kritikën time miqësore.
ARTI donë edhe komunikim me botën, lidhje, rrjeta, kontakte, përvoja të reja e jo vetëm me ngrënë sarma, pilaf, byrekë dhe qofte me komunitetin ballkanik të Parisit. I vetmi që ka funksionuar shumë më profesionalisht ka qenë Ibrahim Kodra, i lindur në Shqipëri në vitin 1918, student i skulptorit gjenial Odise Paskalit, i cili më vonë do shkojë në vitin 1938, me një burs të Mbretit Zog në Itali për ta studiar artin dhe do ngelet andej gjer në fund të jetës. Në vitin 1944 jeton në Milano, ku e ka banesën dhe ateljenë e tij personale. Mirëpo, Kodra i ka së paku veprat e tij nëpër koleksione private, por edhe në Muzeun e Vatikanit, në Dhomën e deputetëve të Parlamentit italian, në galeritë dhe fondacionet artistike të Milanos, etjera… Po ashtu, e ke edhe piktorin e Shkodrës zotin Lin DELIAJ, i lindur në vitin 1925 dhe i cili ka vdekur në Romë në vitin 1994. E ka edhe ai një karrierë me të vertetë profesionale dhe të strukturuar perfekt siç duhet.
Më rivijnë bile sot, kur e mendoj Kaleshin, dy shembuj simbolikë në kokë, të cilët flasin vetë, pa shumë komente… dhe është diçka super e dhimbshme:
I pari, me Annie Girardonë, aktoren e famshme franceze, të cilën e kam pasur gati si mikeshë familje. Po qëlloj në Paris dhe isha tek shtëpia e Annie Girardot-së, rue du Foin, afër Place des Vosges, lagje e mrekullueshme. Ja propozova për qejf një darkë. Po e thras mikun tim, pronarin belg të restorantit, Karl Steppé, ngaqë e kisha njohur në Bruksel, si autor dhe si gazetar, fans i gastronomisë dhe më kishte ftuar atëherë në dy restorantet emblematike të tij në Bruksel, por të nivelit të lartë gastronomik (Avenue Louise) – «La Porte des Indes – një indian high level – dhe The Blue Elefant – një tailandez i rafinuar në top. Vende borgjeze për elitën ku shkonte darka me pije, në një mesatare mes 150 dhe 200 euro për person. Mirëpo, vinin njerzit për qejf dhe për ta zbuluar artin kulinar të Indisë dhe të Tailandës. Ishte ritual në vete…
Tani, ky Karli po e çel të njëjtin restorant tailandez «Elefanti Blu» në Paris, tek Bastija (Place de la Bastille) saktësisht, rue de de la Roquette… i kishte disa muaj. Po e thras në telefon dhe po i them: “Karl, jam Skënder Sherifi, poeti dhe gazetari i Brukselit, por në Paris, këtu me aktoren Annie Girardot… dhe desha t’ia propozoj një darkë, me ndoshta një mik tjetër? Ke ndonjë sugjerim”?
Ah gjenial, je me të vërtetë me Annie-në? E dua shumë këtë aktore… a po ma sjell sonte dhe po të ftoj unë këtu në Paris, por pyete, a pranon një foto dhe një shkrim si përshtypje në librin e artë të restorantit? Dhe më lajmëron pak para se me ardhur?
«Dakort miku im, u krye ajo punë! Do vijmë rreth orës 20… të telefonoj pak para që ta dish»! Dhe më shkoj mendja, me idenë për t’ia hapur pak horizontin dhe për ta befasuar për mirë, me e ftuar edhe mikun tim Omer Kaleshin në atë darkë speciale tailandeze – Menya imperiale! I telefonova dhe i thashë se je i ftuar nga unë në filan vend, tek ‘Elefanti Blu’ në Bastijë në ora 20, eja 10 minuta përpara dhe do ta prezantoj një mikeshë aktore super e njohur franceze.
-Ah, po, nuk e di a mundemi, se nuk e njoh, nuk di çka me i thënë, nuk jam mësuar me njerëz të panjohur, etjera.
-Oh Omer, të kam ftuar si burrat e Malësisë dhe tani, e ke për detyrë morale me m’u përgjigjur, eja ku të thashë dhe mos u formalizon, edhe në qofsh ulur para Presidentit amerikan, apo Papës së Romës… ti je ai që je dhe pikë! Dhe je miku im… ti e di që të dua dhe të çmoj si piktorë gjigant. Çfarë halli ke? Mos ta ndjejë për të tjerët!
Dhe erdhi si një fëmijë i hutuar dhe i humbur pa prindër tek Opera e Bastijës në orën 19, 45… më lajmëroi me telefon dhe mbrrina me Annie Girardonë, dorë për dore. Po e thras Karl Steppé-në, për t’i thënë jemi tek sheshi dhe tani për 7 minuta jemi para restorantit tënd me Annie Girardot. Kur po e sheh aktoren Omer Kaleshi u mahnit, si t’ishte një ëndërr irreale, më tha: “A e di çfarë nderi është për mua me e kaluar një mbrëmbje në darkë me këtë artiste madhore… ja kam pa disa filma, të cilët i kanë lënë mbresë çdokujt… waouw, por nuk po di se çka me i thënë”? “Foli për jetën tënde, o Omer, mos u mundon kot, foli për dele, fusha, elektrik, Stamboll, pikturë, Henry Moore, pilafin, mishin e qingjit dhe të viçit, korrjen e grurit, gjëra të jetës së përditshme… se kjo nuk vjen për t’ia bërë një leksion të thelluar mbi artin e shtatë. I ka pas pëlqyer muhabeti me nënën time, e pse jo me ty, miku im?
Kur erdhëm para restorantit, në trotuar, ishte një delegacion me stafin e tyre, që na prisnin me nderime, gjithë të veshur në kostume alla tailandeze… U habita edhe unë. “Mirë se na ke ardhur, e nderuara zonjë Annie Girardot, është nder për ne”! “Faleminderit, ma ka propozuar miku im Sherifi, jam kurioze për ta shijuar këtë vend”.
Na propozoi shefi atë mënynë imperiale, ku figuronin të gjitha asortimentet, gati një festival i gastronomisë tajlandeze, me verë, aperitiv, digjestiv dhe të gjitha të mirat. Po ia shpjegoj Annisë, se kush është Omer Kaleshi, i cili rrinte i heshtur dhe si me qenë i impresionuar, pak i bllokuar… Dikur i tha: “Shiko, Omer, e ke një surrat të bukur, i cili po më pëlqen jashtë mase, se po ma kujton Georges Brassens. Ke diçka të urtë brenda vetes”… dhe po ia fërkon fytyrën dhe flokët.
“Çlirohu, o burrë, se jemi këtu për ta kaluar një moment human të paharrueshëm… fol dhe thuaj çka ke për të thënë, ose po e thras një psikolog”
– Më falni, por jam i turpshëm dhe modest. Ju jeni artiste planetare me famë.
– Dreqi ta hajë atë nder… kush po pyet këtu për famë? Jemi disa miq privatë rreth kësaj tavoline në këtë restorant gjenial, për të cilin do e falënderoj Skënder Sherifin… Por me çka je marrur në jetë? Ku jeton, a ke ndonjë dashnore, a ke ndonjë aventurë për të na treguar, çka pikturon? Fol atë çka të kalon mbi kokë, se nuk jemi duke e kaluar një provim në Sorbonë!
-Oh Annie, ky është mistik, dervish, natyrë meditative dhe kontemplative e heshtur, pikturon koka njerëzish pa trup, adhuron natyrën bjeshkëtare, traditat e vjetra? Këtu është pak i zhvendosur në këtë atmosferë aziatike, nuk i do shumë ndryshimet radikale… është i mësuar në ritet e veta Maqedone dhe ballkanike.
– Po, qenka një mish-mash komplet, sallatë frutesh makedone… por pse e ka zgjedhur Parisin?
Oh Omer, je në Paris miku im, të dua shumë, po më pëlqen energjia e jote, me siguri je një person interesant, por shprehu, se nuk je më fëmijë… a i thua vetes artist? Eja të të puth? A po e ndjen veten më mirë tani! Po e shoh që nuk ngrënë gati asgjë dhe e shikonte pjatën në tavolinë për seri, si të ishte zbritur nga Marsi.
Dhe më tha: «Skënder, pse më ke ftuar në këtë restorant, se ti e di që nuk është për mua. Ke dashur me më provokuar dhe ofenduar? Çka janë gjithë këto gjellëra? Nuk ha çkado unë… ku me e ditur çka ka këtu? Tajlandën nuk e njoh … Pse jam këtu”?
Heu, heu miku im Omer: qetësohu o burrë, se na tmerrove mua dhe Annie-në, tani. Të kam ftuar vetëm me të nderuar, o i dashur mik, e jo me të ofenduar. Me ta prezantuar aktoren më të njohur dhe popullore të Francës, me të propozuar diçka të re dhe jo e zakonshme për ty, me idenë, që ka me të frymëzuar për mirë. Kaq! Qoftet dhe byrekët i njeh, apo jo… Ballkanin a e njeh? Tani, a mos do ishte mirë për ty, me pa diçka tjetër, plus edhe kuzhinën tajlandeze, të cilën nuk e njeh… Ku është e keqja këtu? A me vepruar gjithmonë si provincial i kompleksuar dhe të kufizuar, të mbyllur dhe të abonuar në geton tonë shqiptaro-ballkanike në gjithë Europë tash 50 vite dhe më tepër, si në Belgjikë, si në Zvicër, si në Gjermani, si në Amerikë… duke i praktikuar të njëjtat rite, zakone, kuzhina tradicionale, pa ditur asgjë mbi shtetin që na ka adoptuar, bile edhe duke e denigruar, si mos të ekzistonte fare? Duhet që edhe ne ta përqafojmë kohën dhe botën, ashtu siç është, duke ruajtur edhe pjesën e rëndësishme tonën natyrisht. Po, a mos jemi model të shqiptarizmit pse rrimë duke ngrënë pite dhe flijë, sarma dhe speca të mbushura gjatë një gjysmë shekulli në metropolet e botës, ose pse e dëgojmë Qamilin e vogël dhe Shkurte Fejzën? Jo, o mik, se e kemi shembullin e Konicës dhe të Nolit, para sa dekadash… Pyete veten, i dashur Omer, ti që banon tash 50 vite në Paris: çka njeh nga Franca realisht? A e zotëron historinë, kulturën, artin e saj, traditat, folklorin, kuzhinat tradicionale të regjioneve të ndryshme? A ja njeh artistët, intelektualët, a je ulur me ta në tavolinë, për të biseduar?
Dhe më kujtohet që u destabilizuar komplet dhe mezi priti për t’u rikthyer në prapafingon e tij, në Parisin 13. Por kur e mendon mirë: gjithë kjo pse? Jo, pse ndodhi një incident apo një dramë e madhe, por pse e çova në një restorant tajlandez me Annie Giradot-në! A është diçka qesharake? Por fatkeqësisht reale!
I dyti kujtim ishte me Jacques Lacarrière, të cilin e kishim mik të përbashkët. Kam folur gjerë e gjatë mbi Omer Kaleshin dhe me pat thënë: “Shiko, o Skënder, unë sikurse ti, e dua shumë Omerin, e vlerësoj në maksimum si piktor, sepse ka diçka unike dhe origjinale të tij… kam shkruar mbi të, për ta ndihmuar, ja kam blerë disa piktura, të cilat i kam në shtëpinë time në Burgonje në Sacy, kam marrë pjesë në monografinë e tij të botuar nga turqit, por e cila nuk ka difuzion në krejt Francë. Ai si piktor, i ka të gjitha kualitetet dhe parametrat për të deportuar në dimensionin nacional francez, mos më tepër… Por nuk i intereson ajo punë fare, sepse nuk ia bën hyzmetin, nuk i kryen detyrimet e çdo krijuesi… nuk komunikon, nuk hapet, nuk i kontakton njerëzit, nuk di sesi me u reklamuar deri dikund me mjeshtëri dhe në një farë mënyre, i mjafton me kaq… ashtu siç e njohim unë dhe ti: me ritet e tij ballkanike, me rrethin e tij shoqëror, shqiptaro-turko-maqedon, duke u sjellur në ato kafe dhe restorante popullore që i njeh edhe ti… do me thënë, që Omeri, edhe pse është këtu tash ca kohë në Paris dhe super i talentuar me atë dhunti natyrore, në kokën apo në shpirtin e tij, ka ngelur ai çobani i atyre Bjeshkëve të Maqedonisë dhe kërkon vetëm për ta lënë rehat, pa e lëvizur prej botës së tij antike dhe tradicionale. Nuk ka pretendime, ambicione të tjera… Prandaj, nuk kam se çka me bë më tepër për të! Kam bërë maksimumin me rezultatin e kufizuar që e njeh. Por nuk mund të shkojmë më larg me të… kaq e ka kapacitetin për sa i përket Parisit. E di që është e dhimbshme, ndoshta e padrejtë në aspektin puro artistik apo të talentit, se është me të vërtetë piktorë i fuqishëm… Të dy e ndajmë atë mendim. Mirëpo, sot jemi në botën e showt mediatik dhe të komunikimit, aq më tepër këtu në rrethet parisiane. Ti a mendon që mund t’i kisha reklamuar veprat e mia, pa shkuar në disa emisione televizive, festivale, aktivitete publike? Nuk mjafton për të thënë: e kam shkruar këtë libër dhe po qendroj tani në shpellën time, pa takuar askënd… dhe ejani ju për të më zbuluar mua, se jam një gjeni i rrallë dhe i pa njohur.
Nuk funksionon ashtu… Dhe duke i provuar disa gjëra me Omerin, duke i bërë disa tentativa dhe duke i marrë disa iniciativa precize… e kam kuptuar që nuk mund të shkojmë më larg se aq me të, për në Paris. Mirëpo, shyqyr që e ka së paku atë rrjetin e tij turk me Stambollin dhe Ankarën dhe rrethet turkofone të Parisit… bile ha bukë në një mënyrë modeste, por me pikturë. Ai nuk kërkon më tepër, për veten e tij. Këto ishin ato kujtime me Jacques Lacarrière dhe me Omer Kaleshin, të cilët patjetër që do më mungojnë shumë, kur të shkoj përsëri në Paris…
Për Zhakin nuk ka asnjë problem, se është aty ku duhet… Por sot, ku është vepra artistike, apo trashëgimia e Omer Kaleshit, i cili për mua e nderon pikturën tone shqiptare, me një univers origjinal të pazavendsueshëm? Pos disa privatë shqiptarë apo francezë, që ia kanë pas blerë ndonjë pikturë, pos rretheve turkofone në Turqi dhe në Francë dhe disa vepra që janë siç më kanë thënë mua vjet, tek Kryegjyshata e Bektashijve në Tiranë… më thoni, ku janë veprat e Omer Kaleshit, në të cilat Muzeume apo Fondacione madhore të botës? Së paku, le t’ia mbledhin Shqipëria dhe Kosova, sa merren me kotësira dhe me përfitime të rastit, të gjithë veprimtarinë e tij pikturale, le t’ia blejnë aty ku gjendet, për t’ia vendosur aty ku duhet, ku mund ta admirojë edhe publiku ynë dhe ku e meriton plotësisht ai artist i rrallë, por i lindur me atë dhunti brenda tij! Po, po, një person në esencë çoban, fshatar, proletar, zanatçi, elektriçist, autodidakt, por më në fund, PIKTOR serioz dhe madhor!
Një lloj dervishi i improvizuar, një kusheri i Yunuz Emresë, i Mevlanës turke, i fyellit dhe i valleve mistike, që jeton si asket në tyrben e tij të katit shtatë në Paris, ku asgjë tjetër nuk mund ta pengojnë. Të përqafoj atje ku je, i dashur Omer… do më përcjellin përjetësisht ato koka etua, ta dish! Ah, Jacques, a do shihemi dikur, sipas predikimeve mistike, në sferat e tjera qiellore? Ke ndonjë mesazh special për të na zbritur në Tokë?
Bruksel, 15 mars 2023.