Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Vlora Obertinca: Fuqia e mendjes përcakton rezultatin e dëshiruar

Nganjëherë kalojmë nëpër periudha të vështira të jetës dhe nuk e kemi të lehtë ta mundim mendimin negativ. Ndodh madje edhe pa pritur që, ngjarjet e bukura të kthehen në një rrjedhë negative dhe si të tilla nuk janë të lehta për t’u menaxhuar emocionalisht, e aq më pak për t’u tejkaluar shpejtë.
Në raste të tilla është mirë të rrëfehemi tek miqtë e shpirtit dhe të marrim këshilla të mira, meqë në situata të rënda emocionale është vështirë të mendohet me mendje të qetë.
E më pastaj, është mirë të merremi me diçka që na e lumturon shpirtin, bie fjala ndonjë hobi apo diçka që kemi dashur ta bëjmë gjithnjë, por që nuk kemi arritur për arsye të ndryshme. Duke bërë gjëra që na gëzojnë, ne e zhvendosim vëmendjen nga dhimbja emocionale lidhur me ngjarjen negative. Kohë pas kohe, kur jemi të qetë është mirë ta sodisim pak ngjarjen në fjalë dhe të fillojmë ngadalë të distancohemi dhe ta neutralizojmë atë, duke i dhënë më shumë hapësirë mendimit pozitiv që ta mbizotërojë analizën e ngjarjes.
Mundohuni të filloni ditën me mendime të bukura. Dhe kur e vëreni se mendimet tuaja kanë kaluar në mendime të këqija, kthehuni mbrapa dhe filloni sërish me mendime të bukura. Kjo ngase, mendimi pozitiv tërheq mendimin pozitiv dhe anasjelltas, thotë ligji universal i tërheqjes. Momentet dhe ditët kalojnë pavarësisht se si mendojmë ne.
Andaj, zgjedhni të bukurën, sepse duke qëndruar në mendime për të bukurën, krijoni një të ardhme të bukur, e cila do të manifestohet patjetër si plotësim i një dëshire apo bekim hyjnor në të ardhmen e afërt të jetës suaj.
Please follow and like us: