Albspirit

Media/News/Publishing

Frank Shkreli: S’ka zgjedhje të lira pa pjesëmarrjen e opozitës

“Çfarë populli mendojnë ata se jemi ne…”, Winston Churchill.

M’u kujtua kjo thënje e Winston Churchillit drejtuar Gjermanisë naziste, kur lexova, ndonëse pak me vonesë, lajmin për një “tryezë diskutimi”, në Tiranë, me temën: “Mbrojtja e integritetit të zgjedhjeve në Shqipëri”, më pak se dy muaj para zgjedhjeve vendore të 14 majit. Sipas njoftimeve në portalet e ambasadës britanike dhe amerikane në kryeqytetin e Shqipërisë thuhet se, “tryeza e rrumbullakët” u organizua nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit me mbështetjen e Qeverisë se Britanisë së Madhe. Morën pjesë dhe folën edhe përfaquesues të tjerë diplomatikë perëndimorë, përfshir zevendës ambasadorin amerikan në Tiranë dhe folës te tjerë. Por ishte fjala e ambasadorit britanik në Tiranë, Z. Alastair King-Smith i cili përcaktoi qëllimin e asaj konference: “Integriteti zgjedhor kërkon një proces që është i ndershëm, transparent dhe i lirë nga çdo formë ndërhyrjeje. Megjithatë kjo nuk mund të ndodh nëse proceset elektorale komprometohen nga aktivitete kriminale apo korrupsioni. Ne duhet të qëndrojmë bashkë kundër çdo përpjekjeje për të shtypur të drejtat e votuesve, për të manipuluar procesin zgjedhor për përfitime politike. Kanditatët e pastër janë kyç për të siguruar që procesi zgjedhor mbetet transparent dhe i ndershëm”, ka thenë ambasadori britanik në Tiranë. Edhe ambasada amerikane në Tiranë në portalin e saj njofton për pjesëmarrjen në atë konferencë — krahas OSBE-së dhe enteve të tjera ndërkombëtare — të Ngarkuarit me Punë, Z. Demian Smith i cili, sipas portalit të Ambasadës në fjalën e tij, “përforcoi rëndësinë e zvillimit të aktiviteteve zgjedhore në mënyrë të drejtë, të rregullt dhe transparente, në përputhje me ligjin shqiptar dhe standardet ndërkombëtare dhe në një linjë me rekomandimet e ODHIR-it”. Ai vuri në dukje se “Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ndihmojnë demokracinë e Shqipërisë siç kemi bërë gjatë 32 viteve të fundit”, thuhet në portalin e ambasadës së Shteteve të Bashkuara.

Vështirë të thuhet nëse në atë tubim u përmend ndopak opozita ose roli apo e drejta e saj për të marrë pjesë në zgjedhjet e 14 majit. As në Shqipëri dhe askund tjetër në botë nuk mund të ketë demokraci të vërtetë, as zgjedhje të lira, pa opozitë të vërtetë e të pavarur politike dhe nuk ka votë të lirë pa një opozitë të mirëfilltë politike. Opozita shqiptare i ka fajet e veta për gjëndjen në të cilën gjëndet sot – e ndarë dhe e përçarë, e për të cilat edhe ajo duhet të jap shpjegime para votuesve. Edhe qeveria shqiptare gjithashtu ka barrën e vet të fajeve ndaj opozitës dhe përgjegjësitë për të cilat duhet tu kërkojë falje shqiptarëve. Qeveria shqiptare duhet të jetë e vetdijshme se, “asnjë qeveri nuk mund te jetë e sigurt për shumë kohë, pa një opozitë të fortë”, ka thënë Benjamin Disraeli, ish Kryeministër i Britanisë së Madhe. Por edhe ndërkombëtarët kanë përgjegjësitë e veta për gjendjen shkatërrimtare në të cilën gjëndet sot opozita dhe demokracia dhe pluralizmi shqiptar, më pak se dy muaj para zgjedhjeve vendore. Nuk është në misionin e tyre që diplomatët të caktojnë se kush është opozita, kush e udhëheq apo kush e përfaqëson atë. Fatkeqësisht, janë bërë gabime të rënda gjatë këtyre viteve të fundit në adresë të shkatërrimit të qëllimshëm të opozitës në Shqipëri.

Opozita shqiptare nuk është e të huajve, as e qeverisë në pushtet, por as edhe ndonjë pretenduesi kryetar të partive opozitare, por është e shqiptarëve dhe vetëm e atyre. Prandaj, asnjë tryezë e rrumbullakët, sado impresionuese të duket në fakt, asnjë diplomat dhe asnjë ent ndërkombëtar, as ent privat a qeveritar nuk mund t’i bind shqiptarët sot se gjatë viteve — procesi i tyre zgjedhor, vota e lirë, demokracia dhe të drejtat e tyre bazë të njeriut — nuk janë shkelur brutalisht nga qeveria në fuqi me ndihmën direkte ose indirekte, ose me heshtjen e përfaqësuesve diplomatikë perëndimorë në Tiranë, ndaj zhvillimeve të viteve të fundit brenda Partisë Demokratike. Asnjë konferencë as simpozium, as organizatë ndërkombëtare — si ajo e javës që kaloi në Tiranë — nuk e ndryshon perceptimin apo bindjen në radhët e shqiptarëve se pa një opozitë të fortë, zgjedhjet e ardhshme vendore të 14 majit në Shqipëri, nuk do të jenë as të lira as të drejta, as bazuar në ligjet shqiptare as në normat ndërkombëtare. Për këtë, shumica e votuesve shqiptarë, të të gjitha partive, janë të bindur tanimë. Edhe po mos të kishte një opozitarizëm politik në Shqiperi — sado ashtu i ndarë e i përçarë që është falë edhe ndërhyrjeve nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm —diplomatët petendimorë, sidomos ata amerikanë e britanikë, do duhej të shpiknin e ta mbështesnin pluralizmin e vërtetë politik shqiptar e jo ta luftonin e ta përçanin opozitën shqiptare në favor dhe në interes të partisë dhe qeverisë në pushtet.

Në një shtet normal demokratik, pushteti në fuqi ka të drejtat e përgjegjësitë e veta, opozita ka përgjegjësitë, rolin për të luajtur në një demokraci dhe të drejtat e saj. E diplomatët e huaj, normalisht, luajnë rolin e tyre përkatës diplomatik — pa ndërhyrje të drejt për drejt në proceset politike të partive poltike vendore — si përfaqësues të vendeve të tyre dhe të vlerave demokratike të vendeve që ata përfaqësojnë. Në mbështetje të drejtave universale të njeriut për të gjithë shqiptarët pa dallime politike, përfshirë mbrojtjen me çdo kusht të drejtës së votës së lirë në zgjedhje të lira, madje edhe për anëtarët e opozitës politike shqiptare, e sidomos për një opozitë politike në një vend si Shqipëria me një “demokraci” të brishtë, “post-komuniste”, një vend i vuajtur për një gjysmë shekulli, me një prej regjimeve, historikisht, më barbare komuniste në botë.

Për fat të keq, shqiptarët kanë humbur shpresën në klasën politike vendase — pozitë dhe opozitë — për ndonjë ndryshim real, jo vetëm për ushtrimin e të drejtës së tyre për zgjedhje të lira, por edhe për ndonjë përmirësim në jetën e tyre të përditshme. Si përfundim, shqiptarët po zgjedhin të votojnë “me këmbë” duke u larguar masivisht nga atdheu i të parëve, për një jetë më të mirë, më të lirë e më demokratik vendet në perendimore. Në një Perëndim të lirë e demokratik, vlerat e të cilit — tashti shqiptarët, megjith respektin që kanë për ta — nuk kërkojnë t’i gjejnë më në radhët e përfaqësuesve perëndimorë në Tiranë, por në ikonat e vlerave historike demokratike perendimore si Churchilli e Roosevelti, si Ronald Reagan e Margareth Thatcher, e shumë të tjerë, nga parti të ndryshme perëndimore, të majta, të djathta e të qendrës.

Vërtetë, çfarë populli mendoni ju se janë shqiptarët…? Mendoni se ata hanë bar!? Jo, jo, shqiptarët nuk hanë bar, por si ndër popujt më pro-perendimorë, sidomos më pro-amerikanë në botë — nga përfaqsuesit e vendeve aleate perendimore presin që ata të mbështesin të vërtetën, të drejtat e barabarta për të gjithë shqiptarët pa dallime politike, harmoninë apo më mirë me thënë një bashkëjetesë normale politike brenda partive siç është tradita politike në vendet e tyre dhe në marrëdhëniet e tyre me njëra-tjetrën, ashtu siç ndodh në shumicën e vendeve demokratike. Shqiptarët presin që kjo traditë toleruese politike të mbështetet nga diplomatët perëndimorë edhe në proceset demokratike për zgjedhje të lira në Shqipëri. Është e qartë tanimë se shqiptarët e thjeshtë janë lodhur me klasën politike shqiptare që i udhëheq për 30 e sa vjet dhe presin prej jush diplomatë perendimorë, jo më konferenca si ajo e javës së kaluar për të ashtuquajturin integritet të zgjedhjeve në Shqipëri. Fjalët janë boshe, veprat flasin vet! Shqiptarët nuk hanë bar. Ata e dinë se “integritet zgjedhjesh” nuk ka pasur kurrë në Shqipëri gjatë tre dekadave të kaluara.

Për të ndryshuar këtë histori fatzezë të “zgjedhjeve të lira” në Shqipëri ka ardhur koha që edhe perëndimorët të marrin përgjegjësitë e veta, të pranoni këtë fakt duke pranuar gabimet e tyre gjatë viteve, të thonë të vërtetën, me shpresën se diçka mund të ndryshojë në atë vend duke ndryshuar sistemin për të mirën e shqiptarëve, për proceset demokratike, për zgjedhje të lira dhe për liritë dhe të drejtat e njeriut në përgjithësi, “për një proces që është i ndershëm, transparent, dhe i lirë nga çdo formë ndërhyrjeje”, sç u shpreh ambasadori britanik në konferencën e javës së kaluar. E sidomos ky proces duhet të jetë i lirë nga ndërhyrjet në politikat e brendshme të partive politike shqiptare nga diplomatët e huaj në Tiranë, do thosha unë. Konferenca e mbajtur në Tiranë javën që kaloi, “Mbrojtja e Integritetit të Zgjedhjeve në Shqipëri”, ishte një nismë tepër e vogël dhe shumë e vonuar për të ndikuar pozitivisht në procesin e ndershëm të zgjedhjeve të lira në Shqipëri — një përpjekje kjo sipas disa analistëve, më shumë —për të përdorur një frazë anglisht — “to save face” nga ndërkombëtarët në Tiranë, se gjoja po bëjmë diçka për zgjedhjet e ardhëshme, se sa për të pasur ndonjë efekt pozitiv ndaj mbrojtjes së integritetit të zgjedhjeve vendore të 14 majit në Shqipëri, që ishte edhe tema e konferencës.

Please follow and like us: