“Mirë se vjen mik i dashur”, Putin e pret ngrohtësisht Xi-në në Kremlin
Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka mirëpritur të hënën në Kremlin homologun e tij kinez, Xi Jinping, i cili rikthehet në Rusi pas katër vjetësh.
Ai e viziton Rusinë në kohën kur ky shtet po përballet me izolim ndërkombëtar për shkak të luftës në Ukrainë.
“Mirë se vjen mik i dashur”, i ka thënë Putin Xi-së në Kremlin.
Vizita e Xi-së në Kinë i jep mundësi Putinit të pretendojë se nuk është i bllokuar nga e gjithë bota, pavarësisht se për të është lëshuar një urdhërarrestim nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, lidhur me supozimet për krime lufte.
Lufta e Rusisë në Ukrainë – e nisur më 24 shkurt 2022 – pritet të jetë tema kryesore e diskutimeve në mes të liderëve të të dyja vendeve.
Muajin e kaluar, Kina e ka prezantuar një plan të paqes për luftën në Ukrainë, në të cilin përmendet armëpushimi dhe bisedimet mes palëve.
Në nisje të takimit, Putin e ka mirëpritur planin e Xi-së.
“Ne jemi gjithmonë të hapur për negociata”, i ka thënë Putin presidentit kinez.
“Ne do të diskutojmë të gjitha këto çështje, përfshirë iniciativën tuaj, të cilën e trajtojmë me respekt”.
Në një artikull të publikuar më 20 mars, në gazetën ruse, Russian Gazette, Xi ka thënë se Kina ka mbetur “e paanshme” dhe “i ka promovuar vazhdimisht bisedimet për paqe”, mirëpo nuk ka përmendur diçka konkrete lidhur me planin për paqe.
Para takimit, Putin është lavdëruar për marrëdhëniet e tij me presidentin kinez, dhe ka thënë se lidhjet Moskë-Pekin nuk kanë qenë kurrë më të forta.
Putin ka ardhur në pushtet më 1999, dhe është lideri që e ka udhëhequr më së gjati Rusinë prej epokës së Josef Stalinit.
“E di se Rusia do t’i mbajë zgjedhjet presidenciale”, ka thënë Xi.
“Nën udhëheqësinë tuaj të fuqishme, Rusia ka përjetuar zhvillim të madh. Besoj se populli rus do të vazhdojë përkrahjen e madhe ndaj jush”, ka thënë ai, duke iu referuar zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.
Putin dhe Xi janë takuar rreth 40 herë, në pozita të ndryshme, përgjatë 13 vjetëve të fundit.
Putin i ka përshkruar lidhjet mes Rusisë dhe Kinës si të barabarta, duke thënë se “nuk ka lider dhe ndjekës”.
Megjithatë, shumë ekspertë besojnë se Kina, ekonomia e dytë më e madhe në botë, është partnerja kryesore në këtë marrëdhënie.
Dhe ky status, sipas tyre, sa shkon e rritet, duke pasur parasysh dëmin që i është bërë ekonomisë ruse nën sanksionet e Perëndimit.
Kina është bërë rrugë kyçe transtiti për Rusinë për të importuar mallrat e ndaluara nga Perëndimi.